“Nuk jam terrorist, nuk doja të bëhesha terrorist. U nisa në Siri në dhjetor të vitit 2013, 8 muaj më pas u ktheva në Kosovë dhe u arrestova. Pashë fëmijë të masakruar. Ne në Kosovë e dimë mirë se çfarë është lufta, dimë se çfarë është të luftosh kundër regjimit që nuk e dëshiron, apo ndërkombëtarët të të ndihmojnë të çlirohesh nga ky regjim”.
Kështu e nis rrëfimin një i ri 28 vjeç nga Kosova, në një intervistë për programin Piazza Pulita të datës 7 janar, në televizion italian La 7.
I riu i cili nuk pranon të indentifikohet me emer ka rrëfyer për median italiane se si shkoi në Siri për të luftuar, por atje pa se realiteti ishte ndryshe nga ai që e kishte menduar. Ai u kthye në Kosovë dhe u arrestua nga autoritetet vendase. Sot deklaron se është penduar për rrugën që ndërmori.
Shkuarjen në luftën e Sirisë për t’iu bashkuar grupit terrorist të ISIS-it, që pretendon se lufton për fjalën e Zotit dhe kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad, e provoi dhe një i ri nga Kosova.
Por atje e kishte parë se gjërat nuk janë askund ashtu siç i kishte imagjinuar në Kosovë, prandaj edhe kishte vendosur që pas disa muajsh të kthehet në atdhe.
Në vitin 2013, sapo ishte kthyer, pas 8 muajsh qëndrimi në Siri, ishte arrestuar nga autoritetet kosovare dhe nga atëherë është duke dhënë llogari për rrugën që ka ndërmarrë.
Ai shpjegon se në Siri shkoi nga aeroporti i Prishtinës drejt Stambollit, e nga aty është transportuar nga turqit për të kaluar kufirin me turko-sirianë.
“Pastaj në fillim në Siri, kemi shkuar në Alepo, por në dy muajt e parë situata ishte deri diku e qetë, por me pas po ndodhte diëka, pashë se grupet po luftonin me njëri-tjetrin”, thotë ai.
28-vjecari thotë se u rekrutua përmes internetit.
“Aty ne Siri kishte pjesëtarë të ISIS-it, por jo aq shumë si mendojmë ne nga këtu”.
Situatën e përshkruan si shumë të rëndë, pasi thotë se ka parë përveç të tjerëve, edhe fëmijë të vrarë e masakruar, ky i ri deklaron se nuk dëshiron t’i kujtojë më ato që ka përjetuar.
Aktualisht ky person po mbahet në arrest shtëpiak, pasi konsiderohet si i penduar për veprimin që ka ndërmarrë.
“Kur erdha nga Siria ne Kosove, u mbajta 10 muaj ne burg, tani kam 6 muaj qe pres ne arrest shtepie. Ne burg ishim 40 persona, te gjithe te kthyer nga Siria”.
Ai pret të gjykohet sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës i cili u ndalon shtetasve kosovarë pjesëmarrjen në një luftë apo konflikt të huaj, duke i ngarkuar me vepër penale.
Gazetarja italiane i shpjegon se nuk e kupton dot faktin të shkosh në luftë kur kjo luftë nuk është e jotja, ndërsa për kosovarin duket normale.
“Secili vendos për veten. Unë atje pashë fëmijë të vegjël të vrarë nga ushtarët e Asad. Fëmijë pa sy, pa krahë, pa këmbë”, thotë ai.
Kur i mbyll sytë cfarë sheh?
“Nuk shoh më asgjë, kam fshirë çdo gjë nga mendja”.