Policia ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për veprat penale pjesemarrje ne “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Në pranga është vënë shtetasi Areld Murati, i cili do të ekstradohet në Itali.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe ZQK Interpol Tirana, u bë i mundur lokalizimi i një personi të kërkuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup kriminal.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, së bashku me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor të shtetasit shqiptar Areld Murati, 35 vjeç, banues në Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjykata e Torinos/Itali e ka dënuar 35—vjeçarin me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale “Grupi kriminal” dhe “Trafikim i narkotikëve”, të parashikuara nga legjislacioni italian.
Nga ana e ZQK Interpol Tiranës, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe zyrës homologe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt Italisë.
g.kosovari