Kërkuan që në fillim hapjen e listave ende pa u arritur një marrëveshjen për reformën zgjedhore mes palëve politike, ku për muaj me radhë kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhët, por në fund opozita parlamentare arriti që të plotësonte kërkesën e saj. Miratimi në Komisionin e Ligjeve në unanimitet mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës për listat e hapura u vlerësua si hap pozitiv nga deputeti Ralf Gjoni, i cili në studion e Report TV, tha se kjo do të sjellë ndryshimin që kërkojnë shqiptarët.
Nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të 2021 me lista të hapura dhe pa koalicione, Gjoni u shpreh se ai do të garojë, ku la të kuptohet se disa deputetë të opozitës parlamentare mund të dalin me një listë kombëtare të përbashkët, ndërsa mohoi në mënyrë kategorike bashkim sërish të tij me LSI nëse do të kishin një ftesë nga kjo e fundit.
Gjoni gjithashtu foli edhe për marrëveshjen e 5 qershorit duke thënë se vijon t’i qëndrojë asaj që ka thënë që në fillim se nuk do e votojë, ndërsa shtoi se kjo nuk do të votohet edhe nga deputetët e opozitës parlamentare, përjashtuar ata deputet që dolën hapur pro votimit, të cilët për Gjonin janë deputetë të sponsorizuar.
“Listat e hapura për mua ishte një hap pozitiv përpara dhe besoj se dakordësia që u gjet me mazhorancën për jo më pak se 2/3 të listave të hapura është një propozim optimal. Kam qenë dhe jam kundër marrëveshjes së 5 qershorit. Ajo është një marrëveshje ekstra institucionale të disa grupimeve politike dhe nuk ka lidhje me parlamentin dhe u bë për të mos ndryshuar asgjë, nuk hapen listat, u injoruar kërkesat e opozitës parlamentare, u tha dhe stërtha se të gjithë lanë diçka e morën diçka ,nuk është e vërtetë, pasi opozita parlamentare la gjithçka dhe nuk mori asgjë. Sot ka një dakordësi mes deputetëve të opozitës në parlament për të votuar kundër kësaj marrëveshje, unë personalisht e kam kategorike votën time kundër.
Për herë të parë Shqipëria po sheh deputetë opozitare realisht të pavarur, dhe kanë peshë vendimmarrëse në parlament, mendoje se shumica e opozitës parlamentare, përveç atyre që kanë dalë të sponsorizuar, nuk do e votojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Kodi zgjedhor dhe kushtetuta dhe ndryshimet që kemi propozuar nuk i ndalon koalicionet, mund të bëjnë një listë të përbashkët. Nëse dikush ka dëshirë të bëjë një koalicion mund të bëjë një listë të përbashkët dhe të garojnë”, tha Gjoni.
Nëse ka në plan të krijojë një parti apo do të bashkohet me Rudina Hajdarin apo Myslim Murrizin për të krijuar një parti të re, Gjoni tha për gazetarin Besard Jacaj se do të futet në zgjedhje por që nuk mund të thotë dot ende duke parë nëse do të ketë një grupi apo jo. Madje Gjoni shtoi se opozita parlamentare mund të dalë dhe më një listë të përbashkët kombëtare në zgjedhjet e 2021, ndërsa mohoi bashkëpunimin e tij me LSI, partia e cila e nxori deputet në 2017.
“Unë kam ndërmend të garojë në zgjedhjet e ardhshme, patjetër si pjesë e një grupimi, por jam ende duke parë dhe testuar dhe nuk mund të them se me cilin, nuk do të marr pjesë kurrë në një grupin politik që nuk ka integritetin dhe kredencialet e duhura. Unë kam dalë nga LSI dhe i kam dal borxhit LSI dhe PD bashkë me koleget e mi gjatë këtij viti. e kishin shansin për të bërë një gjë të mirë për vendin, por me qëndrimin që po mbajnë për listat e hapura nuk e shoh veten të garoj me ata dhe asnjë parti politike që nuk pranojnë të demokratizohet nga brenda. Mund të ketë dhe një listë kombëtare të përbashkët të disa anëtarëve të opozitës dhe elementëve të tjerë jashtë që mund të bashkohen për të ndryshuar vendin. Sido që të jetë formati shqiptar ka hapësirë dhe një alternativë të re politike”, tha Gjoni.
Ralf Gjoni bëri deklarata të forta kur tha se ka forca politike në vend që lobojnë në Bundestagun gjerman për të inkurajuar qëndrimet të caktuar që nuk kanë lidhje me çështjet e brendshme shqiptare. Duke iu referuar një deklarate të deputeti gjerman Johann Wadephul, Gjoni tha se ai nuk ka aspak të drejtë të flasë në emër të Bungestagut dhe kjo ndodh si pasojë e këtij lobimi.
“Ajo që më shqetëson më tepër është se duhet para kjo puna e sponsorizimeve dhe lobimeve të errëta që bëhen pranë grupimeve të caktuar parlamentare. Mendoj se ka lobim nga forca politike në Shqipëri ndaj Bundestagu për të inkurajuar qëndrimet të caktuar të painformuar në lidhje me qëndrime të brendshme politike të Shqipërisë. Ka tentativa nga forca politike për të lobuar pranë forcave të Bungestagut dhe Wadephul nuk ka të drejtë të flasë në emër të Bundestagut”, tha Gjoni.
/e.rr