Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, sërish hodhi poshtë të ketë biseduar me këdo qoftë për mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai i bëri këto komente duke reaguar në rrjetin social twitter ndaj postimeve të analistit të çështjeve të Evropës Juglindore, Jasmin Mujanoviç, rreth një bashkëbisedimi të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti me gazetarë e analistë ndërkombëtar.
Gjatë bashkëbisedimit, të organizuar nga “Presseclub Concordia” me seli në Vjenë, zoti Kurti sërish theksoi bindjen se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë një ujdi për shkëmbim territoresh. Ai tha se kjo është diskutuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ish shefja politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Mund të jetë që zoti Grenell është çorientuar nga presidenti Thaçi, por mbase është tunduar po ashtu që të përfitojë pikë politike për të zgjidhur një konflikt njëshekullor”, tha zoti Kurti.
Duke reaguar ndaj citimit që i bëri kësaj deklarate analisti Mujanoviç, ambasadori Grenell shkroi se “absolutisht nuk ka pasur asnjë bisedë për shkëmbim territoresh nga unë dhe nuk është diskutuar nga askush në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, shkroi ai.
Kosova aktualisht qeveriset nga kabineti në detyrë i zotit Kurti, i cili më herët gjatë ditës ritheksoi qëndrimin e tij që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë së COVID-19, ndërsa i cilësoi si rrënuese për demokracinë përpjekjet për krijimin e një qeverie të re pas rrëzimit të qeverisë së tij.
Ai i bëri këto komente në përgjigje të paralajmërimeve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi një ditë më pare se gjatë kësaj jave do të ndërmerr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Ne vazhdojmë të kemi edhe më tej qëndrimin tonë se pas mocionit të mosbesimit dhe pas kalimit të pandemisë vendi ynë duhet të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare sepse është rrënuese për demokracinë qasja me të cilën dëshiron të rrëzosh qeveri pa qenë i gatshëm për zgjedhje të reja. Është qasje tjetërsuese dhe manipulative. Unë e kuptoj që është më mirë që të kishim qeveri tamam me mandat të plotë se sa në detyrë por nuk ka detyrë që kjo qeveri nuk po e kryen dhe nuk është faji ynë që jemi qeveri veç se në detyrë’, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri në detyrë e quajti presidentin e vendit ‘figurë ceremoniale’ që sipas tij nuk është njëra nga shtyllat e pushtetit. Ai tha se presidenti po tenton të formojë dhe të drejtojë vullnet politik në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha po ashtu të dielën se duhet të hiqen tarifat dhe reciprociteti ndaj Serbisë në mënyrë që të forcohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Kosovën.
Deklarata e presidentit u mbështetet nga ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, i cili tha se “posa të hiqen tarifat dhe reciprociteti, (mbase këtë javë) Atëherë bisedimet fillojnë seriozisht. Zoti Grenell tha se ka biseduar me udhëheqësit në Serbi dhe në Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kritikoi ashpër thirrjet e presidentit për të hequr reciprocitetin ndaj Serbisë.
“Unë mendoj që nuk mund të mbaj qëndrim më të avancuar për Republikën e Kosovës një ambasador i huaj se sa vet e bëjnë këtë organet e shtetit apo figurat udhëheqëse të tij, nëse kemi një president që del kundër reciprocitetit me Serbinë atëherë nuk mund të çuditemi me asnjë ama bash me asnjë ambasador të huaj se çfarë thotë dhe bën për vendin tonë. Është rast i pashembullt në historinë tonë të re e mbase jo vetëm jo në rajonin tonë që kemi një personalitet politik me detyrë aq të lartë zyrtare që del jashtë asaj detyre e flet kundër reciprocitetit të vendit të vet, me një shtet fqinj që për më tepër nuk na njeh”, tha ai.
Kosova po përballet me një krizë politike që nga mocioni i mosbesimit më 25 mars që rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kurti.
Që nga rrëzimi i qeverisëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar katër herë me radhë kryeministrit Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë emrin për mandatarin e ri.
Presidenti Thaçi mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkojnë që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje pas pandemisë.
Kryetari i Lidhjes Demokratik të Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën tashmë Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ka përkrahur idenë për të krijuar një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe dy grupe të partive joshumicë në parlament.
“Koalicionin do të bëjmë vetëm në momentin që vlerësojmë se janë përmbushur rrethanat kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet një gjë e tillë, deri atëherë presim që Vetëvendosje që ta pranoj ose refuzoj mandatin për të dhe të mos sillet të themi në prolongimin e deklarimit të saj dhe po ashtu kjo varet nga partnerët tanë sepse ne do ta bëjmë qeverinë me kusht që në atë qeveri të ketë njerëz që kanë figurë të pastër që nuk kanë pasur probleme me ligjin as në të kaluarën sepse kemi kriter themelor shtetin ligjor”, tha zoti Mustafa.
Zoti Mustafa tha se qëllimet themelore të një qeverie të udhëhequr nga Lidhja Demokratike do të jenë përballja me pandeminë dhe procesi i bisedimeve me Serbinë.
“Presidenti mundet nesër të vendos që të shkojmë në zgjedhje sepse nuk po shfrytëzoj të drejtën për t’i dhënë dikujt mandat, por unë kam parë një deklarim duke u nisur nga deklarimet e LDK-së dhe subjekteve tjera që janë të interesuara që tash mos të shkohet në zgjedhje në kohën e pandemisë, por të formohet një qeveri që bazën kushtetuese e ka plotësisht të drejtë”, tha ai.
Zoti Mustafa tha se një qeveri e udhëhequr nga Lidhja Demokratike do të heq reciprocitetin ndaj Serbisë.
“Tash sa i përket ambasadorit Grenell në mund të them se i kemi premtuar edhe këtu kur ka qenë në LDK se ne do të pajtohemi të hiqet tarifa dhe të hiqet pa kushte për një periudhë dhe po ashtu ne presim që në mënyrë reciproke njëjtë të sillet edhe Serbia, që edhe Serbia të gjitha pengesat ndaj Kosovës t’i heq duke përfshirë edhe fushatën kundër njohjeve te vendet e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu kemi diskutuar për faktin se nëse Serbia nuk i bjen në zero të gjitha kërkesat e saj atëherë ne do ta instalojmë reciprocitetin si bazë ligjore sepse një gjë e tillë është e përcaktuar me ligjet e Kosovës.
Dhe për të qeë i qartë, unë jam i sigurt që në moment që LDK-ja do ta bënte një qeveri ose do ta drejtonte një qeveri, atëherë hapat e parë të kësaj qeverie do të duhet të ishin që edhe reciprociteti të hiqet por jo të hiqet për t’u mos u vendosur kurrë, por të hiqet si vullnet i mirë për të filluar dialogu dhe në qoftë se gjatë procesit të dialogut ose më vonë shihet që Serbia nuk po vepron në mënyrë të njëjtë ose nuk po reflekton, do të kthehet një reciprocitet i plotë dhe jo ky që po zbatohet tani por një reciprocitet të plotë ekonomik dhe politik”, tha ai.
Ai nuk e hodhi poshtë mundësinë që të jetë kandidat për kryeministër por tha se këtë çështje do ta diskutojë me njerëzit brenda partisë. (voa)