Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË RADISTIT PERSONAL TË MEHMET SHEHUT, METE BILO BONI NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 11.6.1983, në qytetin Tiranë.
Ne, hetuesit e MPB, Sokol Koleka e Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar në hetuesi:
Emri, emri i babës, mbiemri: Mete Bilo Boni.
Datëlindja, (dita muaji, viti) 3 dhjetor 1951.
Arsimi: Të mesëm.
Vendbanimi: Tiranë, Lagjja Nr 8, Rruga “Brigada e 8”, Pallati 8, shkalla 2.
Detyra: Oficer në Degën e Punëve të Brendshme, Pukë.
Anëtarësia në Parti: Pa parti.
A është i dënuar: I padënuar.
Numri i letërnjoftimit: nuk e ka me vete.
Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Mete Boni
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë:
Në vitin 1973, kam filluar punë në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu, si radist dhe kam qëndruar në këtë vend pune, deri sa ai ka vrarë veten.
Gjatë kohës që unë kam punuar në këtë grup shoqërimi, kam pasur si përgjegjës grupi Ali Çenon, i cili ka qenë njeriu që mbahej më afër nga ana e Mehmet Shehut.
Për çdo problem, Ali Çeno dilte në emrin e Mehmet Shehut dhe thoshte se; unë kam biseduar për këtë apo atë çështje, me Mehmet Shehun…………………………………………..!
Unë nuk di ndonjë veprim konkret armiqësor të kryer nga Mehmet Shehu, apo persona të tjerë të arrestuar kohët e fundit për veprimtari armiqësore, kundër Partisë së Punës së Shqipërisë.
Por gjatë kohës që kam qenë këtu me shërbim, edhe mua si oficerëve të tjerë, na ka rënë rasti që t’u dërgonim Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut pliko, të cilat na i jepte Mehmet Shehu.
Mbasi i merrnim këto pliko nga Mehmet Shehu dhe ia jepnim Kadriut ose Feçorit, ata na kthenin ne zarfin bosh, të cilin duhet t’ia jepnim Mehmet Shehut. Kjo bëhej për të treguar se pliko ka shkuar në destinacion, mbasi këto pliko nuk protokolloheshin.
Një pliko në këtë mënyrë, unë ja kam shpënë nga Mehmet Shehut Feçorit, pak kohë para Kongresit të 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, kurse Kadri Hazbiut, ja kam shpënë pak kohë më përpara. Se çfarë përmbanin këto pliko, unë nuk e di………..!
Më datën 16 dhjetor 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut, ka ardhur Feçor Shehu. Ai ka ardhur në kohë darke. Unë atë natë nuk kam qenë me shërbim, por ma kanë thënë shokët e mijë, që kanë qenë këtë datë me shërbim dhe e kanë parë Feçor Shehun, që ka shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut…………………!
Më datën 18 dhjetor 1981, kam shkuar në punë në mëngjes si zakonisht, ku kanë ardhur në orarin e caktuar edhe shokët e tjerë të grupit të shoqërimit, Armiku Mehmet Shehu, i shoqëruar nga Ali Çeno dhe mjeku Llesh Rroku, ka shkuar në mbledhjen e Byrosë Politike dhe ka ardhur nga mbledhja në drekë.
Mbas kësaj, ne kemi shkuar në shtëpi, ku kemi ngrënë drekën dhe jemi kthyer përsëri në punë mbas dite. Edhe mbas dite, Mehmet Shehu ka shkuar përsëri në mbledhjen e Byrosë Politike.
Kur Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja e Byrosë Politike, ka ardhur në shtëpi, ka hyrë nga dera e saj kryesore. Pas pak kohe që Mehmet Shehu u fut në shtëpi, ka kërkuar mjekun Llesh Rroku, i cili kur u kthye na tha se i kishte matur tensionin Mehmet Shehut dhe ai e kishte patur tensionin të lartë.
Siç na tha Llesh Rroku, ai kishte kërkuar që t’i bënin një kafe, por ai i kishte thënë që nuk të bën mirë për tensionin……..! Duke qenë në dhomën e shërbimit të oficerëve, Ali Çeno ka thënë që: “sot do rri edhe unë me shërbim” dhe me sa më kujtohet, Ali Çeno tha se; “do rri unë me shërbim, se sot nuk e kam gruan në shtëpi”!
Në këtë moment, unë jam larguar për në shtëpi, duke kaluar anës murit të jashtëm të shtëpisë së Mehmet Shehut, tek Shtëpia e Partisë Nr. 1, dhe që këtej kam kaluar në lulishte, e drejt e në shtëpinë time. Unë kam ikur vetëm dhe nuk kam ikur me njeri tjetër. Kam për të thënë se në këtë rrugë, unë shkoja zakonisht, kur ikja në shtëpinë time…………………..!
Pra pasi unë jam larguar për në shtëpi, kam lënë në dhomën e shërbimit të oficerëve, Ali Çenon, oficerin e shërbimit të asaj nate, Dashamir Rabaj dhe shoferin Astrit Hitaj……………..!
Vetëvrasjen e armikut Mehmet Shehu, unë e kam marrë vesh ditën e nesërme, më datën 18 dhjetor 1981………………………..!
Sqaroj se Ali Çeno, nuk bënte shërbim roje, si të gjithë oficerët e tjerë të grupit të shoqërimit, por ai qëndronte në shtëpinë e Mehmet Shehut, vetëm në raste të veçanta, si për shembull kur kishte ndonjë darkë, e të tjera. Se për çfarë arsye ka qëndruar Ali Çeno këtë natë, unë nuk di se çfarë të them…………………!
Proces-verbalin, mbasi e lexova vetë dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos pa vërejtje. Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s a t
Mete Boni Sokol Kolela Bashkim Caka