Një vajzë tetë vjeçe e cila u deklarua e humbur para dy ditësh në Gjermani, është gjetur ditën e sotme në gjendje jo të rënduar shëndetësore. Vogëlushja Julia Sleegers humbi në pyllin “Bohemian” pranë kufirit të Gjermanisë me Çekinë.
Qindra punonjës të shpëtimit u angazhuan për të gjetur Julia Sleegers, prejardhja e të cilës është nga Berlini.
Ajo u zhduk së bashku me vëllain dhe kushëririn e saj të dielën, gjatë një shëtitje me familjen në zonën pyjore. Dy fëmijët e tjerë u gjetën të dielën në mbrëmje, pranë qytetit bavarez Waldmuenchen.
Temperaturat në këtë kohë të vitit janë shumë të ulëta në Gjermani.
Policia bëri me dije se 8-vjeçarja vuante nga hipotermia, por jeta e saj nuk është në rrezik.
Qindra policë gjermanë dhe çekë, zjarrfikës, 40 qenë gjurmues, helikopterë dhe dronë u përfshinë në operacionin e kërkimit, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Të futesh brenda pyllit Bohemian nuk është e sigurt, saqë autoritetet u kërkuan vullnetarëve të mos i bashkoheshin kërkimit, nga frika se mund të humbisnin më shumë njerëz.