Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.
Sipas një postimi të ministrit në rrjetin social X , gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i fortë dhe i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe bashkëpunimi i ngushtë dhe miqësia e kahershme ndërmjet dy vendeve.
Hoxha theksoi se SHBA mbeten një aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë, ndërsa dy vendet vijojnë bashkëpunimin edhe në kuadër të NATO.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:
Kënaqësi të zhvilloja një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.
Gjatë takimit rikonfirmuam partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësinë e kahershme, si edhe aleancën tonë të palëkundur në kuadër të NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë.
Diskutuam gjithashtu zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë situatën aktuale në Lindjen e Mesme. Shqipëria qëndron përkrah aleatëve të saj në mbështetje të përpjekjeve për të parandaluar regjimin iranian nga sigurimi i armëve bërthamore apo armëve të tjera të shkatërrimit në masë, si dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Siguria e aleatëve tanë mbetet e panegociueshme.
Po ashtu, shkëmbyem pikëpamje mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë, rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale, rritjen e qëndrueshmërisë demokratike dhe avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.











