Kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar edhe një herë paraardhësin e tij në qeveri për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komentet Hoti i bëri gjatë vizitës në Obiliq. Hoti i cili është kandidat i LDK-së për kryeministër thotë se ishte qeveria e tij që ‘normalizoi këto marrëdhënie”.
“Përderisa kryeministri i mëparshëm i acaroi marrëdhëniet me aleatët, duke shkuar deri në vendosjen e sanksioneve, ne për gjashtë muaj i normalizuam ato marrëdhënie”, tha Hoti.
‘E kthyem besimin dhe morën përkrahje politike, përkrahje financiare në vlerë prej 1 miliard dollar dhe bashkëpunim ushtarak, duke mundësuar Forcën tonë të Sigurisë që të rreshtohet krahas ushtrisë amerikane për të kontribuar për paqen në botë”, theksoi ai.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhjet e reja parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt dhe ka shpërndarë parlamentin. Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, 2020 me 61 vota, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.