Sërish në ‘skenë’ grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”. Në një njoftim të bërë në Telegram, pretendohet se është sulmuar infrastruktura teknologjike e disa institucioneve gjyqësore.
“Këtë herë drejtësia përballë sistemit të korruptuar gjyqësor shqiptar. Rrjetet kibernetike të sistemit gjyqësor të korruptuar shqiptar janë hakeruar. Të dhënat dhe dokumentet e kësaj strukture korruptive janë në duart e atdhetarëve të Drejtësisë së Atdheut. Ju duhet të paguani çmimin për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj terroristëve Muxhahedin. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri të Drejtësisë së Atdheut…”, thuhet në postimin e tyre.
Megjithatë, përmes një reagimi zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se:
Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëjmë me dije se nga verifikimet e kryera nga eskpertet e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese deri në momentin që flasim në formën hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.
Këtë vit, u raportuan sulme kibernetike nga ky grup ndaj sistemit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Postës Shqiptare. Më herët, në 2025-ën, ata nxorrën jashtë funksionit faqen e Web-it të bashkisë Tiranë.
Në vitin 2022, sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste asokohe marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.
Reagim ka dhe nga Gjykata e Lartë
Përmes një njoftimi të shkurtër, Gjykata e Lartë cilëson për mediat se nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik.
“Pershendetje! Ne lidhje me interesimin tuaj, ju bejme me dije se Gjykata e Larte, nuk ka pesuar sulm kibernetik, por sipas protendimeve te Homeland Justice, grupit ne Telegram, ka pesuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al e cila eshte ne menaxhimin e plote te KLGj, dhe nuk ka asnje lidhje me sistemin e brendshem apo faqen zyrtare te Gjykates se Larte“.











