Holanda ka nisur themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë, për të hetuar krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë periudhës së luftës, ka njoftuar qeveria holandeze.
Sipas BBC-së, Gjykata do të hetoj krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1999-2000 nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj minoriteteve etnike, si dhe ndaj oponentëve politikë, thuhet në këtë deklaratë, transmeton KosovaPress.
Parashikohet që Gjykata të nisë punimet e saj më vonë gjatë këtij viti, ndërsa nuk përcaktohet ende koha e saktë.
Në këtë deklaratë të qeverisë së Holandës, thuhet po ashtu se “hetimi i krimeve të luftës, është një çështje e ndjeshme në Kosovë”. “Të dyshuarit e mundshëm nga një pjesë e shoqërisë kosovare mund të shihen si luftëtarë lirie dhe dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar në Kosovë”, thuhet me tej në deklaratën e transmetuar nga BBC.