“Një vrasës si ai duhet të dënohet me vdekje. I kërkova kryeministrit Rama të vendosë drejtësi”. Gjykata e Krimeve të Rënda firmosi dje dënimin me 35 vite burg për Ferdinand Rukon, i cili vrau gruan duke e hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonin.
Krimi makabër ndodhi në dhjetor të vitit të shkuar në qytetin e Fierit, pak ditë pasi Liljana Ruko (Zhezha), nënë e dy fëmijëve kishte siguruar një urdhër mbrojtje nga gjykata, pasi dhunohej nga i shoqi. Ditën e djeshme, pesëshja gjykuese e gjeti fajtor Rukon për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare dhe e dënoi përjetësisht, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, pozita e të pandehurit u lehtësua, pasi dënimi iu reduktua në 35 vite heqje lirie.
Vendimi për Ferdinand Rukon vjen pak ditë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë urdhëroi nisjen e hetimit për gjykatësin Ergys Selmani, i cili dyshohet se vonoi zbardhjen e urdhrit të mbrojtjes për 43-vjeçaren. Ndërkaq, në një reagim për “Gazeta Shqiptare”, Robert Zhezha, vëllai i Liljanës e cilësoi dënimin qesharak dhe se është i zhgënjyer nga drejtësia. “Për mua, ai njeri duhet të dënohej me vdekje. Ne jemi tepër të zhgënjyer nga drejtësia, është një vendim i turpshëm”, deklaroi dje Zhezha.
Reagimi
Robert Zhezha, vëllai i të ndjerës pohoi dje për “GSH” se krimineli që i vrau motrën u dënua me një dënim qesharak, duke u mëshiruar nga gjykata. “Sot (dje) triumfoi padrejtësia. U çlirua krimineli. Ai mori minimumin e dënimit. Gjykata e mëshiroi kriminelin. Ai ka deklaruar se nuk ka dashur ta vriste motrën time, gruan e tij. Me anë të avokatit tim, unë kërkova edhe fjalën në seancë, por nuk m’u pranua. Doja të bëja vetëm një pyetje. Kur ai thotë se nuk doja ta vrisja, atëherë pse i mbylli fëmijët në dhomën e gjumit? Për mua, ai njeri duhet të dënohej me vdekje.
Ne jemi tepër të zhgënjyer nga drejtësia, është një vendim i turpshëm. Unë do të interesohem dhe nëse apelimi im për këtë vendim do të pranohet, atëherë do ta apeloj. Edhe pse ai monstra pranoi se çfarë bëri dhe shprehu pendim për të kërkuar keqardhje, mua nuk m’u duk kështu. Thellë-thëllë, ai njeri nuk është penduar për atë që bëri, që i mori jetën nënës së dy fëmijëve. Por shprehu pendesë vetëm për t’i mbushur mendjen gjykatës që të merrte uljen e dënimit”, tha 49-vjeçari. Po ashtu, ai deklaroi se ndonëse Ruko ka kërkuar që dy fëmijët të shkojnë në jetimore, do të bëjë çmos që ata të rriten pranë familjes së tij. “Unë fitova kujdestarinë e fëmijëve. Ai monstër kërkoi që fëmijët që shkojnë në jetimore.
Ky është një tjetër krim që ai bën. Si mundet që një baba të kërkojë që fëmijët të shkojnë në jetimore?! Unë do të bëj çmos që fëmijët e motrës sime të ndjerë të rriten në shtëpinë time. Unë kam përgjegjësi për ta”, theksoi Zhezha. Ndërkaq, ai tregoi se pak muaj më parë i ka shkruar edhe dy letra kryeministrit Edi Rama, ku i kërkonte që të zhvillohej një gjyq i drejtë. “Unë i kam shkruar dy letra kryeministrit Rama që të bëhej një gjyq i drejtë dhe krimineli të merrte dënimin maksimal. Letrat i kam bërë në muajin shkurt dhe në maj të këtij vitit dhe nuk mora asnjë përgjigje.
Këtë të martë unë kërkova që të takohesha edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Metën por më thanë se fillimisht duhej t’i bëja një letër që ta takoja. Unë do të kontaktoj me të, sepse nuk mund të lejoj që vrasësi i motrës sime të dënohet me një dënim qesharak. Pas vrasjes, ish-ministri Ylli Manjani tha se duhet të bëhet një gjykim shembullor dhe të jepej një dënim maksimal. Sot (dje) ishte seanca e 7 që unë shkoj në Tiranë, 4 seanca janë shtyrë dhe 3 seanca janë zhvilluar jo më shumë se 20 minuta. Kjo gjë është bërë si ‘hajde ta bëjmë sa për të thënë’. Ata janë tallur me fatkeqësinë tonë. Është një krim makabër. Të mbyllësh fëmijët në dhomë, të zhveshësh një grua e ta vrasësh duke e hedhur nga dritarja e më pas të thuash ‘nuk doja ta bëja’ e të dënohesh me 35 vite burg është vrasje e dytë. Unë një gjë nuk kuptoj nga këto gjykatat tona apo nga kjo drejtësi në vendin tonë. Dua të pyes gjykatës e prokurorë: Çfarë duhet të bëjë një kriminel që të dënohet me burgim të përjetshëm?”, përfundoi vëllai i Liljanës.
a.ç