Rreth nëntë muaj pas shpalljes fajtore të Anjeza Shabanit për “keqtrajtim të të miturve”, në kopshtin privat të administruar prej saj, Gjykata e Tiranës dënon një tjetër edukatore të atij institucioni.
Ish-edukatorja e kopshtit “Diren”, Elona Turdiu, u shpall e fajshme për të njëjtën akuzë, të konsumuar në dëm të tre fëmijëve të mitur. Sipas vendimit të shpallur më 18 korrik 2017, e pandehura u dënua me 6 muaj burg.
E pandehura Turdiu është gjykuar pa masë sigurie, në gjendje të lirë. Procedimi penal ndaj saj nisi pas publikimit në programin “Stop” të pamjeve filmike që denonconin dhunën ndaj të miturve në kopshtin privat në fjalë.
Përmes avokatit të saj mbrojtës, e pandehura mbajti qëndrim mohues në lidhje me akuzën dhe kërkoi pafajësi.
HISTORIA
Referuar vendimit të gjykatës, e pandehura Turdiu ka ushtruar profesionin e edukatores në kopshtin privat deri në muajin mars të vitit 2016.
Sipas Gjykatës, në shtator të vitit 2015, në këtë kopsht është regjistruar fëmija me iniciale R. A. dhe e pandehura ka qenë edukatorja e tij. Rreth muajit janar të vitit 2016, prindërit e tij kanë konstatuar në një rast se djali i tyre kishte shenja dhune në trup, në shpinë dhe kofshë.
Dëmtimet mund të ishin shkaktuar nga pickimet, goditjet me shpulla, apo kapjet me duar. Pas kësaj ata kanë shkuar në kopshtin privat, ku kanë marrë kontakt me administratoren, si edhe të pandehurën Turdiu, të cilët i kanë pyetur në lidhje me shenjat e dhunës të konstatuara në trupin e fëmijës së tyre të mitur.
Ato kanë mohuar faktin e ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës së mitur, duke pretenduar se shenjat në trupin e tij mund të ishin të vrara kur ai kishte luajtur me lodra./panorama/b.d