Besko, një reper me origjinë kosovare, është bërë yll negativ i mediave zvicerane për shkak se, përkundër të gjitha përpjekjeve, institucionet nuk arritën ta kthejnë në jetën normale. Historia e Beskos është tejet neveritëse dhe dëmshkaktuese për imazhin e komunitetit shqiptar.
Nga Enver Robelli
Në jetën e përditshme ai quhet Besian Kaçorraj, si artist njihet me nofkën Besko. Ai është 35-vjeçar dhe javën që shkoi një gjykatë në Uster afër Zürichut e ka dënuar me 4 vjet e tre muaj burg dhe 10 vjet ndalimhyrje në Zvicër. Karriera e Beskos përmban shumë njolla. Delikte, përleshje, kërcënime dhe marrëzi të tjera, të cilat nuk mund të arsyetohen me mendjelehtësinë rinore. Besko është rritur në Zvicër, një vend për të cilin nuk mund të thuhet se është i pazhvilluar dhe i prapambetur. Përkundrazi: kush e ka fatin të jetojë në Zvicër, nuk ka arsye të ankohet shumë.
Për të rrëfyer karrierën e Beskos duhet të shikojmë së pari diku më larg, në fillim të viteve 2000. Besko nuk ka ndonjë interes të nxë ndonjë profesion, më shumë i pëlqen jeta përtej vijës së kuqe të ligjit, herë huligan, herë rrahës, herë kumarxhi. Kush vërtitet në këtë botë, herët apo vonë rrëshqet në kriminalitet dhe ballafaqohet me ligjin. Në vitin 2009 Besko u dënua me 5 vjet e gjysmë burg për shkak të një sulmi me qëllim të plaçkitjes (Besko ishte i armatosur). Ky nuk ishte mëkati i tij i vetëm: ai ishte fajtor edhe për delikte të tjera si shtrëngim, lëndim trupor, prishje të rendit shtëpiak.
Në jetë secili e meriton një shans të dytë, sidomos në Zvicër, ku ekziston një industri e vërtetë e punëtorëve socialë, mentorëve të të rinjve, edukatorëve, psikologëve e ekspertëve të fushave të tjera. Të gjithë këta u mobilizuan që Besko të kthehet në jetën normale. Në një qendër për edukimin e të rinjve Besko mësoi si përgatitet ushqimi, tani ai ishte njëfarë gjysmëkuzhinieri, i cili pas vuajtjes së dënimit do të gjente me siguri një vend pune në Zürich.
Por Besko kishte një talent tjetër: muzikën rep. Apo llafazanërinë e shoqëruar me ritme. Kështu ai depërtoi në jetën e natës të Zürichut, në klubin e njohur Mascotte Besko “këndoi” para publikut, ku gjendeshin edhe lojtarë të klubit të futbollit FC Zürich. Besko ishte përkrahës i klubit, bile më shumë se përkrahës: për FC Zürich ai ishte i gatshëm të linte kokën, si shumë huliganë në Zürich. Sepse FC Zürich është klubi i “klasës punëtore”, i shtresës “pa privilegje”, siç kanë qejf ta shohin veten adhuruesit e klubit, për të cilin kanë luajtur Blerim Xhemaili e Berat Xhimshiti, ndërsa tani luajnë: Mirlind Kryeziu, Hekuran Kryeziu, Toni Domgjoni, Benjamin Kololli, Lavdim Zumberi.
Më 2014 Besko përfundoi vuajtjen e dënimit. Nisi të mbajë referate se si ia ka dalë që nga “djali i keq” të bëhet “djalë i mirë”. Në intervista tregonte për jetën e tij, një jetë në rrethana të vështira familjare. Mediat tregonin interesim të madh për të. Por një i huaj që kryen plaçkitje me armë në Zvicër, nuk shpëton lehtë. Pas vuajtjes së dënimit drejtoria e policisë së Zürichut nisi përgatitjet për dëbimin e Beskos në Kosovë. Kështu thotë ligji zviceran. Opinioni u mobilizua, reperët më të njohur të Zvicrës i kushtuan një spot solidariteti (aty paraqitet edhe Besko, i cili thotë: “Përshëndetje të gjithëve, unë jam fajtor”), avokatët u ankuan, madje për Beskon u angazhua edhe deputeti Lukas Reimann nga partia SVP, e cila nuk i ka fare në qejf shqiptarët. Pak a shumë të gjithë përkrahësit e Beskos shtronin pyetjen: sa ia vlen që Zvicra të investojë aq shumë për risocializimin e një të riu delikuent dhe në fund, pas vuajtjes së dënimit, ai dëbohet në Kosovë? Një pyetje e drejtë.
Beteja për të penguar dëbimin e Beskos përfundoi më 2016, në vjeshtë të atij viti ai u përzu në Kosovë, me ndalimhyrje në Zvicër për 5 vjet. Ndërkohë Besko ishte bërë baba i një djali, e ëma e fëmijës kishte vdekur. Mediat zvicerane nuk e humbën interesimin për Beskon e dëbuar. Në Prishtinë ai filloi të punojë në një “Callcenter”, rroga: 500 euro. Këto dhe detaje të tjera mund të lexoje në gazetat zvicerane.
Autoritetet e Zürichut në rastin e Beskos bën një lëshim solidar: i lejuan atij që njëherë në vit të vijë nga Prishtina në Zürich për të vizituar të birin e tij. I parehatshëm si përherë (ndonjë dashakeqës madje sjelljen e tij mund ta quajë idiotizëm) Besko, pas dëbimit, u kthye ilegalisht në Zvicër me pasaportën e një shoku. Më 19 shkurt 2019 (ndërsa po qëndronte legalisht në Zvicër) reperi kosovaro-zviceran mori një pistoletë lodër dhe hyri në një filial poste në Dübendorf afër Zürichut. Punëtoret e frikësuara të postës ia dorëzuan 4000 franga. Grabitja ishte përgatitur në mënyrë diletante, policia e arrestoi Beskon po atë ditë afër vendit të ngjarjes.
Për këtë vepër Besko tani u dënua me 4 vjet e tre muaj burg dhe 10 vjet ndalimhyrje në Zvicër. Me rastin e shpalljes së dënimit kryetari i trupit gjykues tha: “Ju e keni keqpërdorur besimin e shumë njerëzve. Ju e keni shkelur me këmbë shtetin ligjor. Ju e keni keqpërdorur besimin”. Plaçkitja e postës në Dübendorf nuk ishte veprim spontan, por i përgatitur. Para plaçkitjes Besko kishte hulumtuar në Google se cilat mund të jenë pasojat për të nëse e plaçkit një postë me pistoletë plastike.
Në fund të procesit Besko u përpoq t’i zbusë zemrat e gjykatësve, por pa sukses. Ai tha se i vjen turp çfarë ka bërë, kërkoi falje për shqetësimin që ia kishte shkaktuar punëtorëve të postës, i kërkoi falje djalit të tij, sepse nuk kishte mundur të jetë i pranishëm në ditën e parë të hyrjes së tij në çerdhe. “Unë”, tha Besko, “jam rritur këtu, flas dialektin zviceran, ndihem zviceran. Ju lus të merrni një vendim të drejtë”. Për gjykatësit vendim i drejtë është dëbimi në Kosovë. Tani Besko e ka humbur edhe simpatinë e shumë njerëzve që e kanë përkrahur. Edhe në mesin e komunitetit shqiptar ekziston vetëm një ndjenjë: neveri ndaj veprimeve të një personi që i hedh në ajër aq shumë shanse që ia ofroi Zvicra. Po të kishte respektuar masat e autoriteteve zvicerane, ndalimhyrja e parë prej pesë vitesh do të kishte skaduar vitin tjetër dhe Besko do të ishte kthyer legalisht në Zvicër, ku ndoshta përmes një lidhjeje të re do të mund të merrte edhe një lejeqëndrim. Tani ai qëndron mbi rrënojat e jetës së tij. Së pari ai duhet të vuajë 51 muaj burg, pastaj do të dëbohet në Kosovë. Në Zvicër mund të kthehet pas 10 vitesh, diku nga mesi i viteve 30-të.
Si shumë reperë të tjerë edhe Besko me gjasë mendonte se është “cool” të jesh pak kriminel, sepse, në fund të fundit, kjo na qenkësh pjesë e biografisë së çdo artisti që flet shpejt dhe këtë e quan muzikë. Në Amerikë repi është zëri i të shtypurve. Në Amerikë ka geto. Në Zvicër nuk ka geto. Përkundër të gjitha problemeve, në Zvicër edhe një shqiptar i ka shumë rrugë të hapura për të përparuar. “Në klipet e reperëve lavdërohet çdo gjë që arsimtarët tërë kohën përpiqen t’ua shmangin fëmijëve: dhunën, fitimin e lehtë, seksizmin, hedonizmin e egër, egoizmin”, shkruan revista “Weltwoche” në numrin e fundit dhe si shembull të keq e përmend edhe reperen Loredana, e cila në një intervistë kishte thënë se “nuk ka fat të jetë gangstere e vërtetë”, ndërkohë që mediat zvicerane e akuzojnë se e ka përkrahur vëllain e saj për t’ia marrë paratë (me mashtrim) një plake zvicerane. Në botën e repit Loredana e di çfarë është. Ajo këndon: «Ich nehm dir all dein Cash weg», shqip domethënë: unë t’i marrë krejt paratë. Skenat e tilla shoqërohen me vetura të shtrenjta, zinxhirë të rëndë ari, rrobe markash të shtrenjta dhe kartëmonedha prej 100 frangave që bien si shiu.