Nga Edi Rama
E kam përjetuar me trishtim befasinë e lajmit se në 70- vjetorin e çlirimit të vendit tonë, Ministria e Mbrojtjes paska dekoruar, ndër të tjerë, torturuesin e dy shpirtrave të bukur të rezistencës antikomuniste shqiptare; Padër Zef Pllumin, kalorësin e besimit që i mbijetoi të gjithë rrathëve të ferrit ateist të Enver Hoxhës, e që do të mbetet përgjithjë edhe një pasuri e çmuar e jetës sime personale, sepse më dha privilegjin e madh të miqësisë së tij, qysh në ditët e para të tranzicionit të gjatë; Sami Rrepishtin, profesorin kryelartë të mërgatës shqiptare në Amerikë, që s’kam patur fatin ta njoh dhe ta falenderoj personalisht, për shembullin e tij frymëzues, për mua e shumë të tjerë, të përfshirë në lëvizjen universitare kundër regjimit komunist, po kam sot detyrimin t’i kërkoj të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të tij.
Në këtë kërkesë faljeje për të nderuarin Sami Rrepishti, është brenda ndjesa edhe për këdo tjetër që ka kaluar në duart e torturuesit famëkeq, përfshirë dhe të gjithë familjarët e të afërmit e tyre të lënduar me plot të drejtë nga ky lajm, shumë i befasishëm edhe për mua.
E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve, po edhe të gjithë të tjerëve që janë ndjerë keq nga një lajm i tillë, jo pse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Jo, kjo nuk ka ndodhur! Madje e vërteta është se në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as padashje (dhe do ta shpjegoj pse). Por, ndjesa është e detyrueshme sepse, edhe pse krejt padashje, edhe ne jemi bërë pjesë e një historie shumë të zymtë, ku ndër vite janë përfshirë lloj-lloj kokëtrashësh, hipokritësh e hileqarësh.
Kjo histori kaq e zymtë nuk ka nisur vjet, në 70- vjetorin e çlirimit, po shumë vite më parë. Torturuesi famëkeq i Padër Zefit dhe i Profesor Rrepishtit, nuk e ka marrë për herë të parë vjet, përmes medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes, shprehjen e mirënjohjes së Qeverisë Shqiptare si veteran i luftës. Ai dhe të tjerë sivëllezër e simotra të sojit të tij të torturuesve, pushkatuesve, internuesve, përvëluesve të zemrave e të familjeve të panumërta shqiptare, përfshirë edhe vetë Nexhmije Hoxhën, janë nderuar prej kohësh dhe që shumë kohë më parë, si veteranë të luftës.
E vërteta e hidhur është se Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë vendimin për dhënien e medaljeve, duke iu referuar të ashtuquajturës kategorisë I, jo duke qëmtuar emra të përveçëm. Kjo do të thotë se, kategoria I, është përcaktuar me ligj e vendime të veçanta kohë më parë dhe askush, asnjëherë, për arsye të panjohura për mua, nuk ka marrë mundimin të qëmtojë emrat e përveçëm të përfshirë në këtë kategori. Ose, më keq akoma, ka bërë të dy sytë qorr dhe në mënyrë hileqare, u ka hapur rrugë të tërë minjve të parakalojnë për plot 20 vjet nën mustaqen e shtetit.
Në vitin 1994, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i 25 vjetëve të fundit, po me siguri edhe njëri ndër akuzatorët dhe falsifikatorët më të mëdhenj në historinë politike të Shqipërisë, ishte President i Republikës kur dekretoi Ligjin Nr. 7874, (pak ditë para festës së çlirimit, bash me rastin e 50- vjetorit të çlirimit), për Statusin e Veteranit të LANÇ-it. Ai është ligji që sot e gjithë ditën përcakton bazën ligjore të statusit të veteranit të LANÇ-it. Disa muaj më vonë, në vitin 1995, qeveria e këtij përçudnuesi të paskrupullt të çdo norme e vlere të politikës e të kulturës demokratike, miratoi vendimin me nr.190, dt.3.5.1994, që rregullon administrativisht statusin e veteranit. E pra, zanafilla e faktit të trishtueshëm të medaljes për torturuesin famëkeq të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit, i përket bash asaj periudhe dhe qëndron pikërisht mbi atë bazë ligjore, të ndërtuar asokohe nga ky shpërdorues ekstremist, i çdo fakti e prove, që nuk i vjen për shtat politikës së tij të shpifur, dhe shpifës i paepur, i çdo monstruoziteti e paturpësie, që prej 25 vjetësh ua mvesh kundërshtarëve të tij, duke e kthyer mjedisin e debatit pluralist në një gropë septike ku kush më shumë e kush më pak, jemi ndotur që të gjithë.
Ky skandaloz, që është fatkeqësia që na shoqëron si një mallkim i Partisë së Punës dhe po ashtu, turpi ynë shoqëror që e kemi pasur majë më majë e shteg më shteg prej 25 vjetësh, nuk ka lënë të vdekur pa trazuar e të gjallë pa përbaltur 25 vjet me radhë, po jo vetëm as dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit nuk i hapi (përkundrazi asgjësoi e dëmtoi sa mundi me mashat e tij në SHIK-un famëkeq), e as të përndjekurve politikë nuk ua bëri kurrë respektin e pendesës shtetërore, po veç i lau e leu me lotët e krokodilit të dalë nga pishina e vilës së Enver Hoxhës, por u ka siguruar statusin më të lartë të veteranit dhe u ka paguar që prej 20 vjetësh pension ekstra çdo muaj, jo vetëm torturuesit të Padër Zefit për të cilin na akuzon ne me ulërima, po edhe Nexhmije Hoxhës, Aranit Çelës e disa të tjerëve të këtij soji, të cilët i ka fshehur skuthërisht mes rreshtave të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare.
Saktësisht në vitin 1996, (me vendimin nr. 34, datë 6.5.1996), i ka dhënë statusin e veteranit të LANÇ-it pikërisht atij që sot e hedh në oborrin tonë si “ish-xhelat të Padër Zef Pllumit”, njësoj siç bënin tinzarët e sojit të tij që fusnin armët nëpër kisha për t’i përdorur si prova të inkriminimit të klerit katolik.
Medalja që ky zanatçi i sherrit e i rrëmujës përdor për sot si provë, për të na kriminalizuar ne dhe joshur të verbërit që i shkojnë pas me gurë e me hekurishte nëpër duar, është dhënë në zbatim të ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994, dekretuar nga po ky vetë si President i Republikës së Shqipërisë. Eshtë kapur pas medaljes si i marri pas hijes së vet dhe ulërin e bërtet për medaljen e një torturuesi, të cilit prej njëzet vjetësh, taksapaguesit shqiptarë i paguajnë pension ekstra si rezultat i firmës së Sali Berishës dhe në zbatim të akteve ligjore e nënligjore, të miratuara nga ai vetë e nga qeveria tij.
Për çfarë meritash ia dha atëherë statusin e lartë të veteranit të Atdheut, torturuesit të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit apo edhe të tjerëve si ai, dhe pse u desh të plakej ky marifetçi pa din e iman, që të na i zbulonte pas 20 vjetësh krimet e pasluftës së këtij veterani?
Si ka mundësi që kaq e kaq vite në pushtet e në mes të mexhelisit politik e mediatik, ku s’ka lënë mbrapshti pa bërë kundër historisë së Shqipërisë e të vetë LANÇ-it e s’ka lënë pështymë pa lëshuar kundër veteranëve të asaj lufte heroike, e ka lënë torturuesin të ushqehet me pension ekstra pa nxjerrë një llaf goje as për të, as për të tjerë që janë në listën e të dekoruarve të Ministrisë së Mbrojtjes, me bekimin e tij dhe nën kujdesin e tij të veçantë për njëzet vjet rresht?
Këto janë pyetje krejt retorike natyrisht, njësoj siç është retorike edhe pyetja pse xhanëm ky antikomunist i zjarrtë nuk i hapi kurrë dosjet e spiunëve të Sigurimit, duke e katandisur Shqipërinë të vetmin vend në krah të Rusisë, që mbajti kyçur 25 vjet haurin e persekutimeve e të torturave komuniste?
Thelbi logjik dhe aspekti ligjor flasin qartë, se medaljet e dhëna për 70- vjetorin nga Ministria Mbrojtjes, s’kanë asnjë lloj motivimi politik në emër “të etërve” dhe nuk janë asgjëkundi ndonjë formë rehabilitimi, për torturuesin në fjalë apo këdo tjetër, që njësoj si ai, nuk e ka merituar kurrësesi të jetë asnjë ditë, e jo më për njëzet vjet me radhë, në listën e nderimit të shtetit shqiptar për veteranët e LANÇ-it. Ministria e Mbrojtjes s’ka pasur asnjëherë dhe as këtë herë, as përgjegjësinë për përmbajtjen e asaj liste dhe as detyrimin ligjor për të gërmuar në të kaluarën e personave të përfshirë në kategorinë I të veteranëve të LANÇ-it. Ne kemi nisur me urgjencë punën për të propozuar ndryshimet përkatëse të ligjit që ka hartuar dhe firmosur kryeakuzatori kryefalsifikator i Shqipërisë, në mënyrë që qorrsokaku njëzet vjeçar, ku na futi edhe ne së fundmi ligji ekzistues të shembet njëherë e mirë.
Kjo është një histori tipike e kriminalizimit të kundërshtarit me mjetet e botës së errët të gënjeshtrave, shpifjeve, fabrikimeve, që kryefajtori për shumë e shumë gjëma e bëma në 25 vitet e fundit të këtij vendi, i eksportoi nga organizata bazë e PPSH-së, në Partinë Demokratike, në Kuvendin e Shqipërisë, në Presidencën e Republikës, në Këshillin e Ministrave e kudo ku shkeli dhe i dha gojës në sytë e shqiptarëve.