Nga Ardit Rada
Është rasti i parë në histori që një Princ ta punësojnë si këshilltar të Sigurisë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës. Kjo ka ndodhur me ‘viktimën’ më të fundit të shfaqur në media, kur këshillonte Bujar Nishanin sesi ta ruante shtetin nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Një pretendent me mend i fronit mbretëror do ta kishte çuar Republikën në grusht shteti. Se fundja për çfarë rron një Princ në tentativë? Aq më tepër ky i yni që kishte eksperiencë nga gjyshi në tradhti dhe nga i ati në trafikun e armëve dhe grushtet e shtetit.
Por thonë se Shqipërinë e shpëton gjithmonë rastësia dhe shyqyr që Princi kishte nevojë për një rrogë dhe jo për mend e aq më pak për fron.
Po pse vetëm kaq? Princin tonë e kanë përkëdhelur shumë kush të mundte. Nga zyra e Presidentit e çuan dhe në Ministri të Jashtme derisa e kaluan padashur nga një personazh prej të cilit pritej ndonjë politikë ndryshe, në një emër të showbiz-it. I mbetur jetim herët, siç tha një zëdhënës i tij, atij iu la në dorë çdo pasuri e diskutueshme. E nisën familjarisht me një vilë me qera pranë Kryeministrisë, atje ku më pas u bë ambasada spanjolle, e na dolën pronarë të Pallatit të Pionerëve e sa e sa hektarë toke nëpër Shqipëri. Gjithë ky nxitim në heshtje i politikës për t’i dhënë Zogëve ça të mbanin mend nga prilli 1939, kur çanë ferrën për t’u kthyer 60 e kusur vite më pas. Gjithë kjo përkëdhelje për t’i dhënë edhe fushën pas Pallatit të Pionerëve ku së fundmi do të hapë dyert qendra më e fundit tregtare dhe ku sigurisht Princi do të marrë hisen.
Nuk do ta harroj ditën që zbritën në Rinas për herë të dytë, teksa Monika Kryemadhi i priste Zogajt me një tufë lulesh. Bashkë me të edhe një gazetar i njohur që thotë se është Toptan nga nëna, ashtu si stërgjyshja e Lekës së Dytë. Nuk dihet çfarë largpamësie paskan patur Toptanët që zunë tokat në qendër të Tiranës që kur Tirana nuk kishte qendër, por shpejtësia marramendëse për t’i shtënë në dorë me letra këto prona ka qenë e habitshme. Ndërkohë që treçereku i pronarëve nuk marrin dot tokat dhjetëra kilometra larg Tirane, ku s‘mbijnë as ferrat e as hisllat. Dhe e dini kush është e bukura, për ata që kuptojnë nga pronat? Ata merrnin truall, kur këta mjeranët s’marrin dot arë. Po nejse, kjo është histori tjetër…
I ati i Princit lindi në 5 prill 1939 dhe iku nga Shqipëria kur ishte vetëm dy ditësh, mirëpo kukuvajkat e politikës dhe medias i qajnë hallin gjyshes. Një hungareze thonë disa, që la vendin e saj për baltën e Shqipërisë, a thua se e kishin emëruar me punë naftëtare në Kuçovë apo minatore në Rubik. Kur shqiptarët vdisnin për një aspirinë, gjyshja e princit dëshmitar në dasmë kishte dhëndrin e Duçes dhe shijonte “Benz”-in që i kish sjellë Hitleri dhuratë. Fundja pastaj, kush i dytë në Romë s’do donte të bëhej i parë në fshat?
Ja, këto arsyetime e stisën gjithë prestigjin e familjes së Lekës qyshse vuri këmbën në Shqipëri për herë të dytë. Se të parën e zbuan kur i ati doli me kobure në brez dhe u vranë nja dy qytetarë në mes të Tiranës, të harruar si çdo i vrarë në atë vit të zi. Mirëpo dhe të dytën herë kur erdhën Zogët, iu gjetën një arsenal armësh në avion që e justifikuan se i kishin dhurata e koleksione. Ky ishte i pari rast në rruzull që koleksionohej apo iu dhuronin bomba, mitralozë e antitanke krerët e shteteve të ndryshme.
E gjithësesi e lanë arsenalin dhe i priste ajo që përmenda pak me lart, gruaja e kryeministrit të majtë të kohës, me buqetën e luleve më të madhe seç ia çoi në 2016 në dasmë Lekës së Dytë.
Çështja e diplomës së Princit, për ata që habiten sot, ka dalë këtu e mbi 10 vite më parë në një emision investigativ. “Fiks Fare” në mos gaboj. Iu drejtuan asaj akademisë britanike ushtarake që thotë ai se ka mbaruar dhe ata u përgjigjën se nuk e njohin fare. As ka qenë atje dhe as ata s’ia kanë dëgjuar emrin. Mirëpo në Shqipëri lajmit iu përgjigj Republika me një kundërlajm. I ngritën gjyshit të princit monument në qendër të Tiranës me parimin “Le të plasë armiku”. Kjo republikë absurde që e nis qendrën e Tiranës me persekutorin dhe vijon me monumentin e Hasan Prishtinës, Fan Nolit, bustin e Avni Rustemit dhe rrugen “Luigj Gurakuqi”, bulevardet “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”. Të gjithë viktima në zbim e vrasje të Ahmet Zogut, të gjithë qëndrojnë në të njëjtin asfalt me të.
E majta shqiptare pastaj që është në garë gjithmonë me të djathtën se kush është më fashiste, i ngriti princit edhe shtatoren e gjyshes në kryeqytet, Geraldinës që ishe rropatur në baltë. I bënë dhe celebrimin të majtët, me shirit të republikës hedhur krahqafë, në Pallatin e Brigadave. Sepse as Princi as politika s’e dinte që ai pallat u nis për gjyshin e princit që s’e gëzoi sepse nuk i veshi opingat siç premtoi, kur erdhi “investitori strategjik” i kohës: Italia! Dhe ai pallat e mori atë emër prej atyre që derdhnin gjakun kur gjyshi i princit derdhte shampanjë në Angli.
Princi zgjodhi vetë për grua një aktore e këngëtare simpatike, vajzën e “Lilo labes”… Bijë e një familje që i ka dhënë shumë shoqërisë ndërkohë që familja e Princit veç i kishte marrë. Madje na la dhe batall kur na duhej. Dhe përveçse ikën vetë, lanë dhe topat e pushkët pa shulë. Mirëpo kjo martesë sot nga Princi kundërshtohet përmes atij në gjykatë dhe zëdhënësve të tij në media. Fjala bie, një ish-kryetar i Partisë së Legalitetit në demokraci thotë se Princit i punon mendja me shpejtësinë që gjyshi i tij u arratis. Jo tamam kështu, por më keq: “Ai ka një mentalitet shumë më të avancuar sesa ne, prandaj mori Elian për grua dhe jo ndonjë të huaj si gjyshi” – tha Ekrem Spahia mbrëmë duke na e paraqitur njëkohësisht si fatkeq dhe si alien.
Ndoshta edhe është shumë i avancuar, se s’ka bërë vaki edhe të jesh i zhytur gjer në fyt, edhe të filmosh veten teksa të akuzojnë për gjërat më të zakonshme që mund të bëjë një parazit: Futja shtetit me diploma, futja gruas me dashnore, futja shoqërisë me prona…
Kjo është historia e monarkut tonë në tentativë, që me sa duket do të jetë edhe i fundit.
“Vetëm fjalët kanë rëndësi, të tjerat janë llafe” – ka thënë rumuni Eugen Jonesku!
Them se i ke thënë me rrezerva. Se ka edhe më shum-më të errëta pa u zbuluar. Të përshëndes or mik trimi.
Nje gazeta I vertete dhe Atdhetar! Respect per te tille njerez.