“Në 20 vite punë si polic, nuk kam parë kurrë një çështje si kjo në jetën time,” na tha më 25 nëntor një oficer policie i habitur, kur filluam punën me historinë e Adnan Sadikit.
Ai u akuzua në vitin 2006 me përpjekje për përdhunim në Horsens, Danimarkë dhe po shlyente dënimin me burg atje nga viti 2006 në 2008 kur u deportua në Maqedoni në janar të vitit 2009.
Autoritetet daneze më pas e akuzuan sërish për një tjetër akt sepse pasi u deportua, duke përdorur një test ADN-je, autoritetet daneze besonin se kishte kryer një tjetër përpjekje për përdhunim gjë për të cilën ai u dënua me një vit e nëntë muaj shtesë.
Meqë ai atëherë ishte bërë i pagjindshëm nga autoritetet, Interpol filloi kërkimin për të. Përveç fotos, ditëlindjes dhe vendit të origjinës, nuk kishte informacion tjetër mbi mandat-arrestin e tij.
E vetmja gjë që dinim për Sadikin kur filluam të punonim për historinë e tij, bashkë me TV Nordisk Film, ishte fakti që kishte lindur më 20 prill 1966 në Tetovë dhe se ai kërkohej vazhdimisht nga Interpol.
Investigimi dy-mujor nga BIRN, që na çoi në shumë labirinte institucionale, na tregoi se ai e kishte ndryshuar identitetin në Arijan Aliu.
Më pas gjetëm një anëtar familjeje që na dha lajmin shokues se Sadiki, i njohur si Aliu, kishte vdekur në Shkup në janar 2014.
I afërmi i tij na tregoi madje varrin, por kishte një emër të tretë të shkruar në të, atë të Atnan Aliut.
Një tjetër fakt interesant rreth këtij personi është se ai ende figuron i listuar në sistemin e të dhënave të ministrisë së brendshme si gjallë, ndonëse familjari i tij ka pretenduar se ka pasur certifikatën e vdekjes.
Kjo çështje ngre pyetje rreth eficecës së sistemit maqedonas për regjistrimin e qytetarëve, veçanërisht kur vendi po përballet me zgjedhje dhe kur një nga kërkesat kryesore është pastrimi i listës së votuesve.
BIRN gjeti prova se një person i kërkuar nga Interpol dhe që ka vdekur dy vite më parë, është zyrtarisht ende gjallë dhe ka të drejtën për të votuar.
Më 24 nëntor 2015, BIRN raportoi rastin në polici dhe kërkoi që të këshillohet rreth epilogut.
Kërkimi për një fantazmë:
Në nëntor 2015, ministria e brendshme u përgjigj se nuk mund të na japë informacion për Adnan Sadikin, sepse ligji mbron informacionin personal.
Kjo është arsyeja përse ne u përpoqëm të arrinim te burimet jozyrtare për të zbuluar si dhe përse ai rezulton ende gjallë në sistemin e ministrisë.
Burimet tona zbuluan diçka më befasuese; asnjë person me emrin Adnan Sadiki nuk ekzistonte në regjistrin e shtetasve.
Emri i tij ekzistonte në raportin e provave të krimit në ministrinë e brendshme si një i kërkuar nga Interpoli për tentativë përdhunimi.
“Ky ose është një gabim në sistem, gjë që dyshoj, ose dikush po përpiqet ta fshehë këtë person,” ishte reagimi i parë i burimit tonë në polici kur pa rezultatet e kërkimit – që Adnan Sadiki ekzistonte në raportin e provave të krijimit por pa një numër identiteti, adresë apo emër prindërish.
“Duket se po përpiqemi të zbulojmë një fantazmë,” tha oficeri i policisë.
Të vetmet të dhëna në raportin e ministrisë tregonin se Sadiki lindi më 20 prill 1966 në Tetovë, në perëndim të Maqedonisë.
Sipas ligjit, nuk mund të akuzohesh pa më shumë informacion të përfshirë në sistem, dmth pa numrin ID, adresën dhe emrat e prindërve.
Adresa jo-ekzistuese:
Informacioni konfuz në sistem të ministrisë së brendshme ishte i mjaftueshëm për ta nxitur policinë të kërkojë më shumë.
Kështu doli në dritë një tjetër informacion interesant. Në vitin 2009, pasi Sadiki u deportua nga Danimarka në Maqedoni, ai e ndryshoi emrin nga Adnan Sadiki në Arijan Aliu.
Data e tij e lindjes mbeti e njëjtë, por vendlindja është tani e ndryshme. Në vend të Tetovës, Shkupi u shkrua si qytet i lindjes, me një adresë në komunën Chento.
Ne u përpoqëm të lokalizonim adresën duke përdorur një taksi të pajisur me GPS, por ajo nuk ekzistonte. Shoferi nuk e gjeti as me udhëzime nga kompania. “Kjo rrugë nuk ekziston”, arriti në përfundim ai.
Pas përpjekjes sonë të dështuar për të gjetur adresën shkuam në ministrinë e brendshme dhe atë të drejtësisë për përgjigje.
Policia tha se ishte e pamundur që Sadiki të ndryshonte emrin dhe mbiemrin ligjërisht, pasi sistemi do ta kishte regjistruar ndryshimin e identitetit.
Ne e pyetëm ministrinë e drejtësisë nëse Sadiki e kishte ndryshuar identitetin e tij në mënyrë të ligjshme dhe cili oficer e mbikëqyri ndryshimin, por nuk morëm përgjgje deri para një muaji.
Sipas burimit tonë në këtë ministri, Sadiki, i njohur si Aliu, u kap në kufirin maqedonas në vitin 2009 sepse kishte të njëjtin numër ID dhe pasaporte dhe sepse kur oficerët kontrolluan në sistem, një shenjë me kod “arrest” u shfaq nga Interpoli.
Nuk pati shpjegim përse ai nuk u arrestua në atë çast.
“Xhaxhai im vdiq vitin e shkuar”
Pasi kuptuam se po kërkonim për dikë që edhe policia nuk mund ta gjurmonte, duke përdorur rrjetet sociale, BIRN u lidh me nipin e Sadikit.
Ai menjëherë ra dakord për t’u takua në një qendër tregtare në Shkup.
Kur e pyetëm ku ishte xhaxhai i tij, Adnan Sadiki, ai tha: “Xhaxhai im vdiq vitin e shkuar, përse ju duhet?”
Nipi i Sadikit tha se ai e dinte që xhaxhai i tij kishte qenë në burg në Danimarkë dhe kishte ndryshuar identitetin në Maqedoni më pas, por ai pretendon se nuk e di përse po e kërkonte Interpoli.
“Ai kishte kancer dhe vdiq në janar 2014. Ai u deportua nga Danimarka dhe ndryshoi identitet që t’i shihte sërish fëmijët e tij,” tha ai, duke shtuar se vdiq në Maqedoni.
“Kam të gjithë dokumentet nga spitali ku ai u mjekua dhe certifikatën e vdekjes,” tha ai.
“Një nga djemtë e tij shkoi në funeral në vitin 2014 sepse ndërkohë kishte banim ligjor në Danimarkë,” shtoi ai.
Më vonë, ne shkuam me nipin e Sadikit për të parë varrin. Ai nuk mund ta gjente në fillim. “Nuk kam qenë këtu për ca kohë,” tha ai.
Por pas një gjysmë ore ai na tregoi varrin ku dita e lindjes ishte e njëjtë me atë të Sadikit.
Megjithatë një emër i tretë ishte në varr, as Adnan Sadiki, apo Arijan Aliu, por Atnan Aliu.
Nipi na tha se Sadiki kishte lindur në Shkup, jo në Tetovë siç pretendonte rekordi kriminal.
Pastaj ai u zhvendos në Kosovë, u martua dhe jetoi në Gjilan, ku lindën dy djemtë e tij.
Policia na tha se asnjë person me emrin Atnan Aliu, siç shkruhej në varr, nuk ekzistonte në regjistrat zyrtarë apo kriminalë.
Nga ana tjetër, Arijan Aliu listohej ende në regjistra si gjallë dhe me të drejtën për të votuar.
Policia na tha se do të fillonte një hetim për çështjen sa më shpejt dhe na premtoi të na vinte në dijeni për epilogun.
Ne e raportuam çështjen më 24 dhjetor 2015 dhe nuk kemi marrë ende përgjigje.
Birn