Kujtim Xhaja
Ai quhet Klodjan Stafa, është i riu italo-shqiptar, i cili është bërë pjesë e një prej kompanive më të mëdha dhe lider të bukurisë në botë.
I rritur mes Latina-s, Trentos dhe Shqipërisë ai na dëften se si është të jesh një shkencëtar në kryeqytetin e botës, New York.
Shqiptarët, në këtë periudhë i gjen të gjithë të turren drejt aplikimeve për Lotarinë Amerikane. Të gjithë vërshojnë drejt ëndrrës së madhe amerikane, por shumë pak e dinë anën tjetër të saj.
Me Klodianin jam mik prej vitesh në rrjetet sociale, ai nuk u kursye t’iu përgjigjej pyetjeve të mia kurreshtare në intervistën e mëposhtme:
1-Klodjan, ju tashmë jeni pjesë e një prej kompanive më të mëdha në botë të bukurisë. Sa e vështirë ishte për ju të ishit pjesë e saj?
Për të qene i sinqertë, në Estee Lauder përfundova pak rastësisht. Direkt, pas doktoraturës në Universitetin e San Diegos, Kaliforni u transferova në New York dhe isha në kërkim të një pune në industri. Isha mes Bostonit dhe New York-ut, ky i fundit si terreni ideal për start-up-et inovativë. Monitoroja vazhdimisht lajmërimet për punë në LinkedIn dhe në faqet zyrtare të firmave farmaceutike si Pfizer, Novartis, Roche, Vertex Pharmaceuticals etc. Kisha nevojë për një ndryshim në karrierën time profesionale. Dëshiroja të zbuloja terrene të reja dhe të shihja impaktin direkt në aplikimin e një produkti të ri. Gjeta një lajmërim për punë në Linkedin si senior scientist në departamentin e kërkimit dhe zhvillimit në kompaninë Estee Lauder. Menjëherë mora një telefonatë nga menaxherja e burimeve njerëzore, e cila më ftoi për një intervistë me skuadrën R&D (research & development).Prezantova projektet e mia të kërkimit një javë më vonë edhe më propozuan një vend pune më pas. Me shumë kurajo edhe emocion u përfshiva në këtë projekt të ri pune, që me thënë të vërtetën më apasionoi edhe më shumë dhe kurioziteti për të zbuluar gjëra të reja, kurrë nuk më është zbehur.
2-Si është të jesh një senior scientist në NY? Më flisni pak për rutinën tuaj të përditshme.
Jeta si një kërkues është shumë e ngarkuar. Sigurisht, ndryshon shumë nga jeta akademike, me të cilën je mësuar që në universitet, por në fund të fundit, pasioni edhe gëzimi në zbulimin e gjërave të reja dhe tik-tok-u i cili troket gjithmonë për të përfunduar projektet të bëjnë pak nervoz, por më pas mësohesh me ritmet e lodhshme të New York-ut. Ditët e mia të punës nuk bëhen kurrë monotone. E filloj punën në orën tetë të mëngjesit për të përfunduar në gjashtë të pasdites. Nëse kam ndonjë takim-pune në Manhatan, përfundoj pak më herët, po kjo gjithmonë varet nga lloji i takimit.Merrem me projekte të ndryshme dhe ndjek 2-3 shkencëtar të rinj, të cilët raportojnë tek unë dhe merrem me formimin e tyre shkencor. Unë punoj midis kërkimit thelbësor, mbi inovacionin e koorporatës dhe dhe zhvillimit të produktit. E bukura është që punoj në kompaninë më të madhe, lider në bukuri, por tipi i punës që bëj i ngjan atij të një inkubatori të ideve dhe projekteve shumë ekzaltuese.
3-Ne, shkencëtarët, apo të gjithë që punojnë në atë fushë i imagjinojmë si persona të mbyllur, gati-gati asocial, të cilët “izolohen” në laborator për orë të tëra dhe kërkojnë. Sa e vërtetë është kjo? Apo është thjesht një perceptim i gabuar?
Të punosh në kërkim edhe zhvillim kërkon shumë dedikim dhe orar të zgjatur. Nuk ka projekte të thjeshta, por perceptimi që ne kemi për shkencëtarin e izoluar lidhet pak me figurën e akademikut të vetmuar, i cili në mungesë të burimeve dhe suportit njerëzor i duhet t’i bëjë të gjitha: nga A-ja tek ZH-ja. Kjo strategji mund të funksionojë nëpër laboratore, por në industritë komerciale një shkencëtari zhvillues i duhet të bashkëpunoj me shpirtin e punës së kompanisë. Bashkëpunimi dhe puna në grup nuk janë vetëm disa atribute të mira për të pasur në CV, por thelbësore për të përmirësuar arritjen e projekteve dhe përparimin e kompanisë.
3-Më flisni pak për rrënjet tuaja, ju jeni rritur në një familje italo-shqiptare. Sa të lidhur jeni me familjen tuaj? I vizitoni prindërit shpesh, e keni te vështirë të flisni dhe të kuptoheni shqip? Në Shqipëri keni ardhur? Keni kuriozitet ta vizitoni?
Jam shumë krenar që jam Italo-shqiptar, mendoj se kam trashëguar cilësitë më të mira dhe origjinale të dy kulturave nga të dy prindërit e mi. Im atë e ka origjinën nga Shqipëria e mesme dhe shqipja e tij, aq e pastër, e pasur dhe shumë e rafinuar më ka mahnitur që në vogëli. Ai më ka tejçuar dashurinë për vendin e tij. Një vend, të cilin e njoh pak, por shpresoj që një ditë të vizitoj gjithë ato cepa të fshehura dhe të bukura, krenarinë e popullit shqiptar. Jam rritur në një ambient dygjuhësh dhe ky fakt i ka shqetësuar prindërit, sepse i mësova fjalët e para më vonë se bashkëmoshatarët e mi. (qesh). Jam rritur midis Latina-s, Trento-s dhe Shqipërinë e kam vizituar vetëm dy herë kur isha trembëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë vjeç. Jam shumë i lidhur me familjen time, e kur jetoja në Evropë, shkoja dhe i shihja shpesh, të paktën një herë në muaj. Shpresoj që një ditë t’i kem pranë dhe t’i shoh sa herë të kem dëshirë. Një gjë, që e shoh shumë të bukur në të dyja kulturat, shqiptare edhe italiane është devotshmëria ndaj familjes dhe mikpritja.
4-Klodjan, ju keni studiuar në Itali, jetoni, punoni në NY, sa e vështirë është të bësh karrierë në vendin përtej oqeanit, në Amerikë?
Më kujtohet, kur studiova në universitetin e Bolonjës, të gjithë profesorët na përgatisnin për eksodin e mundshëm, sepse në mungesë të punës, duhet të planifikonim karrierën tonë jashtë vendit. Ishte një arratisje e vërtetë e trurit “brain drain”. Dëshira e madhe për afirmim në fushën shkencore, me kalimin e viteve më ka lënë një shije të keqe. Pyes veten se kur mund të jem pjesë e vendit tim dhe të jetoj sërish si një qytetar europian. Shtetet e Bashkuara të ofrojnë ëndrrën amerikane, nëse punon fort dhe i bën mirë llogaritë. Me një planifikim të qartë edhe pak fat arrin të plotësosh dëshirat e tua, por jetesa këtu në Amerikë nuk është e thjeshtë. Po bëhet përditë e më e vështirë. Ka shumë konkurrencë jo vetëm të brendshme, por edhe të jashtme. Ka shumë kandidatë të përgatitur nga të gjitha anët e botës.
5-Më tregoni ndonjë histori pikante, pak funny mbi punën tuaj…
Sic thashë edhe më parë, puna nuk është kurrë e mërzitshme dhe ka gjithmonë diçka të re për të mësuar. Njerëzit mendojnë se unë merrem me përgatitjen e parfumeve dhe të kuqëve të buzëve. Nuk e kuptojnë që është më shumë se kaq. Më kujtohet që kur zhvillova intervistën për punë, më pyetën se cfarë kontributi mund të sillja unë nga një fushë si neurologjia dhe unë iu thashë: “Mbase ju nuk e dini por lëkura edhe neuronet derivojnë nga e njëjta shtresë germinale, ndaj ka një lidhje të drejtpërdrejtë dhe unë mund të kuptoj mekanizmat dhe mund të studioj mënyrat e komunikimit të tyre për të nxjerrë të mira për konsumatorët tanë. Në fund të fundit, ne, shkencëtarët jemi mjaft të zotë të studiojmë natyrën dhe të tregojmë një histori, por mbi të gjitha, jemi akoma më të zotë të krijojmë ëndrra e t’i bëjmë të realizueshme për konsumatorët tanë.”
6-Kush është mesazhi juaj për të gjithë ata shqiptarë të talentuar, të cilet synojnë të realizojnë ëndrrën amerikane?
Këshilla numër një është që të gjithë ata të besojnë në veten e tyre dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, pa e nënvlerësuar vetveten. Gjëja më e bukur në këtë fushë, në kërkim, qëndron në faktin e thjeshtë, që puna jonë ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e të tjerëve. Të gjithë ata studentë, të cilët kërkojnë të bëjnë karrierë shkencore në Shtetet e Bashkuara, duhet të kërkojnë kontaktet për të zhvilluar projektet dhe për të shfaqur të gjithë aftësitë e tyre. Pjesa tjetër do të vijë vetë dhe pa e kuptuar do të jetosh ëndrrën e një jete të tërë, të ashtquajturën ëndërr amerikane. Gjërat në fillim nuk janë të thjeshta për askënd, por e rëndësishme është të bëhesh pjesë e procesit, hap pas hapi, të shfrytëzosh mundësinë që të vjen, ndonjëherë këto mundësi përkthehen në shansin, që prisje një jetë.