Nga Besnik Boletini
Ithtarët e krijimit të hipotezës së kombit kosovar mund të befasohen me këtë titull, por shikuar në aspektin objektiv, duke u bazuar në teoritë sociologjike – shkencore, mbi bazën e të cilave janë krijuar kombet deri më sot, nuk mund të gjendet asnjë qasje apo perspektivë që e mbështet hipotezën e tyre.
Ideja e krijimit të kombit kosovar është debatuar më theks të veçantë që nga paslufta. Shtruesit e kësaj ideje pretendojnë që me krijimin e shtetit të Kosovës, është krijuar edhe kobi kosovar, përkatësisht identiteti kombëtar kosovar. Kjo hipoteze ka zgjuar debat në shoqëri, ndërsa është intensifikuar javëve të fundit.
Qytetarët e Kosovës që i përkasin etnisë shqiptare, e ndjejnë vetën shqiptarë të Kosovës dhe se i takojnë kombit shqiptar. Ata identitetin shqiptar e konsiderojnë si identitet kombëtar, ndërsa identitetin kosovar si sub-identitet që është në kuadër të identitetit shqiptar, por jo i ndryshëm. Bazuar në zhvillimet politike dhe historike, kjo ndjenjë përforcohet me faktin se ata kanë kontribuar në krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe është vështirë të heqin dorë nga kjo. Por kjo mbetet në dorën e tyre.
Edhe serbet që jetojnë në Kosovë janë faktorë në këtë çështje, por ata nuk janë vendimtar. Serbët që jetojnë në Kosovë, de fakto janë pakicë kombëtare, i përkasin kombit serb dhe çka është me rëndësi në këtë diskurs, ata e kanë atë ndjenjë të përkatësisë. Por Kushtetuta e Kosovës duke tentuar që t’i privilegjojë sa më shumë, nuk i njeh ata si pakicë kombëtare, pra minoritet, por si komunitet. Në këtë drejtim hartuesit e Kushtetutës së Kosovës janë treguar të kujdesshëm, pasi që nuk ekziston askund fjala minoritet në Kushtetutë. E qëllimi i këtij përcaktimi ka qenë te hisja e serbëve në shtetin e pavarur të Kosovës.
Kjo do të thotë se serbët që jetojnë në Kosovë nuk e ndjejnë se i takojnë kombit kosovar, ndërkaq janë të barabartë si hisedarë me komunitetin shumicë shqiptar në shtetin e Kosovës. Por edhe po të ndjehen ata se i përkasin kombit kosovar kjo nuk e ndryshon shumë situatën. Shqiptarët si etni shumicë e kanë në dorë krijimin ose jo të kombit kosovar.
Deri më sot nuk ka pasur ndonjë referendum për këtë çështje (aktualisht nuk ka ligj për referendum), por disa sondazhe që janë bërë tregojnë se shqiptarët e Kosovës e ndjejnë vetën pjesë të kombit shqiptar.
Sipas një hulumtimi të KIPRED-it i publikuar në qershor të vitit 2016, shqiptar, pastaj kosovar ndjehen 44 %, kosovar pastaj shqiptar 32%, vetëm shqiptar 17 %, kurse vetëm kosovar 7 %. Pyetja e formuluar në këtë rast është paksa konfuze duke i përfshirë të gjitha këto kategori. Hipotetikisht nëse do të ishte pyetja direkte a i përkisni kombit kosovar apo shqiptar besoj se rezultati do të ishte më ndryshe. Tregues për këtë është fakti se 7 % e shqiptarëve të Kosovës janë ndjerë vetëm kosovar.
Problemi teorik sociologjik lind këtu. A mund të ekzistojë një komb nëse qytetarët e një etnie, apo të etnive të ndryshme që jetojnë në një shtet nuk e ndjejnë atë edhe si komb të tyre? Nuk ka asnjë qasje, asnjë definicion sociologjik, respektivisht shkencor që thotë se një grup i njerëzve të etnive të ndryshme, apo të një etnie shumicë janë komb edhe pavarësisht faktit se nuk ndjehen apo nuk duan të jenë pjesë e atij kombi. A është vullneti i qytetarëve të një shteti demokratik determinues për krijimin e kombit?
Prandaj për të ekzistuar kombi kosovar, duhet shpikur edhe një definicion i ri, i cili përveç karakteristikave tjera që njihen deri më sot, do të thoshte se “komb quajmë edhe grupin e qytetarëve që i takojnë një etnie apo etnive të ndryshme, por që të njëjtit nuk e kanë ndjenjën e përkatësisë se i takojnë atij kombi, por ndjehen se i takojnë një kombi tjetër”. Por një definicion i tillë do të ishte jologjik dhe lehtë i kontestuar.
Nëse dikush ndjehet se i përket kombit kosovar nuk mund t’ia imponojë askush që të mos ndihet ashtu. Nëse të tjerët nuk ndjehen se i përkasin kombit kosovar nuk mund t’ua imponojë askush të kundërtën. Më thjeshtë, nëse ata që e kundërshtojnë kombin kosovar janë më shumë për vetëm 1% se pjesa tjetër që janë pro, nuk ka komb kosovarë. Elitat politike dhe shoqërore nuk mund t’ua imponojnë popullatës përkatësinë kombëtare, për atë duhet të ketë konsensus kolektiv shoqëror të shumicës së qytetarëve të Kosovës.
Deri sa nuk ka referendum legjitim për këtë çështje, hipoteza e kombit kosovar mbetet pezull. Ajo mbetet vetëm propozim i disa individëve. Deri atëherë nuk ka komb kosovar. Nuk ka ndërrim të identitetit kombëtar. Nëse vazhdon dhe fuqizohet kjo tendencë edhe në të ardhmen, qytetarëve të Kosovës u mbetet të vendosin se çfarë identiteti kombëtar duan të kenë. Ata do të vendosin se a duan të kenë identitet kombëtar shqiptar, identitet kombëtar kosovar. Por mundet të dalë edhe ndonjë hipotezë apo propozim tjetër, p.sh ata mund të vendosin që të ndjehen Kalash. Kjo mbetet në dorën e qytetarëve të Kosovës. Ata janë të zotë të vetës. Ata vendosin për vete.
Ndjenja e përkatësisë determinuese për komb-formim
Çdo definicion apo qasje teorike mbi kombin e ka kriter bazë ndjenjën e përkatësisë. Ky kriter të hipoteza e kombit kosovar aktualisht nuk plotësohet.
Dihet se për kombin ekzistojnë shumë definicione dhe disa pikëpamje si më kryesore. Kjo për faktin se kombet janë krijuar në mënyra të ndryshme, në periudha të ndryshme kohore dhe kanë pasur karakteristika të ndryshme. Pra një definicion që vlen për një komb, nuk vlen për kombin tjetër. Por edhe nëse shëtitim nëpër disa definicion dhe qasje që janë më të njohurat në sociologji dhe shkenca politike, nuk mund ta mbështetim askund hipotezën e kombit kosovar.
Shqiptarët më shumë përfaqësohen nga qasja primordialiste mbi kombin. (Herder, Fihte, Kant etj). Këta teoricienë kanë pikëpamjet e veta të veçanta. Por në aspektin e përgjithshëm, primordialistët konsiderojnë se kombet janë esenciale dhe se etnia është e përhershme dhe determinuese për kombin. Por të kjo perspektivë, nuk gjejmë as për së afërmi mbështetje për kombin kosovar, pasi që Kosova është shtet shumetnik.
Ndërsa teoricienët që përfaqësojnë qasjen konstruktiviste apo moderniste, (Gellner, Anderson, Hobsbawm etj)., e shohin kombin si dukuri moderne. Përfaqësuesit e kësaj qasje konsiderojnë se është bërë e nevojshme që të ketë forma të reja të organizmit shoqëror te kombet. Këto forma të “imagjinohen” ose të “përfytyrohen” si organizime kolektive pasi që të vjetrat ishin bërë të pavlefshme nën ndikimin e modernitetit dhe rrethanave të reja shoqërore, politike dhe ekonomike. Megjithatë kjo qasje ka edhe divergjencat e veta në pikëpamje. Por te asnjëra nuk mund të gjejmë një pikëpamje që thotë se komb është edhe ai grup shoqëror ose etnik që nuk e ndjejnë vetën pjesë të atij kombi, që nuk e kanë ndjenjën e përkatësisë. Ndjenja se qytetarët i takojnë dhe e ndjejnë vetën si pjesë të një kombi paraqet fazën e parë në këtë proces. Pra kur e trajtojmë kombin si dukuri moderne është e domosdoshme që për ekzistencën ose jo të tij të vendoset në mënyrë demokratike nga shumica e qytetarëve të një vendi.
As të qasja Etno-simboliste (Smith) që konsiderohet si qasje më e veçantë e qasjes konstruktiviste apo moderniste, nuk e mbështesim dot hipotezën e kombit kosovar. Teoricienët e kësaj qasje e pranojnë kombin si dukuri moderne, por ata konsiderojnë se kombet nuk kanë dalë nga asgjëja. Sipas kësaj qasje, etnia e përcakton kombin dhe se kombi bazën e ka tek etnitë e mëhershme.
Ka edhe një pikëpamje që thotë se kombet mund të krijohen nga asgjëja. Kjo njihet si qasje subjektive në teoritë sociologjike. Kjo qasje mund të duket e përafërt me hipotezën e kombit kosovar, por edhe kësaj i mungon elementi bazë: Pajtueshmëria etnive (veçanërisht shqiptare) që jetojnë në Kosovë për të pasur identitet kombëtar kosovar.
Tek qasja subjektive e kombeve, argumentohet se krijimi i kombit mjaftohet kur njerëzit ndjehen dhe pajtohen se i përkasin të njëjtit komb. Pra kombi e bazon ekzistencën e vet mbi bazën e “një referendumi të përditshëm” (Renan). Por as te kjo qasje nuk mbështetet dot hipoteza e kombit kosovar, sepse mjafton që shumica e shqiptarëve apo edhe shumica e serbëve ta ndjejnë vetën se kanë identitet kombëtar tjetër. Pra në Kosovë nuk kemi një grupim të qytetarëve të të gjitha etnive (veçanërisht të etnisë shqiptare) që duan ta ndjejnë vetën se i përkasin kombit kosovar.
Ithtarët e komit kosovar, duke argumentuar idenë e kombit kosovar, thirren shpesh në atë që quhet komb qytetarë. Kjo qasje nënkupton se qytetarët e një vendi kanë një ndjenjë të përbashkët të përkatësisë kombëtare pavarësisht etnisë apo gjuhës që e flasin. Por as tek kjo teori nuk mbështetet hipoteza e kombit kosovar, pasi që mungon ndjenja e përbashkët e përkatësisë për kombin kosovar.
Si përfundim, në teoritë sociologjike nuk mundet të bazohet askund hipoteza e kombit kosovar, edhe pse Kosova është shtet i pavarur. Hipoteza për kombin kosovar mbetet vetëm politike. Shteti i Kosovës së pavarur është një realitet. Kjo merret si bazë nga disa opinionistë për të ardhur në përfundim se ekzistenca e shtetit të Kosovës apriori e ka krijuar kombin. Por krijimi i shtetit të Kosovës me karakteristikat që i ka është pranuar nga shqiptarët si kompromis për të fituar lirinë dhe pavarësinë, jo për të krijuar identitet të ri kombëtar.
Kosova nga një pjesë elitave politike apo shoqërore, apo nga kushdo mund të quhet komb për konsum të jashtëm apo të brendshëm politik, por kjo nuk mund të argumentohet me teori sociologjike – shkencore, pasi që për të krijuar një identitet kombëtar kosovarë është e domosdoshme që në mënyrë demokratike të pajtohen shumica e popullit të Kosovës, sepse nuk mund t’i imponohet askujt identiteti kombëtar. Atë e përcakton shumica.