“Hip se të vramë, zbrit se të vramë”
Nga Flogert Muça/
Sot, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një veprim fare normal. Të gjithë e mësuam nga rrjetet sociale faktin se Veliaj sot, në ditën e tij të parë si kryetar i bashkisë Tiranë, ka vajtur në punë me autobuz. Një i ri ose e re, burrë apo grua, i vjetër apo e re, i kishte bërë një foto Veliajt duke pritur autobuzin mes qytetarëve të tjerë. E thënë ndryshe kemi një njeri që shkon në punë me autobuz.
Pra, mësuam se Veliaj sot zbriti lagjen e tij dhe mori autobuzin e Tiranës së Re për të vajtur në punë, në bashki. Mëngjesin e ditës së sotme, por gjithë ditën e ditës është përfolur rreth këtij veprimi të tij, saqë unë po të isha në vend të tij nuk do shkoja sonte në shtëpi… nga frika se do më fotografonin sërish duke ngjitur shkallët e jo duke marrë ashensorin, e pastaj hajde dëgjo lumin e kritikëve që mes vere gjejnë kohën të shkruajnë e flasin duke thënë “shou, është shou”.
Mbaj mend që ne, të gjithë ne pa përjashtim, kur në rrjetet sociale kemi parë kryeministrin britanik në tren duke ikur në punë dhe duke lexuar gazetë kemi thënë: “Hallall, ky është burrë, i thjeshtë, ja si shko me tren në punë.”
Kemi parë dhe atë holandez me biçikletë dhe kemi thënë nëpër studio televizive e rrjetet sociale: “Merrni shembull ju tanët, që shkoni me eskotra duke shkelur dhe semaforin, merrni shembull nga bota perëndimore ku politikani sillet si çdo qytetar”. Madje kemi ulëritur me të drejtë pse jo.
Ndërsa sot, pamë për fatin tonë të mirë një politikan, që minimalisht nuk hodhi ca karbon më shumë na ajër, nuk shpenzoi naftë që paguhet me paratë tona, i cili po shkonte në punë si të gjithë të tjerët, por duke lënë të kuptohet një mesazh pozitiv. Por “ne”, i thamë që kjo që ai po bënte nuk ishte e vërtetë, sepse sipas nesh, çdo gjë që bën tjetri dhe që është ashtu siç në s’do donim të ishte, është e keqe.
Kujdes, “ne” nuk janë qytetarët në këtë mes, po flasim për një rracë tjetër.
Unë nuk u befasova nga ky veprim i Veliajt. Duke parë të shkuarën e tij që nga fiqtë që shiste te “Pazarit i Ri”, mënyrën dhe krenarinë me të cilën ai flet për të shkuarën e tij, vullnetarizmi i tij nga Kosova në Afrikë, iniciativat si shoqëri civile dhe puna 2-vjeçare në MMSR, veç befasim nuk pata.
Natyrisht, unë nuk mendoj se ndonjëri nga ata kritikët që tastierën e shohin si plumb, besojnë atë që thonë, sepse kjo do ishte vërtetë për tu mëshiruar. E gjithë stuhia që ngrihet kundrejt një veprimi të tillë kaq normal e qytetar, është as më pak e as më shumë se lodhje për qytetarët e Tiranës që nuk kanë ujë, janë mbytur mes papastërtisë, nuk kanë kazanë për plehërat, nuk kanë kanalizime etj.
Se çfarë e se sa Erion Veliaj do të bëjë për ambjentin, ajrin e të tjera si këto në qytetin e Tiranës, ka kohë për ta parë e kritikuar të gjithë bashkë. Sigurisht që veprimi i Veliaj përcillte mesazh dje dhe sot. Ora në Kullën e Sahatit që ai e rregulloi ditën e parë të punës, ishte mesazhi i fortë se simboli i qytetit nuk mund të mbetet i paralizuar dhe se tani për Tiranën fillon një epokë e re pa ndalesa e çakërdime. Po ashtu teoria e xhamit të thyer që Veliaj vetë e përmend shpesh, e ilustron rregullimin e orës së Kullës së Sahatit, pasi nëse kryetari nuk rregullon orën që e ka sipër kokës gjithë ditën, natyrisht që nuk do të bëjë përpjekje për të rregulluar kanalizimin e derës së Hasanit në Kombinat. Pra, mund të shihet padyshim edhe si simbolikë vajta e Veliajt në punë me autobuz sot, simbolikë e cila shihet si një mënyrë e re komunikimi dhe shikimi në sy të problemeve, larg shmangjes së lodhshme dhe diferencimit të deri djeshëm ku polici ta priste “Trutuari përpara bashkisë është për të parkuar makinën kryetari, shtyhu më poshte të kalosh”.
Përpjekja për të kompleksuar Veliajn duke i thënë herë hip e herë mos hip, sigurisht që dështoi, sepse natyra njerëzore nuk ndikohet nga flluska. Gjithësesi paragjykimi që pakdisa i bën veprimit të Veliajt, i kujton secilit shprehjen “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Deri dje thonim se pse nuk ndjekim shembuj modestie nga perëndimi, e kur shembulli vjen krejt natyrshëm nga një njeri që ndër të paktët është marrë gjtihë jetën me të varfrin, dikush, tenton të bëjë sërish lojën e baltës. Populli ynë i vuajtur ndër shekuj, ka nxjerrë shumë mësime e në të njëjtën kohë ka lënë shumë fjalë të urta, anonime për nga autori por kuptimplota ndër dekada… E nëse ne duam të bëjmë përpara, duhet më së pari të heqim mllefin nga vetja, duke mos tentuar të gjejme qimen në syrin e tjetrit, por të kujdesemi mos na verbon trau syrin tonë.!