Ish-kandidatja demokratike për President të SHBA-ve, Hillary Clinton thotë se ndjen “përgjegjësi të tmerrshme” pasi në garën për Shtëpinë e Bardhë nuk mundi të mposhtë sfiduesin republikan Donald Trump, kurse presidentin rus Vladimir Putin e ka akuzuar të jetë personalisht përgjegjës për humbjen e saj zgjedhore.
“Unë mendova se do të jem një presidente e mrekullueshme, nuk kam menduar se do të humbisja” – tha ajo në një intervistë për britaniken “Sunday Times, transmeton zeri.info. Dështimin e saj në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 e përshkroi si “thellësisht shqetësuese” dhe thotë se ndihej se kjo ishte “një humbje e vërtetë për vendin, sepse kemi zgjedhur dikë që di dhe kujdeset aq pak dhe vetëm dëshiron duartrokitjet e masave”, shkruan gazeta londineze “Evening Standard”.
“Ndjej përgjegjësi të tmerrshme, sepse nuk e kuptova mënyrën se si ta mposhtja atë person. Duhet të ketë qenë një mënyrë dhe unë nuk e gjeta”, tha ajo.
Hillary Clinton tha për “Sunday Times”, se Trump fushatën e tij e udhëhoqi përmes “seksizmit dhe si anti-feminist, si dhe “mbështeti dhunën dhe foli çdo lloj të gjërave të tmerrshme”.Clinton tha se Vladimir Putin është një “kriminel i vërtetë”, dhe se ai ishte personalisht përgjegjës për humbjen e demokratëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Ajo tha se Putin dëshiron të marrë hak për shkak të rënies së Bashkimit Sovjetik dhe zgjerimit të NATO-s. (b.an)