Nga Skënder Minxhozi/
Kur një pusetë, nga ato që hasen rëndom rrugëve, e le pa pastruar me muaj të tërë, e më pas thërret të gjitha ekipet e pastrimit të qytetit për të hequr pisllëkun që është mbledhur aty, banorët e lagjes zor se do të të lavdërojnë që u kujtove më në fund. Era e keqe e ka bërë tashmë efektin e saj tek humoret e njerëzve.
E tillë është pak a shumë edhe afera e shumëpërfolur e CEZ, e cila si papritur, plasi pas një shkrimi të vetëm në një nga mediat investigative të Tiranës. Prej ditësh, partitë kryesore politike po debatojnë rreth mënyrës sesi kjo histori do të hetohet dhe gjykohet. Besnikë ndaj përdorimit të hiperbolës dhe egzagjerimit, si armë zjarri në debatin politik të ditës, PD dhe LSI kanë përqafuar tezën e hetimit ndërkombëtar, madje duke përzgjedhur edhe pasaportën që duhet të kenë në xhep hetuesit që do këqyrin zullumin e CEZ.
Pasi heshtën plot pesë vjet për gjithë çfarë ndodhi në CEZ, këto forca politike po synojnë edhe të kalojnë ligje të posaçme, që t’i hapin rrugë hetimit të huaj. Vini re kontrastin: nga heshtja totale, në angazhim total!
Pikërisht këtu qëndron edhe truku, hileja dhe pika e dobët e kësaj hipokrizie që po luhet në skenën politike, në lidhje me skandalin e CEZ. Deri më sot, politika shqiptare, PD, PS dhe LSI, nuk kanë dëshmuar as vullnetin më të vogël politik, që ky skandal të hetohet. Ashtu siç kanë bërë edhe me rrugën e Kombit, me 21 janarin dhe Gërdecin. Vetëm janë fshehur pas retorikave me zë të lartë.
Dhe sapo një artikull gazete trazoi ujrat në një moment politik delikat (sepse nuk është vetëm shkrimi i BIRN që provokoi këtë situatë), menjëherë plasi gara se kush do ta bënte më të gjerë, më të thellë dhe më gjithëpërfshirës hetimin e CEZ. Një aferë e cila s’ka fare nevojë për hetim gjyqësor, por thjesht për një ekip nga ata të zakonshmit që dërgon Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpër institucione. Aq i madh është abuzimi, aq i trashë është zullumi dhe aq të qarta përgjegjësitë.
Gjykimi ndërkombëtar nuk ka të bëjë asfare me gjetjen e përgjegjësve të mega-vjedhjes së CEZ dhe dënimin e tyre. Ai është thjesht një alibi e atyre që po e predikojnë, për të hedhur ca mjegull tjetër (a thua se s’del ajo që ka pllakosur prej vitesh), mbi një histori korrupsioni shtetëror të përmasave të përbindshme. Duke apeluar për hetim ndërkombëtar, planetar, galaktik apo kozmik, avokatët e zgjerimit të investigimit me hetues të huaj nuk bëjnë veçse ofrojnë alibi false rreth gjoja vullnetit të tyre për të zbardhur një aferë që ka përpirë pa kthim milionat e shqiptarëve.