Hetimi i zyrtarëve nga 5 prokurorë, forcohen kapacitetet Antikorrupsion
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka vendosur fuqizimin me kapacitete njerëzore të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si një mënyrë për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale në këtë strukturë.
Aktualisht, kjo Njësi, e cila prej ditës së sotme do të përbëhet nga 5 prokurorë, numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet proceduriale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.
Po ashtu, në mbështetje të kësaj Njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtëpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror.
Në një takim të zhvilluar sot nw Prokurorinë për Krime të Rënda, Llalla prezantoi prokurorët e rinj, të cilët kanë përvojë në struktura antikorrupsion në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Prokurorët që do t’i atashohen kësaj Njësie, ndoshta me të drejtë, mund ta konsiderojnë si vlerësim përfshirjen e tyre në të. Dhe në fakt, është një vlerësim. Por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik. Për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në niveleve të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”.









