Nga Jakin Marena
SPAK më në fund është “zgjuar” dhe ka vënë nën hetim ish presidentin e kreun aktual të Partisë së Lirisë Ilir Meta(j). Themi është zgjuar pasi Meta aty ka qënë, dhe hetimi i tij duhej të kishte filluar me kohë e me vakt, jo të pritej fundi i gushtit, pasi nuk është në kushtet e flagrancës.
Por megjithatë, ne që jemi mbështetës të fortë të drejtësisë së re dhe për pasojë dhe besimtarë të devotshëm se me shtytjen e fortë të SHBA do të shohim dritë në “fund të tunelit” të drejtësisë. Mund të themi se SPAK ka bërë një hap goxha të madh përpara, duke kaluar nga momenti i frikës për përmendjen e emrit të ish presidentit tek marrja nën hetim të tij.
Ndajmë të njejtin qëndrim për këtë, po dhe besimin ndaj SPAK, kuptohet duke pasur në mendje gjithnjë se në mbështetje të tij janë SHBA, BE, Britania dhe shqiptarët, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend. Po përmes SPAK.
Por, gjithnjë ka një “por” në këtë vend që quhet Shqipëri dhe ku të gjitha gjërat fillojnë dhe mbarojnë sëprapthi, duke qënë dhe shqiptarë “vendi” si dhe ushtrues i profesionit të gazetarit për gati 30 vite me radhë, disa elementë të nisjes së hetimit nga ana e SPAK të Ilir Metës, na bëjnë që të kemi dilema për suksesin e këtij aksioni të madh për pastrimin e politikës shqiptare nga të korruptuarit, të inkriminuarit dhe abuzuesit me pushtetin e qytetarëve. Duke prekur dhe Metën.
E themi këtë dyshim, bazuar në dy kërkesa që SPAK ka dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për informacion mbi gjeneralitetet e Ilir Meta(j) dhe ndryshime e mundshme, si dhe në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ku ka kërkuar një kopje të formularit të vetëdeklarimit të bërë për kohën që ka qënë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Janë kërkesa të ligjshme, por për hir të së vërtetës dhe të panevojshme, pasi nëse do bënte hetim tamam të thelluar, pa asnjë “dhimbje” koke me “ekspertët” e Metës nëpër këmbë, ato dokumente mund t’i gjente në faqet zyrtare respektive. Janë të shkruara e bardha mbi të zezë dhe sipas vendimeve të qeverisë e ligjit, kanë autoritetin për t’u quajtur zyrtare. Për ne “vdekatarët” e thjeshtë quhen të vlefshme sëpaku.
Që këtu, qofshim të gabuar, dyshojmë se është një sinjal paralajmërues për Ilir Metën, si për t’i thënë se ‘hetimet kanë filluar, ndaj luaj vendit’, si për të thënë se janë vënë nën presion deri aty ku s’mban më nga partnerët tanë ndërkombëtarë që financuan dhe mbështesin drejtësinë e re dhe prokurorët e posaçëm janë në kushtet e njeriut me “fytyrë nga muri dhe b*** nga kunji” që s’ka nga t’ia mbajë, vetëm duke dalë anash, pa mundur të lëvizin as para dhe as prapa.
Të bësh publik faktin se je duke hetuar punë emri dhe “kinkalerinash” të tjera për ish presidentin dhe kreun aktual të PL, që sëpaku sipas aleatit të tij “të madhërishmit Sali Berisha” ka akuza të tjera tepër të rënda në kurriz që fillojnë nga vjedhja e floririt në Krrabë e përfundojnë me vrasjet me pagesë, e vë në një pozitë aspak të mirë SPAK-un përballë ndërkombëtarëve dhe pritshmërisë së qytetarëve shqiptarë ndaj drejtësisë së re për të cilën është investuar shumë.
E themi këtë sepse SPAK ka regjistruar deri më tani të paktën, tre procedime penale mbi bazën e disa kallëzimeve ndaj Metës, për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim parash, nxjerrje parash jashtë vendit, fshehje pasurie, mashtrim me deklaratën e pasurisë, si dhe këto gjërat e tjera të vogla përfshirë dhe paqartësisë për emrin e vërtetë të Meta(j) me të cilat SPAK ka filluar hetimin zyrtar, si për të thënë se nuk e shtyjnë dot më tej bllokimin e hetimit të dosjeve të tij, dhe se përderisa dhjetori është afër, më mirë të mbyllet këto muaj kopsitja e saj në ngarkim të tij.
Praktikisht kreu i PL ka në ngarkim një procedim penal me numër 122 të SPAK të 2022, ku po hetohet “gjërësisht” për dy akuza penale, për të cilat Ilir Meta dyshohet se mund t’i ketë kryer. Ish presidenti po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal dhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepra për të cilat parashikohet një dënim që varion nga 3 deri në 8 vite burg.
Ndonëse në kallëzimin penal nënvizohet se Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv e aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasurie, mospagim taksash, financim lobim me para që nuk u dihet burimi, operacione plastike e ngushtim stomaku e vepra të tjera penale të këtij lloji, na bren dyshimi se hetimi i Metës mund të pësojë “krisje” gjatë rrugës. Duke na rikthyer tek precedenti i hetimit të lobimit me para ruse të ish kreut të PD Lulzim Basha, si dhe “fatit” të video-përgjimit të ish ministrit të ndjerë të LSI Dritan Prifti, ku shfaqet Ilir Meta me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro.
Të gjithë e dinë se si nisi hetimi i lobimit të Bashës për një foto me ish presidentin Trump, dhe nuk ishin pak, por gati 1 milion dollarë. Nisi për pastrim parash, për financim të paligjshëm dhe përfundoi “kokoshi një thelë”. Pasi u zvarrit pambarimisht, pikërisht në momentin kur Nick Muzin, njeriu kyç për zbardhjen e këtij skandali dha dakordësinë për t’u pyetur dhe nga ana e prokurorëve shqiptarë, menjëherë dosja u mbyll me urgjencë në Shqipëri. Nuk kemi dëgjuar të jetë mbyllur në SHBA, ku FBI me sa dimë vijon të hetojë për këtë skandal.
Në të njejtën gjatësi vale na duket sikur po nxitojnë dhe prokurorët e SPAK për të “kopsitur” dosjen në ngarkim të Ilir Metës, dhe për të qënë të çliruar nga ndroja e takimit të pashmangshëm si “shokë lagjeje” me vilat ngjitur me ish Presidentin në Gjirin e Lalzit. Me rroga shteti dhe punë e përpjekje kuptohet dhe ata.
Ndërsa rasti i zhbërjes së provës direkte dhe të pakontestueshme që gjendej në video-përgjimin e Dritan Priftit, ku të gjithë shqiptarët panë me zë e me figurë se si Meta kërkonte ryshfet 700 mijë euro ka qënë një ndër spektaklet më të dhimbshme dhe më poshtëruese të drejtësisë shqiptare.
Ndonëse shihej me zë dhe me figurë Ilir Meta duke kërkuar ryshfet, autenticiteti dhe origjinaliteti i videos u provua nga ekspertiza e FBI-së amerikane por dhe ekspertiza të tjera të pavarura, Berisha dhe Meta në atë kohë, njëri kryeministër dhe tjetri zv.kryeministër ia dolën që përmes presionit ndaj drejtësisë, të ngrinin një grup tjetër ekspertësh, me “ustallarë” të ish LSI dhe që më vonë morën poste të rëndësishme duke vijuar trashjen e zullumit, ia arritën ta zhbënin këtë provë e të dërgonin në gjykatën e Lartë versionin e përgatitur në darkën e shtruar për nder të Berishës në shtëpinë e Metës në Tiranë. Pinë verë të kuqe, për të shuar kureshtjen e lexuesit, në atë darkë.
Rezultatin e dinë të gjithë, gjykata votoi 5 me 0 në favor të pafajsisë së Metës dhe ish presidenti dhe sot e kësaj dite e tund para shqiptarëve këtë certifikatë “pastërtie” dhe pafajësie si “një betejë e fituar përballë drejtësisë dhe rrëzimit të akuzave të pavërteta”.
Jo vetëm që ishte një dhënie drejtësie e rreme, por i bëri dhe shqiptarët budallenj, të cilët e panë me zë dhe figurë se si zv.kryeministri i asaj kohe dhe kryetar i partisë kryesore të koalicionit të Berishës kërkonte ryshfet 700 mijë euro, ndërsa fakti ishte brenda kësaj videoje të certifikuar ndërkombëtarisht si autentike dhe e pamanipuluar. Ndërsa janë të detyruar dhe sot e kësaj dite të dëgjojnë thirrjet e Metës: Ku është fakti?! Pavarësisht se fakti ishte brenda, videos.
Teksa shohim nxitimin për të hetuar Ilir Metën për disa akuza që nuk përbëjnë thelbin e veprave penale për të cilat mund të hetohej thellësisht, ndonëse kishte muaj që zvarritej hetimi dhe kjo shihet tek kërkesat fillestare drejt Gjendjes Civile dhe KQZ, dyshojmë, urojmë të mos jetë e vërtetë, se po përgatitet terreni që Ilir Meta t’ia “hedhë” dhe këtë radhë. Zyrtarisht! Si në rastin e video-përgjimit të Dritan Priftit, kur ia doli të marrë pafajësinë, përmes presionit apo dhe miqësive në drejtësinë e asaj kohe. Ku Adriatik Llalla dhe për mos-hetimin e Ilir Metës, është shpallur i padëshirueshëm në SHBA, ndërsa këtu është dënuar me 2 vite burg në mungesë për vepra të tjera anësore penale.
Qofshim të gabuar, por na duket si një veprim i koordinuar fakti se një orë pas dërgimit të kërkesës së SPAK në KQZ për vetëdeklarimin, Ilir Meta e boton dokumentin në adresën e tij në rrjetin e tij social, të shoqëruar me sulme ndaj kreut të këtij institucioni Arben Kraja, deri dhe duke e quajtur si “spurdhjak të partisë”. Ironik ky etiketim, pasi Kraja për hir të së vërtetës ka qënë kreu i njësisë antikorrupsion në kryeministri, në kohën kur Ilir Meta ishte kryeministër. I zgjedhur po me “dorën” e Metës.
Por Meta duhej të sulmonte, për ta zbutur qëndrimin më pas përmes numrit dy të Partisë së Lirisë, i cili sulmoi Ramën se po bën presion ndaj SPAK. Zbutja erdhi pas deklaratës së ambasadores së SHBA Yuri Kim, në mbrojtje të SPAK. Kreu i PL nxjerr dhe bashkëshorten Monika Kryemadhi për të publikuar certifikatën personale të burrit. Madje dhe e falenderon Kryemadhin, për të çuar deri në fund talljen me drejtësinë, qytetarët por dhe partnerët ndërkombëtarë.
Dhe nuk mjaftohet me kaq, por del dhe bën dhe karshillëk në media, duke deklaruar se s’trembet nga drejtësia e Ramës, do të qëndrojë fort përballë kësaj drejtësie dhe se për të akuzat janë një “gudulisje”. Ndoshta kështu i duken!
Kush e njeh gjatë Ilir Metën, ka përcjellë qëndrimet e tij ndër vite, e kupton se akuzat më të forta ai i lëshon drejt atyre me të cilët e ka mbyllur problemin. Për të treguar se është i distancuar me ta. Dhe atëherë sulmonte drejtësinë nga themelet, dhe nëse dikush nuk e njihte me të vërtetë, e ka çuar në mendje se Ilir Metën me drejtuesit e drejtësisë në atë kohë e ndante vetëm pushka.
Për të gjithë vuajtjen e shqiptarëve nga këta pushtetarë, do dëshironim shumë që drejtësia e re të ishte në lartësinë e detyrës dhe funksionit për të cilin është ngritur, financuar dhe stërmbështetur nga SHBA, BE, Britania dhe shqiptarët: Për të bërë drejtësi.
Dhe ne besojmë se me pak guxim mund të bëhet. Pasi në fund të herës, hetimin dhe kopsitjen e dosjes së Ilir Metës e bën SPAK, gjykimin nëse arrin ndonjëherë kjo dosje aty e bën Gjykata e Posaçme e cila vendos mbi ato prova dhe fakte që servirin prokurorët specialë.
Nuk besojmë se ka këllçe kjo gjykatë që të veprojë me Ilir Metën si në rastin e dënimit të ish ministrit Saimir Tahiri, ku “shpiku” një akuzë të re, të ndryshme nga ajo e Prokurorisë dhe e mbylli në qeli. Madje s’ka asnjë gjasë të ndodhë me Metën kjo.
Ndaj shpresat janë tek SPAK, pasi partnerët tanë që na mbështesin nuk ngrenë akuza zyrtare. Duhet ta mbështesim këtë institucion për të bërë drejtësi. Dua të besoj shumë që SPAK të hetojë seriozisht, të marrë dhe ndonjë dëshmi nga ish kreu i DIA-s Kastriot Ismailaj apo nga i penduari i drejtësisë amerikane Almir Rrapi, ose dhe ekspertizën e FBI-së për video-përgjimin e Dritan Priftit. Do ta ndihmonte shumë SPAK-un në kopsitjen e dosjes, dhe zhvillimin e një hetimi shterrues ndaj Ilir Metës. Nuk duhet të mjaftohet me një letërporosi drejt SHBA për gjëra të vogla.
Ia vlen të shpresojmë dhe të besojmë se nuk do zhgënjehemi të gjithë. Përndryshe hajde e durojë Ilir Metën që të ketë dhe një certifikatë të dytë pafajësie në kushte emergjence në dorë, të cilën deklaron se do ta tundë në 25 vitet e ardhshme, duke paralajmëruar se do “rrumbullakosë” plot 54 vite në nivelet më të larta të politikës. Si askush tjetër në botë. Atëherë vërtetë duhet të iket nga sytë këmbët. Duhet të presim shtatorin dhe ne, ose dhjetorin sëpaku!