FIFA ka nisur hetim disiplinor për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin pasi festuan duke bërë shqiponjën në ndeshjen e fituar 2-1 ndaj Serbisë.
Nuk dihet nëse vendimi i FIFA-s do të jetë që t’i dënojë me një skualifikim apo vetëm me një gjobë, ndërkohë që Zvicra do të luajë ditën e mërkurë ndeshjen e tretë në grup ndaj Kosta Rikës.
Presidenti i Federatës Zviceriane të Futbollit, Peter Gilieron, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se një dënim i mundshëm për Shaqirin dhe Xhakën do të ishte një goditje e rëndë për ekipin.
Vendimi i FIFA-s për dy lojtarët e përfaqësueses së Zvicrës do të merret brenda ditës së hënë.
“Është një procedurë disiplinore e FIFA-s dhe presim që vendimi të jetë pozitiv për ne. Një dënim i mundshëm i dy lojtarëve do të ishte një goditje e rëndë për Zvicrën. Nuk kemi diskutuar si do të reagojmë, nëse do të ketë dënim.
Kapiteni ka qëndruar para ekipit, që në këtë moment është shumë i bashkuar. Madje, kjo histori do të na bëjë edhe më solidarë. Barazimi me Brazilin dhe fitorja me Serbinë janë shenja të pjekurisë së skuadrës tonë.
Trajneri Petkoviç ka bërë një punë të mirë, ai e ka lidhur shumë mirë grupin. Është shumë i rëndësishëm për skuadrën”, u shpreh presidenti i Federatës së Zvicrës.
a.ç