Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u paraqit këtë të hënë, 1 dhjetor, në gjykatë, për herë të parë që prej dorëzimit të kërkesës së tij për falje drejtuar presidentit të Izraelit, një kërkesë e cila ka marrë mbështetje nga aleatët e tij si dhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
Seanca u mbajt në Tel Aviv, ku dhjetëra protestues u mblodhën jashtë sallës së gjyqit. Disa prej tyre, të veshur me kostume portokalli të stilit të burgut, bënin thirrje që Netanyahu të dënohet dhe të shkojë në burg.
Kërkesa për falje ka shkaktuar reagime të forta politike. Opozita izraelite e ka kundërshtuar ashpër, duke deklaruar se çdo falje duhet të shoqërohet me largimin e Netanyahut nga politika dhe pranim të fajit. Të tjerë kanë kërkuar që kryeministri të thërrasë zgjedhje të reja kombëtare para se të kërkojë një falje presidenciale.
Netanyahu, kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, u padit në vitin 2019 për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit, pas një hetimi disavjeçar. Gjyqi i tij nisi në vitin 2020 dhe ka vijuar prej atëherë, ndërsa ai ka mohuar kategorikisht akuzat.
Në letrën drejtuar Presidentit Isaac Herzog, e publikuar të dielën, avokatët e Netanyahut argumentuan se paraqitjet e vazhdueshme në gjykatë po e pengojnë kryeministrin të qeverisë siç duhet. Ata pretenduan se një falje presidenciale “do t’i shërbente edhe interesit kombëtar”, ndërsa theksuan se Netanyahu beson se, nëse procedurat do të shkonin deri në fund, ai do të shpallej i pafajshëm.











