Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Partia Socialiste pritet të vendosë një qëndrim unanim të grupit parlamentar.
Edhe në emisionin “Trialog” në RTSH, diskutimi u fokusua pikërisht mbi këtë çështje, ku avokati Gentjan Romano deklaroi se nuk ka prova të reja në dosje. Sipas tij, provat e SPAK janë prova ekzistuese në dosje që para se zv.kryeministrja të merrej në cilësinë e të pandehurës dhe se në mbledhjen e Këshillit të Mandateve nuk janë paraqitur prova të reja.
“Prova të reja nuk ka, provat SPAK i ka pasur që para se të merrej në cilësinë e të pandehurës Balluku. Provat që janë vlerësuar nga ana e SPAK për të paraqitur kërkesën para gjykatës për caktimin e masës së pezullimit dhe prova të reja përtej atyre nuk ka. Të gjitha provat që pretendoheshin si të reja nga ana e prokurorisë kanë qenë aty, thjesht prokuroria nuk kishte arritur që të krijonte formimin e provës për ta paraqitur, por kjo nuk të justifikon me faktin se është provë e re. Provë e re është ajo që del pas dhe ajo që ti e ke pasur dhe nuk ke pasur mundësinë për ta zbërthyer në cilësinë e provës. Nëse prokuroria e ka ngritur kërkesën e saj se ka prova të reja, kjo nuk vlen pasi nuk ka prova të reja. Mbi bazën e këtyre provave SPAK i ka bërë kërkesë gjykatës dhe është caktuar masa e pezullimit”, tha avokati.











