Në marsin e 2015-s, pas një sulmi te armatosur ndaj një makine policie në Lazarat, një raport i DITA-s bazuar në një hetim të policisë lokale të kaluar në heshtje hodhi dritë mbi një dukuri shqetësuese:
Atentatorët fare të rinj në moshë shfaqnin simpati të qarta për ISIS-in dhe terrorizmin islamik.
Rioshë mendjelehtë që e mbushin kohën me drogë dhe kokën me një ideologji vrastare që u duket si videolojë?
Ndoshta, por neglizhenca ndaj tyre solli një krim shumë më të rëndë: Të njëjtët çunakër vranë në 24 qershor 2015 një anëtar të RENEA-s, Ibrahim Bashën.
Ai u kishte mbijetuar në dy misione ndaj talebanëve në Afganistan dhe e gjeti të keqen në Lazarat. Për ironi tragjike, mesazhi i fundit i tij në FB ishte një urim për agjërim të lehtë të besimtarëve gjatë Ramazanit.
Pas vrasjes së Ibrahimit, policia arrestoi të parin adoleshentin Xhuliano Malo.
Edhe ky e kishte mbushur faqen Facebook me foto me gishtin lart, simbol i ISIS.
Më pas policia identifikoi të rinjtë Arbion Aliko, Alban Aliko, Viktor Aliko dhe Bervin Basha
Para se të përfundonin te vrasja e Bashës, ata organizuan asokohe sulme të armatosur mbi një postbllok policie dhe vendosjen e sasive të ndryshme tritoli në banesa dhe biznese të banorëve në Lazarat.
Krerët e bandës së të rinjve ishin vëllezërit Aliko, vetëm 18-19 vjeçar.
Policia i arrestoi ata në 28 qershor 2015, pas 108 orë kërkimesh intensive nga toka dhe ajri, pasi qëlluan dhe vranë efektivin Basha.
Pas arrestimit ndër të tjera drejtori i Policisë së Shtetit Çako e preku edhe temën e fotove të tyre në rrjetet sociale.
“Nga investigimi i bërë deri tani, të gjitha profilet e tyre kanë elementë të tifozllikut të veprimeve të ISIS, por nuk rezulton të jenë pjesë e ISIS. Komuniteti i Lazaratit bektashian dhe ata burojnë nga një komunitet i tillë” – tha ai.
Më poshtë mund të shihet videoja e arrestimit dhe foto të luftëtarëve të ISIS-it, foto me gishtin tregues lart, flamuj të ISIS, parulla arabisht – që shiheshin asokohe në profilet e tyre në rrjetet sociale.
Janë këta adoleshentë, tashmë të arrestuar – (foto kryesore Arbjon Aliko në gjykatë) – alibia për lajme si ato që janë shfaqur ditët e fundit si me komandë në disa media të huaja për lidhje mes Shqipërisë dhe Shtetit Islamik.
RaiUno raportoi se kallashnikovët e përdorur në masakrën e Parisit vinin nga tregu i zi i Shqipërisë.
Britanikja Mirror raportoi dje se Lazarati është qendra prej ku ISIS kontrollon trafikun e marijuanës drejt Europës.
Më shumë se spekulime apo lajme naive duken teprime të qëllimshme dhe dashakeqe.