Pesë nxënës të një shkolle 9-vjeçare në Durrës kanë shfaqur simptoma helmimi pasi kanë konsumuar hamburger, sanduiç dhe byrekë gjatë kohës që ishin në shkollë. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ku 5 nxënësit e shkollës “Eftali Koçi” janë dërguar me urgjencë në spital.
Nxënësit e klasës së 5-të, D.R K.N, L.B. F.Xh dhe F.H, vjeç 11, 11, 12, 11 e 11, banues në Durrës, janë dërguar në spital me të vjella e marrje mendsh. Ngjarja u regjistrua dje. Fëmijët janë mjekuar dhe u larguan nga urgjenca pa probleme për shëndetin.
Policia raporton se fëmijët kanë konsumuar ushqime të shpejta pranë një kioske. Kioska ndodhet pranë shkollës. AKU ka nisur kryerjen e analizave për ushqimet që konsumuan fëmijët.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
“Sqarim për rastin e fëmijëve në shkollën 9-vjecare ‘Eftali Koci’ të Durrësit.
Dje nxënësit kanë blerë produkte tek ambulantët gjatë pushimit të gjatë në kangjellat e shkollës dhe pasi i kanë konsumuar nuk janë ndier mirë. Të 5 fëmijët janë dërguar për kontroll në spital nga drejtori i shkollës. U njoftua ISHP për ngjarjen dhe policia bashkiake për largimin e ambulantëve. Sot fëmijët zhvilluan mësimin normalisht në shkollën e tyre”.
a.ç