Ministri i Transporteve dhe Infrastruktures, Edmond Haxhinasto ishte i ftuari i parë i sezonit të ri të emisionit “Tonight Ilva Tare”. Çfarë do të bëhët me aeroportin e Rinasit, tarifimi i Rrugës së Kombit, komplemtimi me sinjalistikë i disa segmenteve kryesore si dhe Reforma e ujit ishin disa nga çështjet kryesore për të cilat foli ministri.
Pikërisht për këtë të fundit, reformën e ujit, Ministri Haxhinasto hodhi poshtë zërat duke siguruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të tij. Në fjalën e tij Haxhinasto tha se Shqipëria prodhon 50 ml më shumë për metër kub por se 67% e tij ose humbet, ose nuk paguhet ose keqpërdoret.
Në këtë mënyrë, Ministri paralajmëroi tjetër aksion të qeverisë për të zhdukur informalitetin, ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme si dhe shlyerjen e detyrimeve për çdo individ.
“Shqipëria prodhon 270 milion metër kub ujë në vit, ndërsa nevoja e popullatës është 217 milion. Pra prodhojmë 50 ml më shumë për metër kub. Nga kjo sasi uji, vetëm 88 milion metër kub ujë paguhet. 67% ose humbet, ose nuk paguhet ose keqpërdoret. Zgjidhja është të heqim informalitetin, cmimi i ujit nuk do të rritet, do të presim lidhjen e paligjshme dhe kontratat duhet të paguhen nga cdo indivi. Rikonceptim të përgjegjësisë menaxhuese dhe përgjegjësi të lartë nga bashkitë.” tha Haxhinasto
Sa i përket Rrugës së Kombit Ministri i Transporteve tha se brenda Tetorit pritet të vendoset edhe taksa prej 5 eurosh për këdo që do të kalojë në këtë segment rrugor.
“Është realizuar faza e parë e tenderit. Janë katër kompani në garë dhe me 15 tetor do të kemi fituesin e menaxhimit dhe të ndërtimit të përfundimit të Rrugës së Kombit. Llogaritja është bërë 5 euro për të kaluar rrugën, përfshirë edhe TVSH, që është më e ulët sesa mesatarja rajonale për tarifa të ngjashme. Elementi dallues në këtë garë do jetë kompania që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit, pra që angazhimi i shtetit të jetë më i vogli. Katër kompanitë që marrin pjesë janë të huaja por që janë të lidhura edhe me nënkontraktorë shqiptarë. Kompania fituese parashikohet të investojë 38-43 milion dollarë për përfundimin e plotë të rrugës.” u shpreh ai











