Nga Lorenc Vangjeli
Shpërthimi një bombole gazi në Tiranë është vetëm shkëndija e një reaksioni zinxhir. Një reaksion që do të përfshijë sipas rradhës kryeministrin, ministrin e energjitikës, një grusht specialistësh, (me gjasë edhe ekspertë të huaj dhe ambasadat në Tiranë), grupe interesi, deputetë dhe padyshim edhe median që survejon, pasqyron, komenton dhe përsëri pasqyron se çfarë do të bëjnë duke nisur nga e hëna e dytë e gushtit, kryeministri, ministri i energjitikës, një grusht specialistësh, (me gjasë edhe ekspertë të huaj dhe ambasadat në Tiranë), grupet e interesit dhe deputetët. Nga i gjithë ky shkumëzim do të shkohet në vendimmarrjen ekzekutive e më pas edhe veprimtarinë legjislative. Do të ndryshojë me vendosmëri dhe pa kthim pas (kjo premtohet) ligji i ndryshuar që kishte ndryshuar pak pasi ishte miratuar në filan datë të filan viti.
Pse kështu? Sepse ne vrapojmë mbas pasojës pa menduar më parë për shkakun. Vetëm mbasi ndodhi pasoja – shpërthimi i bombolës së gazit – filloi të kujtohet gjithkush për kushtet e mjera të tregtimit të këtij “eksplozivi” të lëngshëm, për gjendjen katastrofike të ambienteve të tregtimit, të mbushjes dhe “shëndetin” fizik të vetë bombolave, që me moshën që kanë dhe specifikat teknike të tyre, mund t’i gjesh vetëm në muzeume në Evropë.
Nuk është vetëm histori gazi kjo mënyrë sjelljeje që seriozisht mund të bëjë gjithkënd për të qarë. Nuk është përjashtim, është rregull. Nuk ndodhi sot, ka ndodhur gjithmonë. Nëse ndodh një aksident i rëndë, të gjithë vrapojnë të shohin kushtet e autobuzëve, po ndodhi përmbytja kujtohen të gjithë se nuk duhet ndërtuar në shtratin e lumit, po xhiroi rastësisht ndonjë kamerë kamiona me rërë, do bëhet problem politik shfrytëzimi i inerteve pranë urave, nëse shembet një urë të gjithë kujtojnë se kanë parë sesi i marrin për skrap hekurin dhe po të shembet një pallat të gjithë kthejne kokat tek mungesa e sigurisë tektonike. Bëhen lajme nga ata që nuk kanë frikë se i quajnë nostalgjikë për institutet e “Enverit” që u prishën në kohë të Saliut, njeriut që solli demokracinë duke përmbysur komunizmin tipik shqiptar as Lindje e as Perëndim dhe shpiku bashkë me shokët e tjerë të tranzicionit plot lavdi, rrumpallën e bjeri t’i biem, të vrapojmë në tualet për t’u larë e shplarë dhe jo për të qetësuar zorrët!
Të kujtohesh për pasojën pa menduar më parë për shkakun është njëlloj si të vendosësh prezervativ mbasi ke mbaruuar punë në shtrat. Dhe mbi të gjitha, mbledh dhe mendjen se ke bërë seks të sigurt. Të ishte ndryshe në Shqipëri, do të thotë të kesh mundësi të parashikosh. Të parashikosh do të thotë të dish. Të dish do të thotë të kesh pak shanse të dëgjohesh. Dhe po nuk dëgjohesh duke bërtitur, kësaj ane të botës, nuk të merr kush seriozisht. Në vend të tyre, vëmendjen e tërheq vetëm shpërthimi: kësaj here i bombolës së gazit që plagosi dy dyzina me të pafajshëm në kryeqytet.
Kjo është një histori e vjetër në Tiranë.
Nesër, domethënë sot, se punët e mbara nisin nga e hëna, mbasi të shihet se të gjitha gazetat janë hapur me titullin: tmerr në Tiranë, bilanc lufte nga shpërthimi i gazit, mbasi të ngushëllohen të plagosurit në spital, mbasi t’u urohet shërim i shpejtë, do të vijë premtimi i rradhës: bombolat e pasigurta do të dalin nga qarkullimi se na bëjnë hatanë.
Sepse hataja duhet të ndodhë që të besohet në Shqipëri.









