Skuadra gjirokastrite e Luftëtarit mori një fitore të rëndësishme ditën e djeshme, në Shkodër përballë Vllaznisë, për sa i përket objektivave për Europën. Bregu dhe Abazaj vulosën fitoren 0-2, dhe tashmë bluzinjtë e shohin veten në vendin e tretë, dhe presin ndeshjen e Partizanit, që ka 2 pikë më pak, ndaj Skënderbeut.
I ftuar në emisionin Zona Gol, trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, flet për këtë ecuri të mirë të skuadrës, por ndalet edhe tek dyshja që po shkëlqen, Bregu-Abazaj, duke thënë se do të jetë shumë e vështirë të zëvendësohen.
Vendi i tretë…
Sigurisht që ne jemi në luftë për vendin e 3-të, por më shumë për një vend në kupat e Europës. Natyrisht që në punën tonë kemi pasur si qëllim të ngjitemi sa më lart.
Fitorja më e bukur?
Fitoret janë të gjitha njësoj, por ajo që më kënaq është që po konfirmohemi me rezultatet dhe një pjesë e lojtarëve po rriten nga java në javë.
Si është të punosh me kaq shumë talente?
Kam shkuar me shumë dëshirë te Luftëtari, pasi më ka pëlqyer shumë skuadra dhe kam gjetur një ambient mjaft të mirë, me djem të mrekullueshëm, të gatshëm për të punuar dhe për të të ndjekur. Jo vetëm Abazaj dhe Bregu, por edhe lojtarë të tjerë po bëjnë shumë mirë dhe meritojnë të vlerësohen për atë që shfaqin në fushën e lojës.
Do i zëvendësoni lojtarët që do largohen?
Mendoj se si Abazaj, ashtu edhe bregu janë deri diku të pazëvendësueshëm, por ne po kërkojmë për të gjetur lojtarë që mund të shndërrohen në yje, me kalimin e kohës.
A jeni gati për Europën?
Jemi akoma rrugës për t’u kualifikuar në Europë, por na duhet ende punë për ta siguruar. Mendoj se kemi një kolektiv që mund të arrijë të përballojë me sukses garat e Europës. Largimet e Abazajt dhe Bregut do të ndikojnë , por do të kërkojmë forca të tjera për t’i zëvendësuar. Kam besim se do të bëjmë diçka në këtë drejtim, gjithmonë pasi të sigurojmë kualifikimin.
A ka xhelozi brenda ekipit, për vlerësimin e jashtëzakonshëm ndaj Bregut dhe Abazajt?
Jo, nuk ka aspak xhelozi. Kam pasur fatin që punoj me një grup të tillë futbollistësh. Bëhet fjalë për një kolektiv mjaft të mirë, me djem që shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe e inkurajojnë njëri-tjetrin. Duartrokitëm Abazajn kur nënshkroi me Anderlechtin dhe ai sërish na e shpërbleu sot me atë gol që shënoi. Ata të dy nuk janë lojtarë të Luftëtarit tashmë, por sërish nuk kursehen në shërbim të skuadrës tonë.
Keni menduar për një Abazaj tjetër?
Do të mundohemi të gjejmë një futbollist që ka karakteristikat e tij. Për momentin nuk kemi ende një emër, që mund të themi, por jemi duke vëzhguar dhe punuar. Gjithsesi jemi të sigurt që Abazajn nuk e gjejmë dot. Pasioni dhe dëshira e tij është e veçantë, sa mund të them që është çelësi i suksesit.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/lika-qan-bregun-e-abazajn-te-pazevendesueshem-grupi-nuk-e-njeh-fjalen-xhelozi/