Nga Gjon Ndrejaj
Përpara disa ditësh, ministri i drejtësisë bëri me dije një nismë të kahershme të ministrave paraardhës , lidhur me hartën e re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, duke evidentuar faktin se do të reduktohet një numër i konsiderueshëm gjykatash. Kjo më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri të “gërmoj” edhe më tej në këtë tezë edhe për faktin se edhe kështu siç është, harta ekzistuese më duket e sakatosur.
Në vitin 2018 ka përfunduar një raport i grupit të punës me ekspertë italianë dhe vendas në kuadrin e projektit të financuar nga BE dhe KE me titull “Forcimi i Efiçensës dhe Cilësisë së Drejtësisë në Shqipëri – SEJ II”. Ky projekt referuar eksperiencës italiane dhe franceze ( O zot ! çfarë të përbashkëte kemi ne me këto vende , në këtë fushë) ka përcaktuar se është i nevojshëm një reduktim drastik i numrit të gjykatave në vendin tonë. Ky studim është mbështetur edhe nga KLGJ i cili ka propozuar që nga 22 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe 6 gjykata administrative të mbeten 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative. Po kështu nga 6 gjykata të Apelit parashikohet të mbetet vetëm një e tillë në Tiranë, duke shkurtuar kështu 19 gjykata.
Argumenti kryesor i kësaj “batërdie” është fakti se nga procesi i vetingut janë krijuar vakancat në numrin e gjyqtarëve si dhe fakti se kërkohet të minimizohen kostot e ndërtimit dhe të funksionimit të sistemit. Më duhet ta them që në krye të herës se të dy argumentet mbi të cilat është ndërtuar ky propozim, janë infantile dhe pa asnjë bazë shkencore,ekonomike dhe sociale.
Ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka përcaktuar disa objektiva lidhur me kompetencat tokësore për organizimin e pushtetit gjyqësor si; garantimin e aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën; uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike; rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara.
Bazuar në objektivat e mësipërme Ligji ka përcaktuar edhe një grup kriteresh detyruese në ndërtimin e këtij sistemi si;
a-Ndarjen administrative territoriale të vendit, zhvillimin demografik, numrin e banorëve në raport me numrin e gjykatave, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën rrugore dhe kushtet e transportit për në gjykata dhe midis gjykatave, si dhe karakteristikat gjeografike;
b-ngarkesën në gjykata, në lidhje me çështjet e ardhura, të përfunduara dhe në shqyrtim, efiçensën e gjykatave dhe gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë, burimet njerëzore në dispozicion, vendndodhjen dhe përmasat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Më tej ligji në mënyrë të pazakontë rreket të përcaktojë edhe numrin minimal të gjyqtarëve në gjykata.
Më herët ligji, në nenin 5/2 ka përcaktuar se; “Çdo person ka akses të barabartë në gjykatë, si dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij ligjore, siç parashikohet me ligj. Në fakt ky përcaktim nuk është as objektiv dhe as kriter për ndërtimin e sistemit por është një parakusht që buron nga Kushtetuta dhe “Deklarata e përgjithshme e të drejtave të njeriut” e OKB-së, e dhjetorit të vitit 1948 ku në nenin 10 të saj përcaktohet se: “Gjithkush gëzon njëlloj, të drejtën për një proces gjyqësor objektiv e publik para një gjykate të pavarur e të paanshme, në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të veta …”
Pavarësisht nga objektivat, kriteret dhe parakushtet e përcaktuara dhe duke i injoruar ato, KLGJ-ja është udhëhequr kryesisht nga ulja e kostove me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike. Studimi në fjalë si dhe vendimi i KLGJ-së është mbështetur kryesisht në ngarkesën e gjyqtarëve nëpër rrethe e cila është e ndryshme për shumë arsye dhe nuk ka marrë në konsideratë faktorë të tjerë përcaktues, ose siç e quajtëm më lart garantimin e aksesit në sistem, gjë e cila në thelb cënon të drejtat e qytetarëve. Si studimi ashtu edhe KLGJ-ja është mbështetur në të dhëna statistikore mesatare si për ngarkesën e gjyqtarëve në raport me numrin e çështjeve, raportin e gjyqtarëve me punonjësit administrativ, apo me numrin e popullsisë pa marrë parasysh faktorë të tjerë me karakter social.
Kur projektohen sisteme të tilla, mesataret nuk vlejnë. Edhe në se një qytetari të vetëm i është cënuar pamundësia e aksesit në gjykatë për shkak të sistemit, i gjithë sistemi duhet të rrëzohet. Zakonisht në projektimin e sistemeve të tilla merren parasysh faktorët ekstremë. Në hidroteknikë p.sh. në se jemi duke projektuar një tubo që do të mbledhë shkarkimin e ujërave për të përcaktuar seksionin e tubit, nuk merren për bazë prurjet mesatare, pasi kjo do të krijonte përmbytje por prurjet maksimale.
Studimi i referohet Italisë dhe Francës lidhur me ngarkesën e çështjeve për një gjyqtar por nuk merr parasysh shpërndarjen gjeografike të popullsisë, dendësinë e saj e cila në vendin tonë është sa gjysma e Italisë, apo infrastrukturën si do që këto përmenden si parime. Parimisht, në pikëpamjen time ky studim është i konceptuar gabim që në titull, kur thotë se studimi i atribuohet forcimit të efiçensës së sistemit të drejtësisë dhe nuk përmend efektivitetin e sistemit. Efiçensa merr në konsideratë minimizimin e burimeve në raport me maksimizimin e produkteve, ndërkohë që efektiviteti kërkon që kjo të përputhet me objektivat dhe të kënaqë përdoruesit e produkteve që në rastin konkret rezulton se nuk përputhen.
Por gjithë ky operacion në sistem nuk garanton ndonjë kursim të rëndësishëm të burimeve dhe është disproporcional me efektet negative që krijon në dhënien e shërbimit të sistemit të gjyqësor. Unë, jo vetëm druaj por jam i sigurtë se kjo masë jo vetëm që nuk do të shkurtojë afatet e shqyrtimit të çështjeve por do t’i shtojë ato. Nga ana tjetër shkurtimi i personelit të gjykatave nëpërmjet 19 syresh dhe përqendrimi i gjykatave në 12 qarqe do të rrisë kostos e shoqërisë në tërësi për shkak se palët, dëshmitarët, të pandehurit etj. do të duhet të udhëtojnë në distanca më të gjata dhe do të humbasim më shumë kohë dhe para. Gjyqet siç e dimë, anullohen dhe shtyhen në pafundësi për shkaqe nga më absurdet. Një herë mungon prokurori, një herë gjykatësi, një herë,dëshmitarët një herë avokati etj. etj dhe të gjitha këto reflektojnë kosto. Ta shohësh kursimin e burimeve në shkurtimin e pagave apo të shpenzimeve operative do të thotë të mendosh si “normist i fabrikës” jo si ekonomist dhe as si politikan vizionar.
Po kaq i pa bazë është edhe argumenti që referohet si mungesa e personelit gjyqtar për shkak të vetingut. Ne po projektojmë një sistem gjyqësor për një afat të gjatë dhe jo për një ose dy vjet që mund të jetë prezent ky faktor.
Sigurisht që nevoja për reformimin e sistemit është e vazhdueshme dhe ligji parashikon dhe lë hapësira për të tilla zhvillime. Kështu krahas gjykatave të qarkut do të ishte me interes fuqizimi i degëve të gjykatave,shkallëzimi i mëtejshëm i çështjeve që mund të gjykojë një gjyqtar i vetëm, heqja e kufizimit të numrit të gjyqtarëve në degët e gjykatave, rritja e mobilitetit të gjyqtarëve në degët e gjykatave etj.
Të gjitha sa më sipër që kanë të bëjnë në përqendrimin e gjykatave si dhe shkrirjen e Gjykatave të Apelit në një të vetme apo reduktimin në dy të gjykatave administrative do të sjellë në fund të fundit në zvarritjen e çështjeve, rritjen e kostos së shoqërisë në tërësi,në kufizimin e aksesit në sistemin e drejtësisë etj.
Nga ana tjetër tarifat e sistemit gjyqësor janë një shkak tjetër që cënojnë drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve dhe aksesin në sistemin e drejtësisë. Personalisht di raste që për shkak të tarifave të larta proporcionale, që duhen paguar për ngritjen e padisë disa qytetarë hezitojnë të ngrenë padi për shkak të mungesës së burimeve për të përballuar këto tarifa.
Këto tarifa i kanë kthyer gjykatat në subjekte biznesi të cilat sigurojnë të ardhurat dytësore dhe i përdorin vetë duke u bërë shpesh edhe shkak abuzimi për punonjësit administrativ. Këto tarifa nuk kanë asnjë bazë logjike dhe ekonomike për shkak se taksapaguesit kanë paguar një herë për ngritjen dhe funksionimin e gjykatave pavarësisht se të gjithë nuk janë përfitues të këtyre shërbimeve. Edhe për shëndetësinë paguhen kontributet nga taksapaguesit por jo të gjithë përfitojnë nga sistemi….
Gjon , kush po te ndigjon ?3caku musta
Faleminderit Caku