Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ishte i ftuar në emisionin Argument Plus. Çështja e listave të veteranëve të rremë ishte temë diskutimi për të gjithë, e këtë e diskutoi edhe kryeministri Haradinaj duke dhënë mendimin e tij për këtë veprim të vendosjes së veteranëve nëpër lista.Sipas tij të gjithë kanë krijuar përshtypjen se ka pasur shumë më pak ushtarë në luftën për çlirim të Kosovës, sesa ka pasur në të vërtetë.
Ai foli për zonën e Dukagjinit ku ishte komandant vetë, duke thënë se shumë nuk e kanë marrë statusin e veteranit edhe pse iu takon, e shumë të tjerë kanë vdekur gjatë këtyre 20 viteve sa nuk është arritur të bëhet klasifikimi i tyre.
Kryeministri krahasoi çështjen e veteranëve me Kroacinë, duke deklaruar se ata paguajnë 500 mijë persona për çmimin e lirisë, e nëse këto pagesa iu duken të larta institucioneve kosovare, atëherë sipas tij të mos i marrin askush, ose të mos lihen jashtë ata që vërtetë kanë luftuar.
Vetëm në zonën e Dukagjinit sipas Haradinajt kanë qenë mbi 50-60 mijë njerëz pjesëmarrës në luftën çlirimtare, duke deklaruar se Dukagjini “kanë luftuar i madh e i vogël”, e këtë e di më së miri ai, pasi se ka lëshuar as edhe një orë Kosovën gjatë kohës së luftës. (b.an)