Polici me inicialet V.H dyshohet se i mori jetën Spahiut teksa ai po udhëtonte me kamion, i shoqëruar nga djali i tij.
E në shumë media sot u raportua se polici i cili kreu vrasjen ishte pjesë e Mbrojtjes së Afër të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.
Por së fundi Haradinaj deklaroi hapur se polici nuk ishte asnjëherë pjesë e ekipit të tij, nga Mbrojtja e Afërt.
Gjithë këtë Haradinaj e lidhi me qëndrimin e tij të palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të këmbimit të territoreve, transmeton Indeksonline.
Sipas Haradinajt as kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme nuk do ta ndalin që të mbrohet Kosova.
Postimi i plotë:
Qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengoj shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin tim.
Përkundër që ne e dënuam vrasjen e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërtë, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërtë me emrin tim.
As kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh.
Kosova do të jetë ajo e 17 Shkurtit, për të cilën dhanë jetë luftëtarët tanë, sakrifikuan nënat dhe familjet tona, intelektualët tanë dhe çdo shqiptarë!