Qeveria e Kosovës i dërgoi Kuvendit për shqyrtim dhe miratim platformën e fazës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Ramush Haradinaj, u shpreh se kjo platformë ka për qëllim përmbylljen e fazës përfundimtare të këtij procesi duke qenë se dialogu ekzistues nuk po jep më rezultate.
Por kreu i ekzekutivit kosovar theksoi mes te tjerash se pret që lajmi për konfirmimin e liberalizimit të vizave, do të mbërrijë brenda disa javësh.
“Duke qenë kështu edhe nga bisedat që kam pasur, Kosova e ka kaluar atë mesataren e kërkuar për liberalizim, pra e ka të kaluar. Procesi nuk ndalet, do të kemi edhe një vlerësim tani në maj, edhe njëherë do të testohet gjendja, por unë e kam të sigurt dhe të qartë se në javët që vijnë do t’i konfirmohet Kosovës vendimi për liberalizim nga nivelet e larta të BE-së”. është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Mediat kosovare e citojnë Haradinaj të pohojë se gjatë takimit një ditë më parë me homologët e vendeve të rajonit dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që procesi i vizave të përmbyllet.
Raporti i BE-së, sipas tij i evidentoi dinamikat në rend dhe ligj dhe vlerësoi se është kaluar mesatarja e nevojshme për liberalizimin, ndaj vlerësimi mund të mbërrijë në muajin maj.
a.ç