Hapu Sazan, hapu o ti, histori!
Nga Eno Çollaku/
Pas një periudhe të gjatë kur përflitej për mundësinë e aksesueshmërisë për vizita të ishullit të mistershëm të Sazanit deri dhe në kthimin e këtij ishulli në një Monte Carlo shqiptar, tashmë, lajmi për mundësinë e vizitueshmërisë të Sazanit, vazhdon të gjenerojë kureshtje të madhe nga të interesuarit e brendshëm ashtu si dhe të jashtëm.
Ky ishull është unik për nga lloj i vet jo vetëm se Shqipëria ka pak në përgjithësi, por, se mbart në kurriz një historik po aq të pasur sa dhe plot marrëzi të epokës totalitariane komuniste. Pikërisht ky fakt e bën këtë ishull një mister për të eksploruar si pak vende të tjerë në vend dhe më gjerë, veçori që kontribuon në pasqyrimin e këtij ishulli në lajmet globale dhe guidave turistike.
Nuk duhet harruar se ky ishull ka qenë një pike nevralgjike ushtarake e erës enveriste, pasi ai regjim e kishte kthyer atë në një bunker të tërin për të aplikuar aty, atë që regjimi perceptonte si sakrificë sublime të proletariatit për shpëtimin e atdheut nga sulmuesit (imagjinar), “nën udhëheqjen e nënës parti dhe babait të kombit, shokut Enver”.
Përtej historikut të pasur, hapja e dyerve të ishullit për publikun e gjerë, ka dy avantazhe praktike. E para, është njohja e kësaj pjese të historisë së errët dhe komplekse të Shqipërisë, nga pjesa e popullsisë që nuk e ka përjetuar atë por që duhet të mësojë për të shkuarën për të qenë më të ndërgjegjësuar për të ardhmen, ose dhe nga ajo pjesë e popullsisë që ndoshta nuk ndjen nostalgji për të shkuarën, por, shikon një pjesë së identitetit dhe jetës së tyre në këtë ishull.
Avantazhi i dytë, lidhet sigurisht me përfitimet ekonomike që ky ishull mund të gjeneroj për ekonominë shqiptare. Hapja e Sazanit do bej të mundur jo vetëm vitalizimin dhe rimëkëmbjen e ishullit me anë të vetëfinancimit siç drejt u shprehë kreu i Agjencisë Kombëtarë të Turizmit, por, do promovojë imazhin e gjithë vendit në mediat botërore, të cilat me kalimin e kohës interesohen edhe me fuqishëm për këtë vend deri dje të panjohur për komunitetin ndërkombëtar.
Historia jonë para-pluraliste aq e dhimbshme por paradoksale dhe intriguese për mendjet perëndimore, mundet dhe duhet të shitet ashtu si dhe shume vende të tjera bëjnë, me atraksione edhe më pak të rëndësishme, siç janë ishuj me ish të dënuar të regjimeve ose dhe ishuj-vdekje të pacienteve me sëmundje të pashërueshme.
Shqipëria dhe qeveria e saj, më në fund kuptojnë më se miri që historia është për ta vizituar dhe jo fshirë, për ta promovuar dhe jo anashkaluar. Pas hapjes së BunArt, Shtëpisë së Gjetheve, ishullit të Sazanit, dhe ndoshta në të ardhëm të ndonjë burgu të epokës komuniste apo dhe thesareve të tjerë historikë, vendi mund të dali përfundimisht nga pushimet me “shalqi dhe djathë dhe të shkuma party” duke krijuar një traditë të re turistike dhe kulturore, ndërsa atraksioni i jashtëm do e nxjerri Shqipërinë nga errësira (post) komuniste.
Sazani u hap, historia dhe e ardhmja është e gjitha për ta shijuar..