Nëse Omer Mamo, Aqif Rakipi, Gledion Rehovica, Artan Gaçi, Armando Prenga dhe Mhill Fufi largohen, atëherë mandatet e tyre do tu pasohen emrave të tjerë në lista, duke i vendosur në pozicione të reja tre partitë e mëdha të koalicionit qeverisës.
Finalizimi i mundshëm i hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj gjashtë deputetëve, si subjekte të ligjit të dekriminalizimit, ndryshon automatikisht balancat e numrave në Parlamentin Shqiptar, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo lëvizje ndryshon ekuilibrat brenda tre partive kryesore në mazhorancë, duke dobësuar pozitat e Partisë Socialiste për shkak të shterimit të listës së kandidatëve për deputetë në disa qarqe.
Armando Prenga
Në qarkun e Lezhës Partia Socialiste do të humbasë tashmë edhe deputetin tjetër, Armando Prenga. Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi dje zyrtarisht KQZ-së që të ndërpresë mandatin e Prengës, duke paditur dhe vetë komisionin për mbrojtjen e tij. Me shumë gjasë, KQZ do t’ia ndërpresë mandatin Prengës, sikundërse bëri edhe me Selamin e Tahirin, duke marrë të mirëqenë informacionin e servirur nga prokuroria.
Por nëse kjo ndodh, PS ka në Lezhë vetëm një kandidat në dispozicion: Kastriot Pirolin. PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
Por edhe ky person rrezikon të mos e marrë mandatin. Ai është gjykuar dhe dënuar të paktën nga një shkallë e gjyqësorit për shpërdorim detyre pasi ka qenë drejtor i Hipotekës së Kurbinit, madje ka bërë edhe dy muaj burg për këtë çështje. Rasti i tij është apeluar dhe nuk ka vendim përfundimtar, por nuk dihet se si do ta interpretojë KQZ dhe Prokuroria këtë çështje. Në rast se Piroli nuk e merr mandatin, atëherë, bazuar në Kodin Zgjedhor, mandati i kalon partisë më të madhe aleate. Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputete bëhet Erisi Zaimi, kandidatja femër e LSI-së.
Mhill Fufi
Mhill Fufi është zgjedhur në vitin 2013 në listat e Partisë Demokratike, ku qëndroi për 3 vjet deputet. Kohët e fundit, për shkak të prishjes së marrëdhënieve të tij me Bashën, ai votoi pro mazhorancës dhe u përjashtua nga PD. Prej asaj kohe, Fufi llogaritet një votë më shumë e sigurt për PS-në. Madje për këtë favor, Rama i ka dhënë atij dy drejtori: burgun e Shën Kollit dhe drejtorinë rajonale të transportit rrugor. Në rast se ai humbet mandatin nga dekriminalizimi, e drejta e votës i kalon një emri tjetër: Blerina Zaja. Ajo është e teta në listë, por hyn për shkak të mos respektimit të kuotave gjinore. Si një njeri me lidhje të ngushta me Partinë Demokratike, vota e saj, ndryshe nga e Fufit, do të llogaritet për PD-në në opozitë dhe jo për koalicionin qeverisës. Pra, në rastrin konkret, Partia Socialiste humbet edhe një votë, duke e bërë më të ndërvarur ndaj aleatëve të tjerë, për të përfunduar mandatin qeverisës.
Omer Mamo
Në rast se në Fier PDIU humbet mandatin e deputetit Omer Mamo, atëherë, për shkak të mos respektimit të balancave gjinore, mandati i shkon kandidates së tretë në listën shumë emërore. Ajo është Brunilda Cami, e cila aktualisht mban postin e drejtores së spitalit të Fierit. Ajo është një njeri i afërt i Mamos, dhe në rast se ky i fundit humbet mandatin, marrëdhëniet e tij me Idrizin pritet të krisen, duke bërë që pasuesja e tij në parlament, të kontrollohet nga vetë Mamo dhe jo nga Shpëtim Idrizi. Vota e saj në parlament, në këto kushte nuk do të ishte krejtësisht e qartë nëse do të llogaritej apo jo për llogari të mazhorancës.
Aqif Rakipi
Aqif Rakipi është ndër deputetët më të fortë të PDIU-së dhe me influencë të madhe në Qarkun e Elbasanit. Nëse edhe ai do të jetë një viktimë e dekriminalizimit, mandati, përsëri për mos respektim të kuotacionit gjinor, i kalon të tretës në listë, Lindita Senija. Kjo e fundit po ashtu, nën ndikimin e drejtpërdrejtë nga Rakipi, mund të mos kontrollohet nga partia e tij, duke marrë në supozim zhgënjimin që Rakipi mund të ketë pas mos-garantimit të mandatit të tij nga Rama dhe Idrizi. Rrëzimi i “mitit” të Rakipit në Elbasan i jep favore Monika Kryemadhit, e cila po ashtu do të kryesojë listën e LSI-së në këtë qark. Beteja PDIU-LSI në këtë qark përcakton një mandat.
Gledion Rehovica
Me largimin e mundshëm të Gledion Rehovicës nga parlamenti, LSI rimerr në terrenin e saj të sigurt një mandat tjetër. Ftohjet e Rehovicës me Metën kanë filluar më shumë se një vit më parë, dhe së fundmi, Rehovica ishte më afër PS-së sesa LSI-së. Në këto kushte, nëse për shkak të ligjit të dekriminalizimit, KQZ dhe Prokuroria vendosin t’i ndërpresin mandatin Rehovicës, në parlament hyn Lefter Kuqo. Ai drejton një strukturë të fortë të LSI-së në emigracion dhe është besnik i Ilir Metës. Pra, me këtë lëvizje të mundshme, Partia Socialiste humbet votën e tretë në Parlament.
Artan Gaçi
Për mandatin e Artan Gaçit, gjithmonë nëse ai do ta humbasë në rast se prokuroria arrin në konkluzionin se është i prekur nga ligji i dekriminalizimit, nuk ka asnjë ndryshim mes balancave mes PS-së dhe LSI-së. Largimi i mundshëm i Gaçit do të sillte përkohësisht në parlament, Bledar Doracajn. Ai është i 19-i në listë dhe mban aktualisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të gjendjes civile. Ai është një njeri i besuar i partisë së tij dhe nuk sjell asnjë lëkundje balancash.
dy.b/shqiptarja.com – See more at: http://shqiptarja.com/home/1/hetimi-i-deputet-ve-llalla-prish-balancat-mes-ps-lsi-dhe-pdiu-403062.html#sthash.0yFhzcr8.dpuf