Operacioni i autoriteteve greke për goditjen e një grupi të madh trafiku droge, i kryesuar nga një shqiptar i quajtur “Eskobari i Ballkanit” është komentuar edhe nga drejtori i Policisë Haki Çako. Ai tha se operacioni është kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare por edhe ato amerikane, ndërsa nuk dha një sqarim për pozitën e drejtorit të Transportit Rrugor Sarandë Klemend Balili, emri i të cilit u lakua nga Partia Demokratike dhe mediat greke.
“Kam dijeni, është operacion i përbashkët me policinë amerikane të drogës, DEA-n, policinë greke dhe disa partnerë. Është një nga operacionet me të suksesshëm në luftë kundër krimit të organizuar. Ka shumë më shumë se sa thuhet në aspektin investigativ. Është bërë shumë zhurmë për këtë gjë. Subjektet nuk mund t’i komentoj për shkak të hetimit dhe karakterit që ka çështja. Janë hetime, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Janë personazhe të botës së krimi.”, deklaroi Çako.
I pyetur drejtpërdrejt a është nën hetim drejtori i transporteve në Sarandë, kryepolici Çako tha se nuk kishte asnjë koment.
Operacioni konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe BE./a.m.









