“Referendumi nuk e zgjidh legjitimitetin e Ramës në krye të PS”. Kështu shprehet deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, Mimoza Hafizi, e ftuar në “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV.
Vendimin e Kongresit për t’iu drejtuar anëtarësisë për mandatin e kryetarit të PS, Hafizi e cilëson të padobishëm, pasi sipas saj, në pyetjen që i drejtohet socialistëve, duhet parë përkufizimi i “fitores”, si shkak për vazhdimësinë e mandatit në krye të PS.
Sipas saj, fitorja e zgjedhjeve dhe qeverisja janë ndërtuar në bazë koalicioni, ndërsa vetë PS duhet të shohë rezultatet në krahasim me zgjedhjet e kaluara. “Unë besoj që një proces zgjedhor, përpara votuesve shqiptarë, kur një parti ka krijuar një koalicion të gjerë, nuk e zgjidh problemin e kryetarit të njërës nga partitë që ka fituar qeverisjen. Se pastaj, përkufizimi i fitores është për tu parë. Kemi fituar zgjedhjet? Por si janë rezultatet tona në krahasim me zgjedhjet e mëparshme? Problemi i kryetarit të PS nuk legjitimitohet nga një pyetje referendare. Ka një vit e gjysmë që s’kemi kryetar të legjitimuar dhe që të kemi një të tillë, ai duhet të futet në proces zgjedhor“, u shpreh Hafizi.
Kongresi i 19 marsit, tha ajo, nuk miratoi nen për nen statutin e ri, por vetëm në parim, çka do të thotë se aktualisht PS “qeveriset” nga statuti i vjetër. “Ne aktualisht kemi një dokument të miratuar në parim i cili i ka dhënë të drejtë grupit të punës të rishikojë dokumentin nen për nen. Kështu që duhet të kemi një Kongres tjetër për të miratuar këtë dokument. Aktualisht i bie të funksionojmë me statutin e vjetër, atë të deri 19 marsit“.
Ajo thekson sërish se deputetët kritikë në PS do të insistojnë për çeljen e garës së zgjedhjeve për kryetar partie.
Hafizi ka rezerva edhe për qeverisjen, ku sipas saj, një forcë e majtë politike, si PS, duhet të ishte më pranë të varfërve. Ajo tha se për këtë qëllim, është më pranë platformës “Blushi” për tatimin e kapitalit.
Duke folur për anëtarësimet në PS, Hafizi theksoi se të rinjtë vijnë në këtë forcë politike për pragmatizëm, për të fituar një vend pune dhe jo për bindje apo idealizëm politik.
Referendumi është një lloj mekanizmi për të zgjidhur ngërçin në statut? E tejkalon ngërçin e krijuar?
Për mendimin tim nuk ka për të ndryshuar asgjë në situatën aktuale kur mandati i kryetarit të PS është jolegjitim. Kjo për disa arsye. Ne i kemi argumentuar prej disa ditësh pa e ditur se cila do të jetë pyetja e qartë e referendumit. Unë them se ka dy mundësi, që kjo të jetë një pyetje referendare që është e përcaktuar në statutin e partisë që do të prekë një çështje programore ose statutore. Pyetja mund të jetë p.sh “A mendoni të nderuar anëtarë të PS-së se kur PS-ja merr legjitimitetin, kryetari e merr legjitimitetin automatikisht”? Kjo është një pyetje statutore. Dhe nëse anëtarësia e PS-së thotë “Po”, kjo i jep garanci asaj pikës që është futur në statutin aktual, që me futjen në këtë pikë, jo vetëm delegatët ishin dakord, por edhe anëtarësia e PS ishte dakord. Por kjo nuk do të thotë se zgjidhet problemi i kryetarit të PS-së. Legjimiteti i tij do të zgjidhej vetëm në momentin kur pyetja do të ishte: “A jeni dakord që Edi Rama të jetë kryetar i PS-së”? Kjo është pyetje e një procesi zgjedhor dhe ai s’mund të zhvillohet vetëm me një kandidaturë. Prandaj jemi në një “inpass” dhe ky referendum nuk ka për ta zgjidhur çështjen. Dhe kur pyetja të zbulohet ne do të themi se pyetja është referendare, “Ok”, atëherë duhet të konsultohemi me Asamblenë.
Logjika e pyetjes është kjo, “A duhet të votohet kryetari i partisë kur është Kryeministër”. Nëse shtrohet kjo pyetje në referendum ju si do reagoni?
Do të pres gjykimin e anëtarësisë së PS. Nuk kam ndonjë opinion për këtë çështje. Unë besoj që një proces zgjedhor, përpara votuesve shqiptarë, kur një parti ka krijuar një koalicion të gjerë, nuk e zgjidh problemin e kryetarit të njërës nga partitë që ka fituar qeverisjen. Se pastaj, përkufizimi i fitores është për tu parë. Kemi fituar zgjedhjet? Por si janë rezultatet tona në krahasim me zgjedhjet e mëparshme? Problemi i kryetarit të PS nuk legjitimitohet nga një pyetje referendare. Ka një vit e gjysmë që s’kemi kryetar të legjitimuar dhe që të kemi një të tillë, ai duhet të futet në proces zgjedhor.
Mendoni se Kongresi s’e ka kaluar këtë “inpass” duke ndryshuar statutin?
Nuk është ndryshuar statuti. Ua thash. Nga pikëpamja juridike nuk është ndryshuar. Një nga nenet që duhej të miratohej ishte neni 40 i cili thoshte që, kur partia është në pushtet, kryetari mund të mos kalojë në proces zgjedhor dhe do kalojë në proces zgjedhor nëse kërkojnë 10% e delegatëve. Kjo pikë s’është miratuar sepse nuk është miratuar statuti nen për nen në Kongres. Supozojmë se kjo do të ishte kaluar edhe kjo pikë, atëherë duhej t’i lihej kohë delegatëve që të kenë kohë të organizohen dhe të mbledhin firmat se kush e di që 10% e delegatëve nuk janë dakord që t’i kërkojnë Kongresit nisjen e procesit zgjedhor.
Në parim u votua me 99% të votave. A mendoni se ishit në pozicion tejet minorancë?
Nga pikëpamja e numrave të shprehur në një mënyrë të hapur, por nuk ishim në minorancë në mënyrë logjike. Shifrat i ka prodhuar një histori e gjatë në PS ku përgjithësisht debati nuk është zhvilluar. Prej 3 vitesh në qeverisje strukturat e PS nuk funksionojnë dhe kjo është çështje e ngritur prej muajsh. PS i është shmangur debatit.
Por grupi parlamentar është mbledhur çdo javë…
Kur kemi tentuar të hapim probleme partiake na janë ngritur barriera. Na është thënë se problemet partiake nuk diskutohen në grupin parlamentar. Blushi ka qenë shumë aktiv dhe që në krye të herës që në fillimet e 2014-ës, ka kërkuar që PS të hyjë në proces zgjedhor. Ai ka ngritur zërin, bashkë me znj.Dade se pse nuk ngrihet kryesia, pse nuk funksionojnë strukturat e PS. Jam bërë shumë e ndjeshme kur z.Blushi shpalli kandidaturën. Dhe këtu pash që problemi s’ishte teorik, por praktik. Z.Blushi shpalli dëshirën për të kandiduar dhe në këtë moment kam filluar të jem aktive se e kam quajtur të papranueshme se statuti duhet të lejojë garën me dy kandidatë.
Do të krijoni një lloj fraksioni në PS?
Fraksionet nuk janë të lejuara në PS dhe nuk do të veprojmë kundër normave të partisë. Jemi betuar që do të veprojmë brenda normave të partisë, por duam që këto norma të njihen dhe të respektohen. Do përpiqemi që deri në fund të themi fjalën e lirë.
Diskutimet e ministrave në Kongres, si ju dukën?
Ishte një pjesë e Kongresit, por e panevojshme sepse ministrat kanë gjithë kohën për të analizuar punën. Duhej të ishim fokusuar më tepër në problemet e PS, se si ministrat kanë reflektuar kontaktet me PS për të sjellë frymën e PS në qeveri. S’jam njeri që shijoj butaforinë, se unë jam njeri që shijoj gjërat e thjeshta. Të isha unë s’do e kisha organizuar kështu Kongresin. Do të kisha bërë diçka më të dashur për qytetarët.
Grupi i punës ia kishte arritur të përgatisë një dokument që shteron problemet në PS?
Nga bisedimet që kam patur me znj.Vasilika Hysin, më ka garantuar se në këtë projekt janë marrë në shqyrtim të gjitha propozimet. Propozimet e z.Blushi janë marrë në konsideratë dhe një pjesë e tyre kanë edhe kontributin tim. Thuajse në të gjitha pikat, janë konsultime të përbashkëta, duke dhënë mendime për disa reduktime, apo theksime në disa pika. Ka qenë një diskutim i përbashkët. Këto propozime, sipas Vasilikës, janë futur në statut. Dhe unë Vasilikës i besoj.
Propozimet e Blushit për qeverisjen, tingëllojnë si një platformë alla-Tsipras. A mendoni se e majta, që nga Tony Blair, Gerhard Shrëder, e ka tejkaluar kufirin ideologjik…
Unë vazhdoj t’i besoj faktit që një parti socialiste duhet të ketë ideologji. S’mund të jetë e detajuar deri në imtësira, por ka disa normë themelore dhe këto norma janë të paprekshme për një parti. Dhe këto norma shkruhen edhe në statutin e partisë. Në rastin e propozimeve të z.Blushi, aty s’është e integruar vetëm ideologjia, por edhe fakti i realitetit shqiptar, ku hendeku mes të varfërve dhe të pasurve është shumë i madh. Pra, kemi të bëjmë edhe me një nevojë që një parti e majtë duhet të hedhë sytë tek shtresa e varfër.
Nëse shtohen taksat, kapitali s’arrin të zgjerojë vetveten dhe të prodhojë vende pune…
Gjithashtu ka momente që një shoqëri të taksojë kapitalin, por ka dhe momente që ta ndihmojë kapitalin. Kam bindjen që në periudhën aktuale në Shqipëri, domosdo që politikat qeverisëse duhet të jenë të fokusuara te shtresat e varfra. S’duhet të lejojmë që në Shqipëri të ketë kaq të varfër.
Si e shikoni reformën e qeverisë në “Arsimin e Lartë”?
Për mbylljen e universiteteve informale p.sh, duhej të kishim një stekë më të lartë. Shpresoj që këtë ta zgjidhë procesi i akreditimit i cili duhet të kishte filluar që para 2 vitesh. Po shkojmë në mesin e 2016-ës dhe këtë nuk e kemi akoma, por procesi po zvarritet. Kemi kalimin e një ligji. Unë kam qenë shumë aktive ndaj këtij ligji sepse ka një pjesë të diskutueshme e për një kategori universitetesh që ligji ia imponon arsimit shqiptar, i cili favorizon universitete aktuale private. Ne ia arritëm që vendimi për të hapur këtë lloj sistemi, u shty për një 2-3 vjeçar dhe në fjalën time në parlament, kam thënë që fatmirësisht ia arritëm që vendimin për të hapur këtë lloj sistemi në arsimin e lartë i është lënë pas 2017-ës dhe partitë politike do të tregojnë se cili është pozicioni i tyre në universitetet shqiptare. Ka kaluar një ligj, por s’po shohim aktet nënligjore për zbatimin e tij. Presim të ndryshojë komplet skema e financimit. Aty ka dhe disa nene që duhet të zbërthehen në disa akte ligjore.
Në PS, ka krijuar debat lista e deputetëve në Shkodër dhe Lezhë. Jeni deputete e Shkodrës, si ndjeheni kur keni garuar me këta…?
Edhe në fjalën time në Kongres këtë kam theksuar… Për mua ka qenë një punë e vështirë dhe jam ndjerë e izoluar për shkak se pjesa tjetër e listës ishin njerëz që vinin nga një botë tjetër, dhe ishte e pamundur të bëjë diçka të përbashkët për Shkodrën. E kam patur këtë listë që në momentin e parë dhe jam shprehur se jam njeri që nuk pranoj e nuk bëj kompromise. Ja kam thënë dhe kryetarit e kur ia kam thënë ishte fushata, por vëmendja ishte të merreshin sa më shumë vota. Më vonë, kam kërkuar fort që të kem influencë politike në Shkodër, atë partiake, por nuk mu dha. Kam bindjen se për një parti të madhe si PS, kjo kategori nuk sjell asnjë votë. Për partitë e vogla ndoshta.
Polemizuat me Ramën edhe në Shkodër, në takimin e fundit…
S’e kisha menduar më përpara, por kisha vënë kusht për pjesëmarrjen të merrja fjalën për të thënë dy fjalë gjatë anëtarësimeve. E mora atë fjalë se më duket et papranueshme që të rinjtë që vijnë, të jenë të orientuar nga interesat pragmatiste, që vijnë për punësime, etj, por thash se duhet të vijnë për të bërë një karrierë të gjatë. Dhe më pas të marrë atë që meriton.
Si e gjykuat reagimin e sallës?
Mu duk shumë pozitiv. Edhe kur hyra, njerëzit që ishin në tribunën lart si dhe në platenë poshtë, ishin njerëz më të cilët kam punuar prej vitesh. Janë njerëz të dashur të PS.
E shikoni mundësinë e krijimit të një subjekti të ri politik?
S’mund të prononcohem derisa hapat, ato që ne kërkojmë, nuk janë diskutuar deri në fund. Si p.sh diskutimi në bazë, në PS të ndërtohet një sistem i saktë karriere, që njerëzit të vlerësohen, të respektohen normat, të zgjidhet kryetari i PS, që s’është zgjedhur ende.
Kërkoni sërish zgjedhje, pavarësisht se Kongresi vendosi për referendum?
Ta shohim se çfarë do të kërkojmë në referendum… – See more at: http://shqiptarja.com/Politike/2732/referendumi-hafizi-s–39-jep-zgjidhje—duhet-par–p-rkufizimi-i-fitores-348093.html#sthash.epmKc221.dpuf