Në paraqitjen që i kemi bërë ditarit të ish-ambasadorit tonë në Greqi në vitet ’80 të shekullit të kaluar, nënvizuam rëndësinë dhe vëmendjen që i kushtonte udhëheqësi Enver Hoxha marrëdhënieve dypalëshe me fqinjin tonë jugor.
Në ditën 5 shtator 1982 që i kumtoi lajmin, se ai, Ksenofon Nushi, ishte caktuar ambasador i Shqipërisë në Athinë, Enver Hoxha e porositi:
“Ne jemi për miqësi me popullin grek dhe dëshirojmë që marrëdhëniet midis të dy vendeve tona të marrin zhvillim të mëtejshëm, aty ku kemi interes reciprok. Me Greqinë duhet të arrijmë të kemi një situatë sa më normale. Vitet e fundit ka një rritje të dashamirësve të Shqipërisë socialiste atje, por krahas kësaj rritjeje, në Greqi ka edhe armiq të shumtë, si nga radhët e reaksionit grek, ashtu edhe te ndonjë prej qeveritarëve të sotëm.”
Kur e botuam këtë njoftim, më 19 shkurt 2021, lajmëruam se do të botojmë edhe pjesë nga ditari tejet interesant i ish-ambasadorit Nushi.
Sot po botojmë dy radiogramet që ambasadori Nushi ka dërguar në Tiranë, pas takimeve me Presidentin Karamanlis dhe zv/ministrin e jashtëm të Greqisë, Karolos Papulias.
Është interesant fakti se në këto dy radiograme vërehet vëmendja maksimale që Athina zyrtare iu kushtonte marrëdhënieve me Shqipërinë.
Përgatiti për botim Xh. Shehu
RADIOGRAM MINISTRISË SË JASHTME URGJENT
Sot, më 27 shtator, u prita nga presidenti i Greqisë, Karamanlis.
Sapo fillova të formuloj formulën e zakonshme të paraqitjes së kredencialeve, u afrua dhe më dha dorën. Biseda filloi, duke më pyetur nëse kisha qenë më parë në Athinë. Iu përgjigja se ishte hera e parë. Vazhdova bisedën duke i shprehur kënaqësinë për arritjet në shkëmbimet dypalëshe, në veçanti në fushën e tregtisë, i fola për përgatitjet që bëjmë në vendin tonë për ruajtjen e indipendencës nga synimet e armiqve, për parimin e mbështetjes në forcat e veta si dhe për dëshirën e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona në frymën e miqësisë dhe të interesit reciprok. Presidenti Karamanlis ndërhyri duke thënë se edhe Greqia lufton për indipendencën e saj dhe shtoi, se Greqia nga ana e saj do të përpiqet që të ketë marrëdhënie sa më të mira me Shqipërinë. Ne do të forcojmë marrëdhëniet, tha ai dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Kjo që thoni, iu përgjigja, është një nga parimet e politikës së jashtme të shtetit shqiptar në marrëdhëniet me vendet e tjera dhe gjithkush duhet të jetë zot në shtëpinë e tij.
Karamanlisi më pyeti se “Si është sivjet gjendja ekonomike në vendin tuaj”. Iu përgjigja, se në industri dhe bujqësi planet po realizohen plotësisht dhe i shtova, se megjithë thatësirën e madhe, bujqësia ka patur rezultate të kënaqshme. Kemi një zhvillim të harmonishëm të ekonomisë dhe nuk kemi asnjë dollar apo rubël borxh. Karamanlis u përgjigj, se është diçka fondamentale që të mos kesh asnjë borxh. Po, i thashë, ky është realitet. Si është e mundur që në një regjim të tillë autokratik të arrihet një gjë e tillë? Jo, iu përgjigja, ne nuk jemi një shtet autokratik. Ja, për shembull, me Greqinë para dhjetë vitesh shkëmbimet tregtare nuk e kalonin shumën e një milionë dollarëve, ndërsa në vitin e kaluar ato kapën shifrën e rreth 70 milionë dollarëve. Shqipëria sot bën tregti me të gjitha vendet e botës, përjashto SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik, dhe kemi parimin që, për të blerë, më parë duhet të shesësh.
Karamanlisi më pyeti më pas se “Sa vjeç është presidenti juaj?” E pyeta: “Për cilin e keni fjalën; për shokun Enver Hoxha?”. “Po”, më tha. I thashë moshën. “Qenkemi në një moshë”, ndërhyri Karamanlisi, “por ai tregon shumë më i ri”. Më pas Karamanlisi u interesua të dinte numrin e popullsisë së Shqipërisë. Ia thashë. “Po jashtë Shqipërisë, sa keni?”. I thashë se më shumë se dy milionë shqiptarë jetojnë në Jugosllavi. “Po në Kosovë, sa ka?”, më pyeti. Iu përgjigja duke i dhënë edhe shifrat e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Kur dëgjoi Maqedoni, pyeti. “Përse thonë Maqedoni në Jugosllavi? Ajo, Maqedonia, është greke dhe jo jugosllave”. Iu përgjigja, se jugosllavët e quajnë atë Maqedoni dhe ne e përmendim atë njësoj si ata.
Si e shikoni zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë? pyeti Karamanlisi. Iu përgjigja, se kërkesat e popullsisë shqiptare në Kosovë, e cila banon në trojet e veta, për t’i dhënë statusin e Republikës në kuadrin e Jugosllavisë federative, është rrjedhojë e mos zbatimit të Kushtetutës jugosllave karshi tyre, e pabarazisë së madhe të krahinës së Kosovën në krahasim me republikat e tjera dhe e mos lejimit të zhvillimit të arsimit dhe të kulturës kombëtare nga ana e serbomëdhenjve. Këto të drejta të shqiptarëve të Kosovës populli ynë i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë edhe në të ardhmen. Autoritetet jugosllave kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë terror atje, por kjo rrugë nuk do të ndihmojë që të qetësohet situata, përkundrazi, do ta acarojë atë. Autoritetet jugosllave duhet të pushojnë terrorin, persekutimet, të ndalojnë shtypjen nacionale, t’u njohin të drejtat që u takojnë shqiptarëve atje dhe pastaj qetësisht të bisedojnë në barazi me popullin e Kosovës.
Karamanlisi në vazhdim të bisedës tha, se në Shqipëri ka një minoritet grek. Iu përgjigja se po, në atë që quhet Dropull. Dua të di, tha, a ka shkolla greke dhe a i gëzon minoriteti grek të gjitha të drejtat e qytetarëve. Iu përgjigja, se ata kanë shkolla fillore në gjuhën greke në të gjithë fshatrat e tyre, kurse në Gjirokastër ka një shkollë pedagogjike, që përgatit mësuesit për këto shkolla. Minoriteti grek gëzon të gjitha të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë u siguron të gjithë qytetarëve të saj. Dhe këto të drejta zbatohen me rigorozitet. Bile, ata që përfitojnë të parët nga masat që merr qeveria për përmirësimin e nivelit të jetesës së punonjësve janë minoritarët. I shtova, se shoku Enver Hoxha, kur ka vizituar minoritetin në vitin 1978, iu ka thënë vëllezërve tanë minoritarë që të ruajnë dhe të zhvillojnë gjuhën greke dhe i porositi ata që edhe fëmijët e tyre duhet ta mësojnë atë, ndërsa ata vetë nuk duhet ta harrojnë. I përmenda, se këtu në Greqi kemi disa studentë shqiptarë që studiojnë në universitetet greke dhe gjysma e tyre janë minoritarë.
Presidenti Karamanlis, në këtë moment shikoi në sy edhe zëvendësministrin e Jashtëm, Kapsis, si dhe sekretarin e përgjithshëm të presidencës, Moliviatis, të cilët ishin prezent në takim.
Të kuptohemi, tha në vazhdim të bisedës Karamanlis, ne nuk kemi asnjë pretendim karshi trajtimit të minoritetit grek në Shqipëri. Nëqoftëse e përmenda këtë, e bëj se nuk duam që minoriteti grek të ketë kërkesa për të drejtat e tij, se këto pastaj do të prekin edhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona, ashtu siç po ngjet tani me Jugosllavinë për çështjen e Kosovës, gjë të cilën ne nuk e duam, por në të kundërtën dëshirojmë që midis nesh të kemi marrëdhënie sa më të mira në të gjitha fushat.
Para se të ngriheshim, Karamanlis më tha: “T’i transmetoni presidentit Enver Hoxha përshëndetjet e mia”.
E falënderova. Biseda vazhdoi rreth 15 minuta dhe ishte e lirë.
Çeno, 27.9.1982
E enjte, 7 Tetor 1982
Në orën 12:00 më priti në Ministrinë e Punëve të Jashtme zëvendësministri, Papulias. Përpara se të shkoja në zyrën e tij, doli Mazaraqi dhe erdhi e më përshëndeti. Papulias u tregua i sjellshëm dhe më foli për kontributin e përbashkët që kanë dhënë të dy popujt tanë në luftën kundër armikut fashist.
Po me të njëjtat ndjenja iu përgjigja edhe unë.
Unë i fola për marrëdhëniet e mira që kemi arritur dhe për dëshirën tonë që ato të zhvillohen edhe më shumë në të gjitha fushat. Tha edhe Papulias disa fjalë dhe pastaj vazhdoi, se “do të takohemi përsëri për të diskutuar konkretisht”.
Më pyeti për dërgimin e grupit diversionist në vendin tonë dhe se cilët ishin ata që e dërguan atë. Po të mos e bënte këtë pyetje, nuk do t’i kisha folur mbi ngjarjet e djeshme. Përgjigjen time e lidha pikërisht me ngjarjet e djeshme. Papuliasi dëgjoi me vëmendje, nuk më ndërpreu dhe kur mbarova tha: “Më vjen mirë që ju jeni për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve…”.
RADIOGRAM MINISTRISË SË JASHTME URGJENT
Sot në drekë më priti zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Papulias. Ishte i pranishëm edhe drejtori politik, Mazaraqi. Bisedën Papuliasi e filloi duke shprehur kënaqësinë që takohemi dhe për më tepër që ai vetë është nga zona e Epirit. Kujtoi se kishte luftuar bashkë me partizanët shqiptarë në luftën e madhe kundër fashizmit. Edhe unë iu përgjigja me të njëjtat fjalë, duke shprehur kënaqësinë për takimin dhe luftën tonë të përbashkët kundër fashizmit dhe vazhdova t’i flas për politikën tonë të fqinjësisë së mirë, të kënaqësisë që kemi për arritjet në shkëmbimet tregtare me Greqinë dhe për dëshirën tonë që këto të zhvillohen edhe më tej. I përmenda se kemi vite që kemi paraqitur disa projektmarrëveshje, siç është ajo për kufirin, për të cilën kanë filluar edhe bisedimet si dhe ato për bashkëpunimin në lidhjet rrugore, për Radio-Televizionin, Agjencitë e Lajmeve, për marrëdhëniet në fushën e kulturës etj.
Pasi më dëgjoi, Papulias vazhdoi duke thënë se edhe qeveria greke dëshiron të ketë marrëdhënie sa më të mira me Shqipërinë, pasi midis dy vendeve nuk ka probleme parimore, por ka disa probleme të varura dhe se për këto, ai vetë ka menduar, se në një takim tjetër do të diskutojmë si për propozimet tona ashtu edhe për ato të tyre. Edhe unë u shpreha dakord.
Më pas Papulias më pyeti për lajmin që u dha për asgjësimin e bandës së diversantëve të hedhur nga deti. Iu përgjigja, duke i thënë aq sa thuhet në komunikatën e Ministrisë tonë të Brendshme. Pyeti se kush e ka organizuar këtë bandë. Iu përgjigja reaksioni ndërkombëtar, i cili kërkon të krijojë vështirësi për pushtetin popullor në Shqipëri. Më pas bisedën e kalova në provokacionet që u bënë dje para përfaqësisë tonë nga elementë armiq, të cilët janë kundër miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë fqinjë, duke i përmendur se dje pasdreke u mblodhën disa dhjetëra vagabondë, aventurierë dhe rrugaçë para ambasadës tonë, midis të cilëve gjendeshin edhe tre priftërinj me Sebastianosin në krye si dhe katër të arratisur nga Shqipëria, të cilët e kishin fytyrën të mbuluar me maskë. Ata hodhën parulla dhe thanë poshtërsia kundër vendit tim dhe udhëheqësve të mi. Ata ngritën zërin për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Mund t’ju them, vazhdova, se minoritarët në Shqipëri gëzojnë të gjitha të drejtat, pasi ato u janë garantuar nga Kushtetuta e vendit tim. Shoku Enver Hoxha, kur vizitoi minoritetin grek në vitin 1978, bëri një deklaratë shumë të rëndësishme, të cilën ia përmenda. I thashë se këtë deklaratë ia përmenda edhe presidentit Karamanlis gjatë paraqitjes së letrave kredenciale.
Ndërhyri Mazaraqis dhe tha “Kështu është”. Në minoritet, vazhdova, ka shkolla në gjuhën greke në të gjitha fshatrat si dhe ka një shkollë pedagogjike në Gjirokastër, në të cilën përgatiten mësuesit për shkollat fillore. Në Greqi kemi disa studentë dhe gati gjysma e tyre janë minoritarë. Këto nuk bëhen se i kërkoni ju grekët, por këto i bën Partia jonë e Punës, se komunistët shqiptarë janë internacionalistë.
Ambasadorët tuaj e kanë vizituar vazhdimisht minoritetin. Po ashtu atë e kanë vizituar edhe personalitetet e larta greke, që kanë ardhur për vizitë në Shqipëri. Edhe ansamblet artistike greke kanë dhënë shfaqje në minoritet. Që të gjithë i kanë parë me sytë e tyre ato që ju them. Ata që këtu në Greqi flasin për një të ashtuquajtur Vorio Epir, ta dinë mirë se ky nuk ekziston dhe se në Shqipëri nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Populli shqiptar nuk është trembur asnjëherë nga perandoritë, as nga superfuqitë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, apo fuqitë e tjera imperialiste dhe nuk mund të trembet as nga dhespotët dhe miqtë e tyre. Midis dy vendeve tona vazhdon të jetë në fuqi ligji i gjendjes së luftës. Ne mendojmë, se ky ligj duhet të hiqet nga ana juaj. Vazhdova t’i them Papuliasit, se megjithë këtë, qeveria shqiptare dëshiron që midis dy vendeve tona të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe që këto marrëdhënie të zhvillohen edhe më tej, sidomos aty ku kemi interes reciprok.
Kur i fola për demonstratën përpara përfaqësisë tonë, i fola me qetësi. Nga ana e tij Papulias u përgjigj: “Edhe qeveria greke është për marrëdhënie të mira midis të dy vendeve tona dhe më pëlqen që edhe ju e theksuat këtu në mbyllje të bisedës tuaj. Ligjin e luftës ne do ta heqim. Ne jemi të kënaqur nga trajtimi që i bëhet minoritetit grek në Shqipëri. Ky minoritet do të jetë në të ardhmen një urë, që do të forcojë akoma më shumë miqësinë midis të dy vendeve. Siç ju thashë po ngarkoj Mazaraqisin të përgatisë dosjen me projektmarrëveshje të paraqitura nga të dy palët dhe do t’ju lajmëroj se kur do të bisedojmë përsëri”.
Për provokacionet para përfaqësisë tonë nuk tha asnjë fjalë. Biseda u zhvillua normale.
Çeno, 7.10.1982