Nuk ka asnjë emergjencë që justifikon dërgimin e Gardës Kombëtare në Illinois dhe presidenti amerikan po “përpiqet të krijojë një krizë të rreme”, tha JB Pritzker në një deklaratë, citon BBC
Trump ka vendosur tashmë rreth 2 mijë trupa në Uashington DC, ku qeverisja lokale është gjithashtu në duart e demokratëve, si pjesë e një fushate që ai e portretizon si një goditje ndaj krimit në qytetet amerikane.
Të premten, Trump tha se do ta zbatonte këtë politikë edhe në Çikago dhe Nju Jork, dy qytete të tjera të mëdha të kontrolluara nga demokratët.
Kryetari i Bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, u përgjigj ndaj komenteve të presidentit Trump, duke thënë në një deklaratë se ai nuk kishte marrë asnjë informacion për një dislokim të mundshëm të Gardës Kombëtare në qytet.
Ai shtoi se qeveria lokale ka “shqetësime serioze” për çdo dislokim të trupave, duke e quajtur qasjen e presidentit “të pakoordinuar, të panevojshme dhe të gabuar“.
Sipas tij, një dislokim i tillë “i paligjshëm” mund të “nxisë tensione mes qytetarëve dhe forcave të rendit”, dhe të rrezikojë përparimin që qyteti ka bërë në uljen e krimit.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar që personeli i Gardës Kombëtare që patrullon në rrugët e Uashingtonit të jetë i armatosur, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump kundër asaj që ata e përshkruajnë si “krim të pakontrolluar” në qytet.
Vetëm javën e kaluar, Pentagoni dhe Ushtria Amerikane deklaruan se trupat e përfshira në këtë dislokim, të cilët tani janë rreth 2 mijë, nuk do të mbajnë armë.
Ndërsa administrata Trump e ka vlerësuar lart këtë mision, sondazhet tregojnë se ai është thellësisht jopopullor mes banorëve të Uashingtonit, një qytet tradicionalisht demokrat.
Në një deklaratë, Pentagoni tha se trupat e Gardës Kombëtare “do të jenë së shpejti në mision me armët e dhëna nga shërbimi, në përputhje me misionin dhe trajnimin e tyre”.
Nuk është e qartë nëse vendimi për të armatosur trupat do të thotë se roli i tyre në Uashington do të ndryshojë.
Deri tani, trupat nuk kanë marrë pjesë në operacione të zbatimit të ligjit, të cilat janë kryer nga policia lokale dhe oficerë të agjencive të ndryshme federale.











