Pep Guardiola për pak sa nuk e bëri të qante, megjithatë Joshua Kimmich e ka marrë gjithçka me shumë sportivitet. Në përfundim të ndeshjes në Dortmund, ku Bayern barazoi pa gola, trajneri katalanas hyri në fushë dhe nisi një diskutim të zjarrtë me mesfushorin e ri, i cili po luan në mbrojtje, për shkak të mungesave. E përqafoi njëherë, por përsëri ia nisi nga e para, madje duke mos i lënë asnjë mundësi shpjegimi, duke i ulur edhe duart, për ta mbajtur gatitu.
Ka qenë vetë Kimmich ai që ka sqaruar: “Dua që të bëj në mbrojtje gjithçka që më kërkon trajneri. Me Pep Guardiolën kam marrëdhënie të shkëlqyera, ai më këshillon shpesh dhe më kërkon përherë maksimumin. Në fund të ndeshjes më bërrtiti, pasi më vuri në dukje disa situata ku mund të kisha bërë më mirë. Këshilla që më ndihmojnë të rritem e të luaj më mirë”.