Pavarësisht zhvillimit të shpejtë dhe impaktit që Inteligjenca Artificiale ka në tregun e punës, duket se kapitali njerëzor përbën shtyllën kryesore të kompanive. Për këtë arsye gjithnjë e më shumë po kthehet vëmendja te gjetja, rritja dhe trajtimi i profesionistëve të të gjitha kategorive. Për të kuptuar më mirë se si po përballohet kjo sfidë dhe se çfarë po ndodh brenda kompanive, i jemi drejtuar Grupit BALFIN si një grup ndërkombëtar me zyra qendrore në Shqipëri, që operon në rajonin e Ballkanit dhe dy kontinente.
Drejtori i Burimeve njerëzore i Grupit BALFIN, Elvin Nosi, ka ndarë me ne se cilat janë mekanizmat e Grupit për të përthithur profesionistët më të mirë dhe për të zhvilluar talentet. Ai tha se BALFIN krijon çdo vit vende të reja pune, ndonëse ka mbi 5,300 të punësuar të drejtpërdrejtë dhe mbi 10’000 të tjerë të punësuar nga partnerët e kompanive të grupit. Vetëm gjatë vitit 2024, Grupi BALFIN ka krijuar mbi 600 vende të reja pune, me një rritje fondi pagash me mbi 13 milionë euro. Po gjatë këtij viti, Grupi ka paguar një vlerë për paga dhe shpërblime prej rreth 67 milionë euro.
Z.Nosi përmendi gjithashtu programet e rritjet profesionale të Grupit BALFIN, si Talent Pool apo BALFIN Training Academy, sikurse u ndal edhe te politikat dedikuar ekuilibrit mes jetës profesionale dhe asaj personale.
Është bërë e vështirë të gjesh njerëz të kualifikuar? Çfarë strategjish përdor Grupi BALFIN për të tërhequr dhe mbajtur talentin kryesor, veçanërisht në industri apo tregje konkurruese?
Një ndër prioritetet e strategjisë sonë të Burimeve Njerëzore është të rekrutojmë talentet më të mira dhe sa më shpejt. Vënia në jetë e kësaj strategjie fillon me një njohje sa më të mirë të potencialit të talenteve në tregjet ku operojmë. Për këtë qëllim, në mënyrë proaktive, ekipet e Burimeve Njerëzore të kompanive tona çdo vit kryejnë një proces hartëzimi të talenteve të tregut. Në këtë mënyrë, në rast nevoje rekrutimi, dimë ku të orientohemi në treg dhe procesi i rekrutimit bëhet më efektiv, duke i plotësuar kështu më shpejt nevojat e biznesit.
Natyrisht, vitet e fundit, për disa profile të caktuara pune (sidomos IT, dhe digjital), duket se është bërë më sfidues procesi i rekrutimit. Megjithatë, një pjesë të mirë të kompanive tona, të cilat udhëheqin tregjet në sektorët ku operojnë, gëzojnë një reputacion si “punëdhënësi më i mirë”, imazh të cilin kujdesen ta ruajnë duke u investuar në mënyrë të vazhdueshme në përmirësimin e vlerës së shtuar që u ofrojmë punonjësve tanë.
Disa nga elementet kryesore që ne u propozojmë punonjësve tanë si vlerë janë: vëmendja e vazhdueshme tek kompensimet dhe përfitimet e punonjësve nëpërmjet pasurimit të tyre dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të qenë konkurrues në treg. Tjetër element është investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e tyre duke caktuar fondet e nevojshme që mundësojnë ofrimin e aktiviteteve zhvillimore të larmishme. Mirënjohja e vazhdueshme e arritjeve të punonjësve tanë është një tjetër element i rëndësishëm që zbatojmë dhe që ndikon ndjeshëm në motivimin dhe mbajtjen e tyre në kompani.
Në fillim viti, u bë me dije se Grupi BALFIN kishte parashikuar një rritje të fondit të pagave me 13 milionë euro. Ka ndodhur kjo gjë dhe nëse po, mendoni se vetëm rritja e pagave mjafton për të mbajtur të motivuar punonjësit?
Po, ka ndodhur. Fondi i pagave për vitin 2024 u rrit me mbi 13 milionë euro. Rreth 9 milionë euro rritje erdhi si pasojë e vendeve të reja të punës që u krijuan dhe mbi 4 milionë euro, për rritjen e pagave të punonjësve ekzistues. Rritja e pagave për ne mbetet një praktikë konstante në kuadrin e paketës së kompensimeve dhe përfitimeve në tërësi që iu ofrohet punonjësve tanë. Po për vitin 2024, Grupi ka paguar një vlerë për paga dhe shpërblime prej rreth 67 milionë euro.
Padyshim, paga dhe rritja e saj me kalimin e kohës luan një rol të rëndësishëm në motivimin e punonjësve, megjithatë si një element i vetëm nuk siguron motivimin e punonjësit. Janë shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që ndikojnë në motivimin e punonjësit, përtej pasjes së një page të drejtë dhe konkurruese në treg apo pranisë së incentivave të ndryshme monetare ose jo monetare. Ndër këta faktorë të rëndësishëm do të veçonim kryesisht, stilin e vendimmarrjes, qartësinë në objektivat e punës, kulturën e brendshme të kompanisë, mundësinë e zhvillimit profesional dhe mirënjohjen për punën e kryer.
Beson Grupi BALFIN te zhvillimi dhe mësimi i përhershëm i punonjësve? Keni politika apo programe të veçanta për këtë?
Në Grupin BALFIN, investimi për zhvillimin e punonjësve tanë e konsiderojmë një faktor suksesi kyç në arritjen e objektivave të biznesit si dhe në motivimin e punonjësve. Ofrimi i programeve të trajnimit, si Balfin Training Academy, Talent Pool apo të tjera programe për udhëheqësit ekzekutivë, të ndërthurura me mundësitë për karrierë brenda Grupit, përbëjnë një avantazh të fortë konkurrues që Grupi BALFIN ka në tregun e punës për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve. Punonjësit tanë përfitojnë mbi 100,000 orë trajnimi në vit. Më konkretisht, përsa i përket trajnimeve, gjatë vitit 2024, çdo punonjës ka marrë mesatarisht 21 orë trajnim dhe çdo muaj janë trajnuar mesatarisht 670 punonjës. Viti 2024 pati një rritje të ndjeshme, prej 26% të shpenzimeve për trajnimin dhe zhvillimin e punonjësve me një fond mbi 650 mijë euro.
A ka Grupi BALFIN një përllogaritje mbi vendet e reja të punës që janë krijuar gjatë këtij viti? Në cilat industri dhe cilat shtete janë krijuar më shumë vende pune të reja?
Bazuar në planet 3-vjeçare të biznesit, çdo vit ne kemi një parashikim të saktë të vendeve të reja të punës që duhet të hapen për t’iu përgjigjur nevojave të rritjes së biznesit. Gjatë vitit 2024 u krijuan drejtpërdrejt mbi 600 vende të reja pune në strukturat e kompanive të Grupit. Gjithashtu, si pasojë e shtimit të volumit të biznesit për partnerët, indirekt u krijuan edhe rreth 2,000 vende të reja pune.
Pjesa më e madhe e vendeve të reja të punës kryesisht janë krijuar në kompanitë që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë, në vendet ku ne operojmë, jo vetëm në Shqipëri. Rritje të vendeve të reja të punës pati gjithashtu në sektorin e ndërtimit dhe kryesisht rritja konsiston në shtimin e numrit të punonjësve të nënkontraktuar.
Si e mbështet Grupi mirëqenien e punonjësve dhe ekuilibrin mes punës dhe jetës private?
Grupi BALFIN e ka në vëmendje te vazhdueshme ndaj mirëqenies së punonjësve, çka në fakt ndikon edhe në ekuilibrin mes punës dhe jetës private. Ne ndërmarrim iniciativa të vazhdueshme që synojnë mirëqenien e punonjësve, qoftë nëpërmjet ofrimit të seancave këshilluese me profesionistë të shëndetit të specialiteteve të ndryshme, organizimit të aktiviteteve sportive apo përfshirjes së aktiviteteve rekreative në mjediset e punës si dhe jashtë saj.
Një tjetër element i rëndësishëm është edhe fleksibiliteti që kemi prezantuar nëpërmjet mundësisë që kanë punonjësit për të punuar në distancë apo adoptimin e një orari ditor pune fleksibel. Gjithashtu monitorojmë me kujdes qasjet më të fundit që ekzistojnë tashmë në tregje më të zhvilluara, persa i përket praktikave më të mira që shtojnë vlerë në mirëqenien e punonjësve, me qëllim që t’i adoptojmë në kohë në Grupin tonë.
Shumë kompani ndërkombëtare, kategori ku bën pjesë edhe Grupi BALFIN, kanë programe për zbulimin e talenteve nëpër universitete. Po ju a i shikoni studentët e sotëm për të zbuluar punonjës të talentuar të se ardhmes? Nëse po, si e bëni?
Vetë Presidenti i Grupit BALFIN, Z. Samir Mane ka një interes të veçantë në mbështetjen dhe zhvillimin e studentëve që kanë talente dhe aftësi. Ne si Grup kemi zgjedhur të ndjekim paralelisht dy rrugë në gjetjen, afrimin dhe mbajtjen e studentëve që tregojnë se kanë potencialin dhe ambicien e duhur për t’ju bashkuar kompanive të Grupit. Vetë Grupi është investitori dhe aksioneri kryesor i një universiteti, Tirana Business University. Duke pas një universitet tonin e kemi shumë më të thjeshtë të përshtatim kurikula të caktuara akademike sipas nevojave dhe prirjeve që ka tregu i punës. Kjo është një ndihmë e madhe edhe për vetë studentët pasi studiojnë për profesione reale dhe jo teori që gjejnë pak zbatim pasi mbarojnë studimet.
Ndërkohë ne kemi edhe një program tonin, B4Students, mbështet startup-et e studentëve, ndërhyn në përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve publike, ofron praktika profesionale dhe bursa studimi. B4Students është një program dinamik, tërësisht i përshtatur dhe plotësisht i dedikuar për studentët dhe mbështetet nga Fondacioni Mane.
Mendoj se nëpërmjet Tirana Business University dhe B4Students arrijmë që të evidentojnë studentë e talentuar, sipas shembujve më të mirë ndërkombëtar, por përfitues të programeve tona janë një numër disa herë më i madh studentësh.