Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski nuk ka ndërmend që të dorëhiqet. Madje kur vjen puna tek zëvendësuesi i tij i mundshëm Zoran Zaev, atij as që ”ia mbush syrin”.
Gruevski i është rikthyer edhe një herë kërkesës së opozitës për dorëheqje ku ka theksuar se Maqedonia nuk do të lejojë një kryeministër si Zaevi.
Dhe kjo sipas tij për faktin se ai po kërkon të vijë në pushtet me anë të shërbimeve të huaja, referuar “bombave” të përgjimeve të publikuara nga Zaev.
“Paramendoni për një moment, kryeministër, dhe garniturë politike, i cili në pushtet ka ardhur përmes shërbimeve të huaja, e cila i ka pasur edhe bisedat e tij të përgjuara në dorë. Sa i pavarur do të jetë ai kryeministër, kur e di se si është shfrytëzuar për një skenar të këtillë, mund që edhe të tjerë të çohen kundër tij. Ai do të jetë kryeministër i dëgjueshëm dhe vasal”, tha ndërmjet tjerash Gruevski









