Është bashkëshortja më e izoluar e botës dhe jeton në krah të njërit prej diktatorëve më të njohur të Azisë. Fjala është për Ri Sol-ju, gruan e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-Un. Edhe ditëlindja e Ri është objekt debatesh. Thuhet se ka lindur mes 1985-89.
Duke nisur nga viti 2012, Ri është shfaqur disa herë me të shoqin, në evente të ndryshme në Pion Jang. Në korrik, media zyrtare e paraqiti atë si “gruaja e liderit, shoqja Ri Sol-ju. Vite të tëra heshtjeje pasuan, deri sa në vitin 2015 ajo u shfaq sërish pranë të shoqit në një aktivitet sportiv.
Shumë pak dihet për Ri. Madje thuhet se edhe emri i saj është një pseudonim. Familja e saj vjen nga elita politike e vendit. Ajo vetë është nga këngëtaret e njohura të Koresë së Veriut. Në tetor 2012 Ri u shfaq shtatzanë në publik. Lindi kështu vajza e çiftit, e cila quhet Ju-Ae.