Shkrimtari, poeti dhe një nga themeluesit e PD në Durrës, Met Dervishi, ka dhënë një intervistë për gazetën Bulevard, në të cilën shprehet rreth fushatës në qytetin bregdetar, shanset e kandidatëve dhe mënyrën sesi ai i sheh ofertat e partive në zgjedhje.
Z. Dervishi, e keni ndjekur fushatën intensivisht?
Intensivisht, nuk do të thoja… dmth, nuk kam ndjekur kronikën e saj të përditshme, por vizionet e kandidatëve të saj… unë e kam ndjekur këtë fushatë si një intelektual i angazhuar në shoqëri, i interesuar për një Durrës që të jetë, së paku, kompetitiv me qytetet e tjera të bregdetit Adriatik, ose, me më shumë optimizëm, kompetitiv me qytetet turistike të bregdetit italian. Kjo ka qenë ambicia e brezit tim që u përfshi në politikën aktive që nga viti 1991, të djathtë e të majtë… Për fat të keq, edhe sot, mbas njëzet e katër vjetësh, ne kemi dështuar në këtë ambicie… Pra, në një farë mënyre, unë e kam ndjekur këtë fushatë duke e parë këtë moment elektoral si mundësi për ridaljen e kësaj ambicieje…
Dhe çfarë ju del tani që jemi tri ditë parazgjedhjeve?… Është rikthyer kjo ambicie te vizionet e dy kandidatëve?…
Po dhe jo…
Një gotë gjysëm plot dhe gjysëm bosh… si ta shohësh?
Mund të duket si lojë fjalësh, por kështu është… Gota do të kishte qenë plot po të kishim pasur një përplasje vizionesh, ku të dy kandidatët do të ishin orientuar nga një vizion europianizues i Durrësit, pra te vizioni i një Durrësi kompetitiv me qytetet si vëllezër të bregdetit Adriatik…
Dhe, te asnjë nga kandidatët nuk e shihni këtë?…
Gota gjysëm plot do të thotë që e shoh këtë vetëm te vizioni i njërit prej kandidatëve… Normale do të kish qenë që të dy ta kishin këtë ambicie, jo vetëm njeri… Do të kisha dashur që të kishim dy vizione ku secili t’i premtonte Durrësit që do ta bënte më të pasur, ose, ta pasur po aq, fjala vjen, sa një qytet bregdetar kroat, slloven, më mirë akoma, pa guxuar të shkoja në Trieste… ose në Rimini… e ne pastaj të zgjidhnim njërin prej tyre…
Por, të dy kandidatët, pak a shumë, premtojnë një Durrës më të pasur pas katër vjetësh…
Kjo nuk është e vërtetë, natyrisht sipas mendimit tim… dhe kjo ka të bëjë me orientimin e dy koalicioneve. Kjo duket dhe te logot respektive… Logoja e Pd-së, që është sfidanti në këtë moment “Punë dhe dinjitet” është e orientuar nga dy tematika që kanë të bëjnë me të djeshmen, varfëria dhe papunësia… Logoja e Ps-së “Drejtimi i duhur” është e orientuar nga e nesërmja, Rilindja, pra është një logo që premton…
Kështu siç thoni ju z. Dako duket i privilegjuar nga logoja…
Po, dhe nga Rilindja e pushtetit… Megjithatë, ajo që thashë për logot ka të bëjë me fushatën në përgjithësi, megjithatë, në një fushatë zgjedhjesh lokale, performanca e kandidatit është vendimtare…
Po thoni që z. Dako ka hyrë në fushatë në avantazh, ndërsa znj Duma në disavantazh…
Po, por dhe po them që vendimtare është performanca e kandidatit…
Po konsumi i z. Dako në tetë vjet nuk është disavantazh…
Është, po nëse studjohet për t’i bërë kritikën…
Nuk është bërë kjo nga znj. Duma?…
Aspak, madje as është tentuar… vetëm fjalë të përgjithshme “betonizim”, “konflikt interesi” etj… Fjala vjen, znj. Duma, së fundi bëri një kapërcim dhe foli për pesë familje me të cilat bashkëpunon z. Dako, pooooor nuk guxoi të thoshte as një emër… Kësisoj, kemi vetëm propogandë… Një njeri që pretendon të marrë në dorë fatet e një qyteti duhet të ketë guxim dhe jo të bëjë propogandë si analistët e televizioneve…
Po, përgjithësisht mendohet që znj. Duma ishte kandidatja më e mirë e listës së Pd-së.
Unë kam menduar të kundërtën që në fillim… Sipas mendimit tim, z. Cara, z. Gorea, z. Duka, z. Muka mund e do të kishin bërë një fushatë më të mirë, por sidomos, mund të kishin motivuar Pd-në, strukturat e saj në fushatë…
Znj. Duma nuk e ka bërë këtë?…
As nuk e ka bërë, as nuk mundej ta bënte…
Pse mendoni kështu?…
Se është një kandidaturë e katapultuar në momentin e fundit nga z. Berisha dhe nga klani i tij, që tani nuk përfaqësojnë më Pd-në, po një grup interesi që po e dominon atë. Kjo tani është harruar, po këtu ka nisur problemi. Kësisoj, znj. Duma do të paguaj hipokrizinë e Pd-së së qendrës me kandidaturat e tjera , por dhe me Durrësin…
Është ky një disavantazh tjetër?
Sigurisht… Znj. Duma po udhëheq një fushatë me një parti të përçarë…
Po, mirë, po vetë znj. Duma…
Znj, Duma as e ka kuptuar këtë, as kishte si ta kuptonte këtë … Për mjë tepër shkoi e i mori zyrat e veta jashtë mjediseve të Pd-së, ndoshta për imazh, por pa e kuptuar se po shëkputej nga njerëzit, nga simbolet e tyre…
Ju po thoni që znj. Duma është një zhgënjim?
Si performancë, po… Shihni Tiranën… z. Kosova, megjithatë, e ka ruajtur profilin e tij, madje prodhoi dhe një logo tjetër pozitive gjatë fushatës së tij, ndërsa znj. Duma po bën një fushatë të ngjashme me atë të z. Basha, pra, një fushatë negative… Në mesin e një popullsie me mbi 300 mijë banorë e me mbi 200 mijë votues mesazhet e saj për punësim dhe ulje taksash u janë drejtuar vetëm të dëshpëruarve, të varfërve, të papunëve… Pa dashje, kuptohet, por ajo e ka ngushtuar kësisoj audiencën e mesazheve të saj, duke përjashtuar pjesën më të madhe të qytetarëve…
S’kishte sipas jush ndonjë moment kulminant të saj?
Unë e kam pritur, por deri sot nuk ndodhi… fakti është që kësaj radhe Shqipëria nuk mori ndonjë mesazh nga Durrësi, dhe ky mesazh pritej nga sfidantja, jo nga z. Dako… Ajo që u duk sikur, ndoshta do të përbënte një kulm qe debati te Top Chanell, ku besohej se znj. Duma ishte “në fushë të vet”, por për arsye të mosarsyeve që i dinë vetëm skutat më të larta të klanit të Pd-së në Tiranë dhe ai shans u humb, e natyrisht që faturën e merr znj. Duma
Po z. Dako kishte disavantazh…
Natyrisht, i pari ishte konsumimi, që siç e thashë, sfidantja s’diti ta përdorë, kurse disavantazhi i dytë, ndoshta dhe ai që mund t’i kushtonte rëndë, ishte deliri i pushtetit…
Ç’kuptoni ju me këtë?
Z. Dako pretendon mandatin e tij të tretë, por dhe përfaqëson një koalicion që qeveris, dy momente që mund ta bënin atë të delironte në fushatë
Ju mendoni që kjo ka ndodhur?
Përkundrazi, z. Dako ka bërë një fushatë modeste, madje shumë modeste… Unë nuk e di sa kjo është teknikë komunikimi, sa ia kanë rekomanduar, sa është natyra e tij, etj., po di që kjo dhunti, modestia, pëlqehet nga durrsakët nga qendra historike e qytetit e deri në skajet e fshatrave të Ishmit… Përkundrejt znj. Duma që mbajti një profil “të lartë”/ Universiteti/doktoratura/ kryeqyteti, etj. z. Dako bëri një fushatë modeste , “kokëulur”, pra bëri saktësisht të kundërtën e rivales së tij…
Dhe në komunikim?
Po, dhe në komunikim, ku dukej sikur shanset do t’i kishte znj. Duma, që vjen nga “komunikimi”. Një fakt për ta ilustruar këtë: z. Dako gjatë gjithë kohës e cilësonte znj. Duma vetëm “rivalja ime”, në të kundërt znj. Duma e cilësonte “ai tjetri”/ “këta”, gjithsesi përçmues
Po dhe fushata e z. Dako sikur s’është “ndjerë”…
Thashë që ky ka qenë stili i tij, një fushatë jo pompoze, pra një fushatë që nuk ra në deliret e “pushtetit” që të bën megalloman. Por, një kohësisht, z. Dako ka prodhuar një mesazh kombëtar, ka treguar me projektin e tij që Durrësi do të jetë në qendër të zhvillimit kombëtar këtë mandate, duke e konkretizuar me faturën përkatëse. Pra, me këtë mesazh z. Dako i është drejtuar të gjithë votuesve, duke bërë kësisoj sërish të kundërtën e rivales së tij që e ka ngushtuar audiencën e saj vetëm te të varfërit etj, një auidencë që, gjithsesi nuk i kalon të tridhjetë mijë vetët…
Meqë jemi këtu si e parashikoni rezultatin…
Të frikshëm në diferencën e vet…
Për kë?…
Politikisht, znj. Duma ka përballë një koalicion PS/LSI/PDIU/FRD, që është një koalicion “i frikshëm”… Me këtë lloj koalicioni përballë duket sikur znj. Duma i ka të humbura shanset që në tavolinë… Kurse, për performancën dhe mesazhet, unë ju thashë që znj. Duma e ka ngushtuar vetë audiencën me rreth 30 mijë vetë… të tjerat do t’i marrim vesh të hënën, besoj…