Gramoz Ruçi nuk i sheh kritikat e Ben Blushit si një arsye për ta përjashtuar atë nga Partia Socialiste, për sa kohë që ai i qëndron linjës politikë të partisë, duke votuar reformat e qeverisë.
I ftuar në emisionin “Kapital” në Vizion Plus, kryetari i grupit parlamentar socalist u pyet në lidhje me kritikat e ashpra të deputeti Blushi.
“Jo vetëm për Blushin, por edhe për kolegë të tjerë, unë nga natyra jam që në ekranet televizive, në faqet e gazetave, problemet me pjesëtarët e familjes sime politike asnjëherë nuk dal në debat apo të komunikoj në media. Kjo është një zgjedhje. Dhe duhet të jetë një zgjedhje për çdo parti politike. Jam i mendimit që problemet brenda familjes politike diskutohen brenda shtëpisë, brenda familjes tënde politike. Mos prisni nga mua që të kthej përgjigje për gjithçka që Blushi ka thënë në artikujt e tij apo në daljet publike që ai mban”, tha Ruçi.
I pyetur përse nuk janë marrë masa ndaj Blushit pas kritikave të tij, Ruçi tha se nuk ka qenë e nevojshme përsa kohë ai mban vijën e partisë në Parlament.
“Në thelb të statutit tonë është e drejta e fjalës, kudo, nga kushdo, nga çdo anëtar, nga më i thjeshti deri tek ai që është i zgjedhur në institucionin më të lartë. Këtu bëhet fjalë që Blushin mund ta kritikosh për gjithçka, por qëndrimi institucional i Blushit në sallën e Parlamentit ku konkretizohen hapat, reformat e kësaj maxhorance është konform vijës politike. Kështu që s’ka pse të përjashtohet”, tha Ruçi.