Vjedhjet e institucioneve monetare ka qenë gjithmonë një problematikë shqetësuese në mbarë bvotën, por edhe vendi ynë ka parë një numër jo të vogël grabitjesh të armatosura dhe jo vetëm. Jo më larg se të martën, policia zbuloi një skemë të bujshme për grabitjen e një banke të nivelit të dytë përgjatë bulevardit “Zogu i Parë” në kryeqytet.
Megjithëse plani i grabitësve dështoi dhe enigma e armës së gjetur një ditë më parë u zgjidh, autorët kishin hartuar një skemë të mirë menduar për t’u futur në ambientet e bankës, duke përdorur pikërisht kanalet e nëndheshme të ujërave të zeza, të cilat të nxirrnin në brendësi të bankës.
Më herët, u raportua se në afërsi të vendit nga ku kanë hyrë grabitësit, nuk ka asnjë bankë, por mendohet se ata e kanë përdorur pikërisht atë vend për të shkuar nëpërmjet kanaleve kulluese të ujërave të zeza drejt destinacionit të tyre final, bankës së nivelit të dytë që ndodhet te “Veve Center”, pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Çfarë tha Policia e Shtetit në lidhje me grabitjen?
Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë. Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.
Cilat grabitje të tjera kanë jehuar në shoqrërinë dhe mediat shqiptare më herët?
Shprehja popullore “bëmë baba të të ngjaj” mishërihet më së miri në rastin e Robert Kullës, i cili ishte një nga të arrestuarit si i dyshuar për grabitjen e bankës në ish-Bllok qysh në fund të gushtit të vitit 2016.
Për policinë 35-vjeçari i lindur në Tiranë dhe me arsim 8-vjeçar ka qenë i dënuar më parë për rrëmbim e mbajtje peng personi si dhe për armëmbajtje pa leje deri sa kreu grabitjen e bankës, kanë raportuar mediat lokale në atë periudhë.
Babai i Robert Kullës, Nehat Kulla i njohur ndryshe si “Gjenerali” krijoi një bandë, e cila veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998. Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij.
Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme. Nehat Kulla ndodhet aktualisht në burg i arrestuar në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet të të djathtëve, pasi është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-Ministrit të Brendshëm Halit Shamata.
Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën, shkruante “Sot” në atë periudhë.
Bulevardi “Zogu i Parë”, vendndodhje “favorite” për grabitje bankash
Edhe më herët, në vitin 2015, dy persona të armatosur grabitën një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Pavarësisht se grabitësit dhe rojet e sigurisë së bankës shkëmbyen edhe të shtëna, dhe policia u vu në ndjekje të grabitësve, ata të parët nuk u neutralizuan menjëherë.
Policia në atë kohë njoftoi se tre persona të armatosur në hyrjen e pasme të një filiali banke prane Stacionit të Trenit në Tirane, grabiturën automjetin që duhej të fuste një shumë lekësh në bankë.
Sipas informacioneve, agresorët kane qene te armatosur dhe të maskuar, ndërsa dëshmitaret thanë se ata janë larguar me gjithë mjetin e bankës nga vendangjarja. Brenda makines dyshohej se kishte brenda dy thasë me para, kurse automjeti i bankes eshte braktisur ne dalje te kryeqytetit.
Dy grabitje u realizuan në vitin 2015
Po në vitin 2015, më datë 30 dhjetor u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit, ku u vodhën 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute.
Më 30 qershor 2016, grupi i grabitësve rrezikoi edhe më shumë, duke depërtuar deri në pistën e avionëve. Kjo ishte ngjarja e parë, ku u cenua siguria në Aeroportin e Rinasit. Autorët arritën të merrnin 995 mijë euro. Për këtë ngjarje, filimisht nuk pati ndonjë person të dyshuar.
Grabitja e 9 shkurtit 2017
Edhe pse u aludua fillimisht se mund të ishte kryer nga i njëjti grup, nuk u arrit të provohej asnjëherë. Grabitja ndodhi më 9 shkurt 2017, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, afër një universiteti privat.
Dy makina të blinduara me një shumë të madhe parash cash prej 2.7 mln euro të një banke të nivelit të dytë janë grabitur nga 4 persona të enjten në dalje të Tiranës, ndërsa janë arrestuar 6 punonjësit e policisë private që po i transportonin, njëri prej tyre ka mbetur i plagosur në dorë nga të shtënat me armë.
Shifra zyrtare e parave të grabitura u bë e ditur zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa të arrestuar ishin Xhelil Metaj, Gentian Dedja, Perparim Logu, Endrit Daçi (i plagosur) dhe Dashamir Balla. Ndërsa mëngjesin e kësaj të premte u arrestua edhe Fatmir Gapi, drejtues teknik i kompanisë private të sigurisë fizike.
Sipas informacioneve të atëhershme, grabitësit kanë pasur akses në emailin e bankës dhe kanë qenë të informuar për të gjitha lëvizjet e programuara. Dyshohet që emaili të jetë hackuar nga autorët ose punonjësit të kenë servirur të dhënat për grabitësit.
Gjithçka ndodhi ne 2 minuta e 24 sekonda. Grabitësit kanë studiuar lëvizjet e blindit dhe i kanë zënë pritë duke bllokuar aksin rrugor që lidh autostradën me rrugën që të fut në aeroportin e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit. Skena e grabitjes ka ndodhur në sytë e dhjetra dëshmitarëve që ishin bllokuar në rrugë ku disa prej tyre filmuan çastin.
Në video mund të dëgjoheshin të shtënat me armë zjarri nga grabitësit drejt makinës. Grabitësit kanë qëlluar tre herë më armë zjarri në xhamin e derës së parë të makinës, pasi hasën fillimisht në rezistencën e punonjësve të blindit, ndërsa shoferi i njeres prej makinave ka mbetur i plagosur ne dorë.
Grabitja me armë e vitit 2018 në Dibër
Dy persona u arrestuan si autorë të dyshuar për grabitjen me armë zjarri në Brezhdan të Dibrës, ku mbeti i plagosur edhe i zoti banesës. Ata ishin Gaetano Hasi, 35 vjeç dhe Ilir Shini, 31 vjeç, të dy nga Kastrioti i Dibrës.
Në banesat e tyre, policia ka sekuestruar armën e krimit, municione luftarake dhe veshjet e përdorura nga autorët.
Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri–tjetrin dyshohen se më datë 15 Korrik 2018, rreth orës 03:30, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur banesën e Adraman Selishtës, 53 vjeç dhe gjatë përleshjes plagosën djalin e tij 35 vjeç, Ersen Selishten, njoftoi policia në atë kohë.
Në shtëpinë e autorit Gaetano Hasi u gjet një armë zjarri automatik model 56, 506 fishekë, 1 krehër, 1 jelek antiplumb, si dhe disa veshje që dyshohen se janë përdorur nga autorët gjatë grabitjes.
Viti 2019- grabitja e bujshme e Rinasit
Grabitja më e madhe gjatë viteve të fundit në vendit tonë ka ndodhur në Rinas më 9 prill të vitit 2019. Të të paktën 5 persona u përfshinë në të. Fillimisht ata prenë me gërshëre bulonat e portës ku futet zjarrfikësja në fund të pistës dhe janë afruar me një mjet “Volsvagen” afër avionit që kishte destinacion Vienën.
Më pas janë afruar 3 persona me uniforma të zeza antiplumb e të armatosur kanë neutralizuar punonjësit e bagazheve dhe kanë marrë një pjesë prej thasëve me para, aq sa kanë mundur të mbajnë dhe janë larguar në këmbë në drejtim të automjetit.
Gjatë kohës kur po kryhej grabitja ka qenë një punonjës i zjarrfiksëve që ka vërejtur derën e hapur dhe ka njoftuar kompaninë ICTS që merret me sigurinë e aeroportit.
Në të njejtën kohë është njoftuar dhe komisariati Rinas. Kur autorët janë larguar nga pista është kuptuar grabitja dhe policia është vënë në lëvizje. Në zonë ka qenë një grup FNSH, i cili u vu në ndjekje të grabitësve.
Kur kanë kaluar lumin e Tapizës grabitësit kanë zbritur nga furgoni dhe kanë tentuar ta djegin atë. Në këto momente ka mbërritur FNSH dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre, i vdekur ka mbetur një prej grabitësve i cili ka marrë një plumb në kokë.
Në vendngjarje policia sekuestroi 1 automatik dhe 1 granatë. Të favorizuar nga terreni që ishte kthesë dhe kodër grabitësit janë larguar me një furgon “Benz-vito” pa shkëputur zjarrin ndaj policisë. Mjeti me të cilin u larguan autorët u gjet i djegur afër Bathorës.
Viti 2020/ Grabitet posta private në Tiranë
Grabitja në postën private në vitin 2020 në Tiranë ndodhi tek ish-sheshi Shqiponja, në mbrëmjen e 16 qershorit. Sipas raportimeve të atëhershme të Gazetës Shqiptare, dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e një poste private dhe nën kontrollin e armëve dhe kanë marrë një sasi parash.
“Në datën 16.06.2020, rreth orës 21:50, prane sheshit “Shqiponja”, në një postë private, dyshohet se dy ende të paidentifikuara, nën personat e armëve kanë vjedhur një sasi lekësh dhe janë larguar me një mjet motoçikletë. Në të gjitha hyrje-daljet e Tiranës, janë vendosur pika kontrolli. Policia ka në këto pika, identifikimi i autorëve. Forcat e policisë po krehin dhe vijojnë kontrollet edhe në parkimin e ambienteve të ndryshme. hetimor vijon për zbardhjen e Grupive të ngjarjeve, me qëllim identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit fton çdo qytetar që mund të ketë të dhena mbi autorët, të telefonojnë falas në 112, duke u garantuar anonimatin”, njoftoi policia në atë periudhë.
Viti 2021- Grabitet me armë noteri në Sarandë
Jo një grabitje institucioni financiar, por grabitja e një individi ka ngelur në kujtesën e shqiptarëve për vitin 2021. Kjo ishte grabitja e noterit Thoma Kaçi në mëngjesin e 20 tetorit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:10 në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës, teksa 2 persona të maskuar janë futur në shtëpinë e tij.
Personat e maskuar janë futur në shtëpinë e noterit dhe duke i kërcënuar me kallashnikov kanë arritur të marrin 20 milionë lekë të vjetra. Hajdutët kanë lidhur 63-vjeçarin dhe familjarët e tij dhe pasi kanë marrë paratë dhe 2 çelësa makinash janë larguar. Noteri Kaçi nuk ka pësuar dëmtime fizike dhe ka njoftuar menjëherë Policinë për të denoncuar grabitjen.
Më vonë, rezultoi se ishin tre autorë të grabitjes me armë të noterit të njohur, të cilët u vunë në pranga.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Butrinti”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku nën kërcënimin e armës dhe dhunës, shtetasit Thoma Kaçi (noter), në banesë, i morën një shumë parash. Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparat celular. Disa ditë pas ngjarjes, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik të përdorur në këtë ngjarje.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune hetimore të pandërprerë, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, të një shume parash në banesën e shtetasit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë. Mbi bazën e provave të siguruara nga hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë nxori urdhrat e ndalimit për autorët e dyshuar.
Në këtë kuadër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Butrinti”, në kuadër të të cilit u bë kapja e tre autorëve të dyshuar dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të caktuar nga Prokuroria për shtetasit:
Elis Avduli, 52 vjeç, lindur dhe banues në Konispol, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Oltjon Kolonja (Pula), 39 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Sarandë;
Vladrias Himaj, 34 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Sarandë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet e dyshuara të përdorura në këtë ngjarje dhe 4 aparate celular.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia në atë kohë.(GSH)