Në Gjirin e Omanit janë grumbulluar anije të mëdha me kontejnerë dhe tankerë nafte që po presin të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo është një zonë shumë e rëndësishme detare ku kalon rreth një e katërta e naftës që furnizon botën. Ngushtica ndodhet mes gadishullit Arabik dhe brigjeve të Iranit, në një distancë shumë të ngushtë, më pak se 33 kilometra.
Që nga fillimi i konfliktit, Irani po përdor ndërhyrje elektronike për të prishur sinjalet GPS dhe sistemet e identifikimit të anijeve. Kjo bën që radarët të tregojnë vendndodhje të gabuara dhe rrit rrezikun e aksidenteve. Sipas të dhënave detare, janë regjistruar mbi 3 mijë e 500 ndërhyrje të tilla, shkruan La Republicca.
Normalisht nga Hormuzi kalojnë rreth 100 anije në ditë dhe transportohen rreth 14 milionë fuçi naftë në ditë nga vende si Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku, si dhe gazi i lëngshëm i Katarit. Tani situata ka ndryshuar, rreth 400 anije janë bllokuar brenda Gjirit dhe rreth 500 të tjera presin jashtë. Vlera e mallrave në këto anije llogaritet rreth 25 miliardë dollarë.
Disa vende po përpiqen të përdorin rrugë alternative, si tubacionet drejt Detit të Kuq, por ato mund të transportojnë vetëm një pjesë të naftës që kalon zakonisht nga Hormuzi. Për këtë arsye disa vende kanë ulur prodhimin e naftës dhe gazit.
Irani po lejon të kalojnë vetëm anijet e vendeve që nuk i konsideron armiq, si Kina. Për këtë arsye disa anije po përpiqen të kalojnë duke deklaruar rrejshëm se janë kineze.
Ndërkohë, kompanitë e sigurimit dhe investitorët janë të shqetësuar dhe kostot janë rritur. SHBA ka premtuar të shoqërojë disa anije me eskortë ushtarake, por ekspertët thonë se kjo është e vështirë sepse kërkon shumë kohë dhe burime.
Për shkak të kësaj situate, çmimi i naftës po rritet. Nëse kriza vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se çmimet e energjisë mund të rriten në gjithë botën.












Ju përshëndes miq.
Ju lexoj çdo ditë pa nderprerje. Ju vleresoj për intelektualitetin dhe qytetarinë.
Por, në ndonjë rast, kam “vërejtie” për të shprehurin, apo më mirë mungesën e fjalëve në shqipen e rregullt, por me shqipen krahinore apo shtëpiake, si psh….” Për këtë arsye disa anije po përpiqen të kalojnë duke deklaruar rrejshëm se janë kineze.” …..Fjala “rrejshëm” është tipike tironce, apo e Shqipërisë së mesme. Në këtë rast, mund të thuhej, duke mashtruar, apo duke u kamufluar, apo duke u hequr, etj, etj…..
Ju jeni internacionalë tashti. I keni kaluar kufinjtë e vëndit tonë. Prandaj, miqësisht, këto krahinizma mendoj që të vrasin veshin, kur mendoj se kush jeni.
Ju përshëndes nga Kanadaja, me shumë vlerësime për ju.