Në një tryezë ku në fokus ishte projektligji për financimin e partive politike, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi se fryma e dialogut për tema të tilla si reforma zgjedhore është thelbësore.
Ai u shpreh se ajo duhet të përmbushë jo vetëm pritshmëritë e qytetarëve, por edhe standardet europiane. E këtu, u shpreh se financimit është parakusht për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Kur burimet e financimit janë të paqarta apo mbikëqyrja është e dobët, besimi te këto institucionet demokratike është pashmangshmërisht i minuar. Financimi është parakusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma Zgjedhore sidomos sa i përket financimit të partive në fushata mbetet përparësi në kuadër të kornizës së BE-së dhe patjetër që lidhet ngushtë me themeloret”, tha Gonzato.
Ndër të tjera, ambasadori i BE-së tha se vija dalluese mes shtetit dhe partisë duhet të jetë më e theksuar.
“Përkufizime të qarta për burime shtetërore, e po kështu edhe kontributet në natyrë si dhe transparencë në lidhje me entet që lidhen dhe varen ekonomikisht nga vendimet shtetërore janë të nevojshme për të mbrojtur një konkurrencë të ndershme politike”, tha ai.
Sa i përket prokurimeve publike, Gonzato u shpreh se duhet të ketë të gjitha garancitë për të siguruar që donatorët e partive të mos kenë kontrata të dhëna nga qeveria përmes proceseve të vakëta apo të manipuluara. Ai tha se kuadri zgjedhor duhet të forcojë edhe mekanizmin për të mbrojtur financimet nga burime të huaja të dyshimta.
“Kjo strategji kundër ndërhyrjes së huaj përvijon një sërë hapash për të forcuar përballimin apo rezistencën në këtë fushë dhe kjo duhet të jetë në përputhje me standardet e duhura”, tha Gonzato.











